E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmi shqiptar, një javë në qytetet pa kinema

Filma artistikë, dokumentarë dhe të animuar, prodhime të viteve të fundit, do të jenë pjesë e aktivitetit “Java e filmit shqiptar”, që do të mbahet në periudhën shtator-tetor. Regjisori Kujtim Gjonaj tregon se ky aktivitet do të mbahet në qytetet shqiptare ku nuk ka kinema, duke synuar një sensibilizim dhe edukim të publikut me ekranin e madh

Një nga projektet që bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike ka miratuar për financim është edhe “Java e filmit shqiptar”. Organizuesi, regjisori Kujtim Gjonaj, shprehet se bëhet fjalë për një aktivitet festiv dhe jo një festival ku ka garë dhe çmime. Në thelbin e vet, java apo ditët e filmit shqiptar synojnë të çojnë filmat artistikë, dokumentarët dhe të animuar, prodhime të dy viteve të fundit në qytetet shqiptare ku nuk ka kinema. Regjisori Gjonaj flet për një sensibilizim dhe rikthim të dëshirës të publikut për ekranin e madh. Programi, që do të zërë fill nga Berati (në gjysmën e dytë të shtatorit apo në fillim të tetorit), do të ketë edhe aspektin e tij përkujtimor për kineastët e njohur që sot nuk janë më. Regjisori Kujtim Gjonaj shpjegon se si është menduar organizimi i këtij aktiviteti, i cili i kushtohet filmit shqiptar të pas ‘90-s.

Ju keni konkurruar në Qendrën Kombëtare Kinematografike dhe keni marrë mbështetjen për projektin “Java e filmit shqiptar”. Flasim për një festival të filmit shqiptar?

Jo, ky aktivitet nuk është një festival në kuptimin klasik, sepse festivali ka parametra dhe kërkesa të tjera. është një bashkëpunim i mirë midis “Botës shqiptare”, një kineasti të hershëm si Skënder Jaçe, i cili është i pari njeri që ka krijuar rrjetin e kinemave në Shqipëri pas ‘90-s dhe natyrisht Qendrës Kombëtare Kinematografike, e cila brenda mundësive të saj ka dhënë një fond modest prej rreth 7 milionë lekësh të vjetra. Ditët e filmit shqiptar, parashikuar të realizohet në dy javët e fundit të shtatorit ose në fillim të tetorit, është konceptuar si një aktivitet festiv i prezantimit të filmave të fundit shqiptarë, prodhime të kineastëve të njohur të këtyre viteve. Flasim për filma si “Nata pa hënë” e Artan Minarollit, “Koha e kometës” e Fatmir Koçit, “Lindje, Perëndim, Lindje” i Gjergj Xhuvanit, “Trishtimi i zonjës Shnajder” i Piro Milkanit etj. Po pjesë e këtij aktiviteti do të jenë filma dokumentarë të realizuar nga regjisorë si Vladimir Prifti, Donika Muçi, Kujtim Gjonaj dhe disa të tjerë, si edhe filmi i animuar, të cilit do t’i kushtohet nj seancë projektimi më vete. Do të shfaqen gjashtë-shtatë filma vizatimorë të viteve 2009-2010 të regjisorëve Artan Marku, Ergys Faja, Bertrand Shijaku, Artur Dauti etj.

Keni zgjedhur disa rrethe të Shqipërisë për ta shëtitur këtë aktivitet. Mendoni se është kjo një mënyrë efikase për ta çuar filmin te publiku?

“Java e filmit shqiptar” është parë si një aktivitet festiv, i cili do të zhvillohet në ato rrethe ku praktikisht nuk ka kinema, me idenë jo vetëm për të prezantuar para publikut të këtyre qyteteve arritjet më të fundit të filmit shqiptar të tri gjinive, por për të inkurajuar dhe ngacmuar idenë se çdo qytet, të paktën në Berat, Lushnjë, Fier, Vlorë, Krujë, Lezhë, të ngjallet ndjenja dhe dëshira për të parë filmin në ekranin e madh. Ky është motivi kryesor i këtij festivali, ndaj edhe do të bashkëpunojmë ngushtë me bashkitë e këtyre qyteteve për të bërë të pranishme idenë për të sjellë afër spektatorit filmin shqiptar dhe së dyti për të ngacmuar institucionet përkatëse të krijojnë sa më shpejt mundësinë për të hapur salla kinemaje.

Mbi ç’kritere janë përzgjedhur filmat që do të jenë pjesë e këtij aktiviteti?

është krijuar një komision përzgjedhës për filmat, në krye të të cilit është regjisori Kristaq Dhamo. është po ky regjisor i njohur që do të hapë ditët e filmit shqiptar në kalanë e Beratit, për të vazhduar me qytetet e tjera, ku çdo natë do të jenë të pranishëm regjisorë që kanë lënë gjurmë në historinë e filmit shqiptar. Krahas kësaj, çdo projeksion i filmave të përzgjedhur do të paraprihet nga një dokumentar homazh, i cili është duke u përgatitur, kushtuar kineastëve që nuk janë më, si regjisori Viktor Gjika, Ibrahim Muçaj, skenaristi Peçi Dado e shumë të tjerë që janë ndarë nga jeta. Do të jetë një “in memoriam” për këta njerëz.

Do të jetë kjo një iniciativë e përkohshme apo do të synohet të kthehet në një traditë?

Ditë të filmit shqiptar janë bërë edhe në të shkuarën, ndonëse rrallë. Nuk zgjodhëm formatin e një festivali me konkurrim e me çmime, sepse festivale ka mjaftueshëm e tashmë kanë ndërtuar traditën e tyre. Mendoj se edhe “Java e filmit shqiptar”, në mos vit për vit, do të ishte me interes të realizohej një herë në dy vjet për vlerën e afrimit të filmit me spektatorin shqiptar.

A ka një prodhim të bollshëm të filmit në Shqipëri sa për të përmbledhur e për të zënë vend në këto ditë të filmit?

Në fakt, ne kemi përmbledhur krijimtarinë kinematografike të këtyre dy vjetëve. Dihet që prodhimi i filmit artistik te ne është i paktë, dy-tre filma në vit mund të realizohen. Prodhimi dokumentar e vizatimor shkon po aty. Ndaj unë propozova të ketë një festë të përhershme të filmit shqiptar që mund të realizohet një herë në dy vjet.

E keni zgjidhur çështjen e sallave ku do të shfaqen?

Janë vendosur nëpër sallat e Shtëpive të Kulturës, në sallat e teatrove dhe në raste të tjera jemi munduar të gjejmë një zgjidhje alternative. Pikërisht prej këtij fakti duhet të sensibilizohen strukturat përkatëse për ngritjen e sallave të kinemave.

Sa e dëmton sot mungesa e një rrjeti kinemaje shpërndarjen e filmit artistik apo dokumentarit?

Ndikon keq, sepse filmi në fund të fundit, përveç vlerave artistike, është një prodhim dhe si çdo prodhim duhet të ketë tregun e vet. Për fat të keq ky treg mungon te ne. Mundohet ta zgjidhë pjesërisht këtë ngërç “DigitAlb”, por në përgjithësi shpërndarja e filmit thuajse nuk ekziston. Shumë filma, sidomos të viteve të fundit, janë pothuajse të panjohur për spektatorin, për dashamirësit e kinemasë. Jemi në një ekonomi tregu, ku secili mundohet të përfitojë së më shumë prej biznesit të vet, ndaj edhe ata që kanë salla kinemaje e kanë më tepër vëmendjen ndaj filmit amerikan, më pak ndaj atij europian dhe pothuajse aspak ndaj atij shqiptar. Filmin shqiptar shumë rrallë e blejnë dhe e shpërndajnë, po e njëjta gjë ndodh edhe me librin shqiptar apo me gjini të tjera të artit.

A mos ndoshta një pjesë e mungesës së vëmendjes nga ana e publikut ka të bëjë me cilësinë artistike që u ofrohet përmes këtyre realizimeve?

Kolegët e mi përpiqen të japin maksimumin e mundshëm. Do të ishte absurde të mendonim të matemi me Hollivudin, por ka filma artistikë që janë vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare. Them se brenda niveleve tona ballkanike nuk jemi keq.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›