Thesari: Nuk ka para për komunat, të presin shtatorin
Njësitë vendore, veçanërisht komunat, do të duhet të presin muajin shtator, në mënyrë që të marrin fondet nga buxheti për vijimin e projekteve. Një urdhër i Ministrisë së Financave, lëshuar këto ditë, autorizon degët e thesarit nëpër rrethe që të mos lëshojnë asnjë fond për komunat, deri në një urdhër të dytë, që parashikohet të jepet në muajin shtator. Nuk është hera e parë që ministria merr të tilla vendime, që sipas specialistëve të saj, nuk lidhet me mungesë fondesh, por thjesht me aspekt teknik dhe zbardhje prokurash.
Informacioni mbi bllokimin e fondeve e japin disa komuna, që nuk duan të identifikohen, sipas të cilave nuk kanë të drejtë të tërheqin fondet për financimin e projekteve të ndryshme, kryesisht infrastrukturore. Shkresa me firmën e ministrit të Financave ka mbërritur në degët e thesarit në fillim të muajit gusht, që nuk prek vetëm komunat.
Prej gati një viti, shoqata për Autonominë Vendore ka lëshuar deklarata të ndryshme rreth problemeve me mungesën e financimeve të projekteve nga buxheti i shtetit. Në disa raste, sidomos në muajt e parë të vitit 2010, shoqata ka shprehur shqetësimin se qeveria bllokon fondet për njësitë vendore, duke mos u lënë asnjë mundësi zgjidhje për vijimin e financimit të projekteve.
Sakaq, nga Ministria e Financave vjen informacioni se pushteti lokal nuk po tregon performancë të duhur në realizimin e investimeve.
Shpenzimet për 6-mujorin e parë të vitit 2010, në buxhetin e pushtetit vendor, janë realizuar në masën 14 miliardë lekë, shifër kjo që është 1.2 miliardë lekë më pak se plani, ose shpenzimet janë realizuar në masën 92.12 për qind të vlerës së planifikuar për t’u kryer. Shpenzimet që kryhen nga njësitë e qeverisjes vendore, mundësohen nga fondet që alokon buxheti qendror nëpërmjet grantit të pakushtëzuar, në të cilin përfshihet edhe granti konkurrues për infrastrukturën, si dhe nga fondet e grumbulluara prej të ardhurave të veta. Sipas Ministrisë së Financave, për 6-mujorin e parë të vitit 2010, njësitë e qeverisjes vendore, me të ardhurat e veta, kanë mbuluar në fakt 52.6 për qind të shpenzimeve të kryera, kurse pjesa tjetër, pra 47.4 për qind e shpenzimeve, është mbuluar nga transferta e buxhetit qendror.
#