E Shtunë, 31 Tetor 2026

Horizontet e hapura të Adriana Elinit

Kineastja e njohur shqiptare Adriana Elini - Xhajanka përkujtohet të mërkurën në një ceremoni të organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në kinemanë e institucionit, në kuadrin e veprimtarisë “Marsi - muaji i kineasteve shqiptare”. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni, artistë, kineastë, gazetarë, miq dhe të afërm të Adrianës - kolegë dhe personalitete të fushës, vlerësojnë se bota e madhe e artit shqiptar shkëlqen fuqishëm nga puna dhe talenti i sa e sa artistëve të pasionuar, të cilët vunë gjithçka në shërbim të tij, kohën, rininë, forcat, për të sjellë në art jetën e përditshme, njerëzit e thjeshtë. Kuptohet, aq sa mund t’i lejonte korniza ideologjike e kohës. Një nga këta artistë është edhe regjisorja e shquar e filmit dokumentar, Adriana Elini. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të 74-vjetorit të lindjes dhe 17-vjetorit të ndarjes së saj nga jeta.

Adriana i përket brezit të dytë të regjisoreve të montazhit, që filloi punën në fund të viteve ‘50, por me pasion e dashuri për profesionin, u ngjit nga regjisore montazhi në regjisore të filmit dokumentar dhe për mëse tri dekada krijoi vlera të padiskutueshme në art. Në vitin 1967 Adriana ishte regjisorja e montazhit në filmin artistik “Horizontet e hapura” dhe më pas në filmin tjetër “Estrada në ekran”. Falë punës, përkushtimit, pasionit për filmin, në vitin 1968 realizoi filmin e parë si regjisore “Universiteti ynë”. Nga ky vit e nga ky film, për afro 20 vjet të tjera Adriana arrin të realizojë rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës. Ndër filmat më të mirë të Adrianës mund të përmendim "Qilimat tanë", "Art i lashtë, mjeshtër të rinj", "Tokë e begatë", "Me pushkë e penë për mëmëdhenë", "Manush Alimani", "Çdo vijë, një vizatim" – ky film u nderua me çmim për regjinë në Festivalin VI të Filmit dokumentar, - "Kolë Idromeno" - nderuar me Çmim të Tretë në Festivalin VII të Filmit Dokumentar etj. Para disa vitesh, në vazhdën e përkujtimeve të personaliteteve që bënë historinë e kinematografisë shqiptare, AQSHF me skenarist Ilia Deden dhe operatorin Ferdinand Karuni përjetësuan në një film dokumentar, "Ese filmike për kineasten Adriana Elini", veprimtarinë në fushën e filmit dhe jetën e Adrianës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›