E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq grabitësit e VIP-ave

I penduari gropos gjashtë të arrestuarit, të cilët akuzohen për vjedhjen e të paktën 7 automjeteve luksozë, ndër të cilët edhe ai i kreut të Dhomës së Tregtisë dhe këngëtares Ermiona Lekbello

TIRANË - Gjashtë të rinj, të akuzuar për vjedhje me dhunë të të paktën shtatë automjeteve superluksoze, së shpejti do të përballen me procesin gjyqësor në ngarkim të tyre. Prokuroria për Krime të Rënda përfundoi hetimin dhe dorëzoi dosjen në gjykatë për Edmond dhe Gentian Nezën, Bledar Hasanin, Erlind Taullajn, Bujar Sefën dhe Dritan Hamitin, të arrestuar në kuadër të operacionit “Regina”. Mbi gjashtë të pandehurit prokuroria ka ngritur akuzat e “vjedhjes me dhunë” dhe “të vjedhjes së pasurisë me pasoja të rënda”, veprime këto të kryera në kuadër të organizatës kriminale në të paktën shtatë raste. Sipas dosjes hetimore, viktima të grupit prej gjashtë personash, që kishin organizuar me detaje operacionet e vjedhjeve, kryesisht kanë qenë biznesmenë të njohur apo dhe artisë, si kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, këngëtarja Ermiona Lekbello etj. Sipas prokurorisë, banda e “Rexhinave” e ka nisur veprimtarinë e saj nga fundi i vitit 2006 me grabitjen e automjetit të një biznesmeni të njohur kryeqytetas dhe ka vazhduar deri në muajin maj të vitit 2007, kur është regjistruar dhe procedimi penal në ngarkim të tyre. Prokuroria bën me dije se nga hetimi i realizuar deri tani janë evidentuar të paktën shtatë episode, ku autorë të grabitjeve janë të pandehurit Edmond Neza, Gentian Neza dhe Bledar Hasani, të cilët më pas automjetet i transportonin drejt fshatit Xhafzotaj të Durrësit, ku merreshin nga të pandehurit Erlind Taullaj dhe Bujar Sefa, të cilët më pas realizonin edhe shitjen e automjeteve kryesisht në Vlorë e Fier, me ndihmën e Dritan Hamitit. Ndër shtatë rastet e grabitjeve të dokumentuara nga prokuroria, më flagrante janë ato të grabitjes së këngëtares Ermiona Lekbelo dhe kreut të Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj. Në ndihmë të hetimit ka ardhur edhe dëshmia e të pandehurit Erlind Taullai, i cili ka rrëfyer me detaje gjithë veprimtarinë e grupit. “Pasi është verifikuar dëshmia e tij, prokuroria vendosi t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë”, - bën me dije organi i akuzës.

Grabitja e këngëtares

“Më datë 9 nëntor, rreth orës 2.00 të mëngjesit, në rrugën “Him Kolli”, dy persona të armatosur me armë zjarri, pistoletë, vjedhin me dhunë shtetasen Ermiona Lekbello, në hyrje të pallatit të saj, teksa parkonte makinën, duke i vjedhur asaj autoveturën tip “Benz Mercedes ML”, ngjyrë gri, me targë 4 TUF 902, prodhim amerikan dhe sendet personale të saj, para, si dhe telefonin celular”, - thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Nga hetimi rezultoi se autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë Bledar Hasani, Gentian Neza dhe Bujar Sefa. “Me qëllim zhdukjen e provave, ky mjet është dërguar në qytetin e Lezhës nga i pandehuri Bujar Sefa, ku është ndërruar me një automjet tip “BMW” dhe 2500 euro, të cilat i janë dhënë të pandehurit Gentian Neza. Mjeti tip “BMW” ngjyrë jeshile i është sekuestruar Nezës në momentin e arrestimit të tij”, - thotë prokuroria.

Vjedhja e Uldedajt

“Më datë 9 mars 2007, rreth orës 00:30, në rrugën “Don Bosko”, tre persona vjedhin me dhunë autoveturën tip “Mercedes Benz ML”, me targë TR 6003 M, në pronësi të shtetasit Gjok Uldedaj. Nga hetimi i kësaj ngjarjeje është arritur të provohet se të pandehurit Edmond dhe Gentian Neza, si dhe Bledar Hasani, duke qëndruar në bulevardin kryesor, kanë parë duke lëvizur autovetura e shtetasit Gjok Uldedaj”, - thuhet në kërkesën për gjykim, ku sqarohet ndjekja që të pandehurit i kanë bërë automjetit, me qëllim grabitjen. “Pasi e kanë ndjekur në rrugën “Myslym Shyri”, kanë vazhduar ta ndjekin edhe në rrugën “Mine Peza”, dhe kur automjeti ka mbërritur në hyrjen e portës së fondacionit “Don Bosko”, të pandehurit Gentian dhe Edmond Neza nën kërcënimin e armëve kanë grabitur shoferin e mjetit, duke i marrë atij mjetin dhe sendet e tij personale”, -konkludon prokuroria, e cila nga hetimi ka nxjerrë se automjeti është çuar drejt Xhafzotajt, ku është marrë nga Bujar Sefa, për t’u shitur nga ai dhe Erlind Taullai. “Pasi morën mjetin, të pandehurit Bujar Sefa dhe Erlind Taullai vendosën ta shesin atë në vlerën e  8000 eurove me ndihmën e Dritan Hamitit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›