Filmime amerikane në Gërdec

TIRANË - Punishtja e demontimit të predhave në Gërdec u filmua nga administratori i “SAC”-ut, Patrick Henry III, tri ditë para shpërthimit. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se tashmë janë administruar pamjet filmike të xhiruara rreth mesditës së datës 12 mars nga administratori i “SAC”-ut. Zbulimi është bërë nga ekspertët e ATF-së, të cilët gjatë punës së tyre për përcaktimin e shkakut të vërtetë që solli tragjedinë e Gërdecit, mësuan se ekziston një filmim i fabrikës i realizuar nga Patrick Henry. Pamjet që janë përqendruar kryesisht tek makineritë që shërbenin për procesin e demontimit të municioneve të kalibrit të vogël, u janë vënë në dispozicion edhe prokurorëve të çështjes, të cilët kanë krijuar një ide më të qartë për të gjithë proceset që realizoheshin në fabrikën e vdekjes. Burime nga prokuroria bëjnë me dije, se pamjet filmike janë dhënë nga ekspertët amerikanë që punonin në Gërdec, të cilët kanë deklaruar se ishte administratori i “SAC”-ut, ai që filmoi fabrikën. Në shpjegimet e tyre, amerikanët gjithashtu thanë se Patrick Henry filmoi makineritë që kishte sjellë në Gërdec, me qëllim përfitimin e siguracionit në vendin e tij. Sipas prokurorisë, deklaratat e amerikanëve rezultuan të vërteta, pasi nga verifikimet e realizuara nga grupi hetimor, rezultoi që administratori i “SAC”-ut kishte hyrë në Shqipëri rreth një javë para ngjarjes tragjike. Siç ka shpjeguar edhe në deklarime të ndryshme, Patrick Henry thotë se në Shqipëri ka ardhur rreth një javë para ngjarjes, për të marrë pajisjet e tij, me të cilat punonte Delijorgji, pasi vetë ai i kishte mbyllur hesapet me “Meico”-n që më datë 8 dhjetor, kur përfundoi edhe kontrata e dytë. Por vizita e Patrick Henry-t në Shqipëri dhe filmimi i makinerive që ai vetë kishte sjellë, nxit dyshimin e prokurorisë për ndonjë konflikt të mundshëm mes tij dhe Delijorgjit. Është ende në fazë verifikim se përse administratori i “SAC”-ut kërkonte të përfitonte siguracion për makineritë demontuese, në një kohë që mund t’i rimerrte sërish. Por, a u lejua Patrick Henry të rimerrte makineritë që shërbenin vetëm për demontimin e predhave të kalibrit të vogël? Këto pyetje pritet të marrin një përgjigje nga vijimësia e hetimit, ku nuk po lihen jashtë vëmendjes as deklaratat e pronarit të “SAC”-ut. Në intervista të ndryshme për mediat lokale në Karolinën e Jugut, Patrick Henry ka deklaruar se, në një farë mënyre, ndihej i mashtruar për atë që bëhej në Gërdec lidhur me llojet e municioneve që kishte kërkuar. “Një pjesë e madhe e municioneve që duhet të vinin me gëzhoja tunxhi, kanë përfunduar në municione me gëzhoja çeliku. Për këtë gjë nuk na u dha asnjë shpjegim”, - është shprehur pronari i “SAC”-ut, duke lënë të nënkuptohet kështu një mosmarrëveshje të mundshme mes tij dhe ortakut shqiptar, për të cilin thotë se nuk është çudi t’i ketë shitur një pjesë të municioneve kompanisë amerikane “AEY”.