Bamiri kthen legalizimet

Kthimi për rishikim në Kuvend, i ligjit për legalizimet nga presidenti Bamir Topi u pasua nga vlerësimi i përbashkët i Partisë Socialiste dhe i Partisë Republikane. Ndonëse për çështje të ndryshme, PS dhe PR e mirëpritën kthimin e ligjit. Sipas socialistëve ligji cenon kompetencat e pushtetit vendor, kurse sipas republikanëve, nuk respekton pronarët.
Presidenti me kthimin e ligjit të legalizimeve, doli kundër Partisë Demokratike, e cila e kishte miratuar me 52 vota të deputetëve 20 ditë më parë në Kuvend. Sikurse bëjnë me dije burimet zyrtare të Presidencës, presidenti Topi ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”. Kështu, ligji i cili u njeh tituj e pronësisë pronarëve të rinj do të kalojë në Komisionin e Ligjeve dhe në komisionet e tjera parlamentare përkatëse, që të diskutohet sërish, dhe gjatë këtyre diskutimeve do të bëhen edhe ndryshimet e kërkuara. Vendimi i djeshëm i presidentit Topi është përshëndetur nga kryetari i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi. “Ndryshimet e propozuara në këtë ligj në tërësi binin ndesh me standardet dhe konceptet kushtetuese për garantimin e së drejtës së pronës, pra të shpërblimit të pronarëve për të gjitha trojet që i shpronësoheshin, lidhur me nevojat e formalizimit të ndërtimeve të paligjshme”, tha deputeti i PR-së, ndërsa shprehu besimin se Partia Demokratike do të reflektojë ndaj vendimit të marrë dje nga presidenti Topi. Pas reagimit të republikanëve ka ardhur edhe reagimi përshëndetës i socialistëve. Deputetit socialist, Taulant Balla, e ka cilësuar vendimin për kthimin e ligjit në Kuvend si një refleksion pozitiv të presidentit ndaj kompetencave të tij kushtetuese. “Ky ligj kaloi në Parlament me një shumicë të vogël, që nuk preku as 50 për qind plus 1 të një pragu normal për një ligj të tillë kaq të rëndësishëm. Ky ligj duhet t’i nënshtrohet një procesi mjaft të gjerë konsultimesh publike, qoftë me ekspertë të fushës, por edhe me grupet e interesit për të vendosur drejtësinë në radhë të parë”, ka thënë deputeti Balla. Ligji i legalizimeve tashmë pritet t’u nënshtrohet sërish diskutimeve dhe ndryshimeve parlamentare.