E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Traviata” shqiptare sipas greko-amerikanit Peter Tiboris

SHKRUAN: Aida Tuci 30-03-2011 13:05

Veprat e repertorit rikthehen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Opera që mban firmën e Giuseppe Verdit vjen me regji të Nikolin Gurakuqit, skenografi të Taulant Pustinës, koreografi të Arian Sukniqit, kostumet nga Hysen Devolli dhe dirigjent kori Dritan Lumshi. Opera me tre akte e Verdit dhe libret të Francesco Maria Piave interpretohet nga Eva Golemi dhe Rajmona Tullumani në rolin e Violetës, Sofika dhe Lindita Kola në rolin e Floras, Enkelejda Zepishta në rolin e Aninas etj. I ftuar special është tenori italian Fabio Andreotti, që do të interpretojë Alfredon. Në këtë ringjitje në skenën e TKOB-së ‘Traviata’ do të vijë nën dirigjimin e greko-amerikanit Peter Tiboris. Ai ka një karrierë më shumë se 40-vjeçare dhe ka dirigjuar në më shumë se 20 vende, që nga Meksika, Rusia, Britania e Madhe etj. Mjeshtëria e tij është prezantuar në orkestrat më të famshme në botë, që nga “Filmarmonia e Royal”, Filarmonia e Londrës, Orkestra Kombëtare e Kajros, Filarmonia e Montrealit etj. Më shumë se 150 koncerte live ka dhënë në sallat më prestigjioze të Teatrove në Botë, duke bashkëpunuar me artistë me famë botërore. Peter Tiboris drejtues i orkestrës amerikane me origjinë greke është dhe protagonisti i operas ‘Traviata’, që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtarë të Operas dhe Baletit. Takimi me të dhe spektatorin shqiptar është më 2, 3, 5, 6 prill në orën 19.00. Tiboris do të drejtojë orkestrën e TKOB-së me veprën e Verdit, por kompozitori që atë e inspiron më shumë është Moxarti. Madje, emrin e tij e ka shkruar edhe në adresën e tij të e-mailit.

Ai është një nga ata dirigjentë që ka arritur të kuptojë diferencën mes një publiku amerikan dhe një publiku evropian, përsa i përket muzikës klasike. “Kam vënë re një kuriozitet të madh të publikut amerikan për të kuptuar mesazhin që përcjell muzika - është shprehur ai në një intervistë të tij - ndoshta ngaqë europianët e ndiejnë muzikën klasike si pjesë të anës së tyre shpirtërore”. Nga vitit 1988 ai dirigjon Orkestrën Filarmonike të Manhatan në Nju-Jork. Në repertorin e tij janë listuar Bethoven, Brahms, Moxart, Mahler, Schubert, Schuman, Verdi, Grieg Haydan, Puçini Rossini, Çajkovski etj. Dashuria për operan e ka shtyrë që të dirigjojë sipërmarrje të mëdha si “Toska”, “Kavaleria rustikana”, “Bereberi i Seviljes” etj., ndërsa në Shqipëri vjen për të drejtuar një opera po kaq të vështirë sa ‘Traviata’. Në role të tjera interpretojnë Yber Gjini, Erlind Zeraliu, Denis Skura, Sidrit Bejleri, Ogert Islami, Edvin Kastrati, Sokol Hidersha, Ardian Kamberi, Fatmir Cara dhe Pandush Koko.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›