E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmi për homoseksualët merr çmim në Pogradec. Pinderi: Në qytetin tim nuk pati protestë si në Lezhë apo Tiranë

Mbyllet Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec. Çmimin e parë e fiton Kroacia. Çmim special fiton edhe filmi i parë për LGBT

Edicioni i dytë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë u mbyll me sukses në Pogradec duke sfiduar skeptikët që e mendonin si të vështirë këtë event, në një periudhë krize jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore. Tre organizatoret: Fatos Baxhaku, Eno Milkani dhe Gerta Qurku dukeshin më të relaksuar këtë vit, ndërkohë që këtë vit, duket se prodhimet kroate ishin të një cilësie shumë më të mirë se filmat e vendeve të tjera.

Filmi më i mirë u shpall No one’s son i regjisorit kroat Arsen Ostojic, filmi më i mirë i animuar u shpall filmi The Room i regjisores kroate Ivana Juriç. Elton Baxhaku dhe Eriona Cami u shpallën fitues të çmimit filmi dokumentar më i mirë, me filmin Book. Çmime speciale fitoi edhe filmi The wall i regjisorit kosovar Gazmend Nela dhe filmi Fari regjisores bullgare Velislava Gozpodinova.

Fiton edhe filmi i parë antikonformist për LGBT

Ndërkohë dokumentari i parë që flet për jetën e dy çifteve gej në Shqipëri u shpall fitues i një çmimi special në edicionin e dytë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Kinemanë e këtij qyteti.

Ishte anëtarja e jurisë ndërkombëtare, Anne Poulsen, nga Danimarka ajo që i dhuroi kupën, një qyp prej qeramike, bashkëautorit të këtij dokumentari, Kristi Pinderi. Ai u shpreh se duhet guxim për një qytet të vogël si Pogradeci për të pranuar filma që flasin për tema që ende shkaktojnë protesta në qytete të tjera, por kjo nxjerr në pah një tjetër vlerë të këtij qyteti të mrekullueshëm: atë të tolerancës.

Dokumentari Të fshehur mes jush i realizuar me mbështetjen e fondacionit Soros është një dëshmi e një çifti vajzash lezbike dhe një çifti djemsh, të cilët tregojnë vështirësitë e të jetuarit një jetë të fshehur për shkak të diskriminimit, por dëshmitë e tyre janë mbi të gjitha për arsyen se si mund të përballohet një jetë e tillë e që është dashuria e thellë për njëri tjetrin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›