E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofi ekonomike apo metafizikë politike?

Në fillim të shekullit të njëzetë, një personazh mjaft i njohur për shqiptarët, Ismail Qemali, ishte i mendimit se në shekullin e ri do të dominonin ato fuqi politike që kishin në zotërim burime të shumta ekonomike (financiare) dhe jo ato që kishin potencial të madh ushtarak. Eshtë e qartë se elementë ideorë kishin ndikuar tek ai, duke pasur parasysh nivelin e tij intelektual dhe elitës të cilës i përkiste. Zhvillimet e mëvonshme treguan se mendimi i Ismail Qemalit u konkretizua më së miri dhe bota jonë bashkëkohore konsiston në po të njëjtin mendim të hedhur rreth një shekull më parë.

Eshtë e natyrshme që elitat intelektuale, përmes rëndësisë që u japin ideve e koncepteve, e që në thelb përbëjnë atë që quhet metafizikë, ndikojnë fuqishëm tek fuqitë politike dhe ekonomike (financiare), duke i orientuar ato të veprojnë konkretisht, sipas sfidës që u ofron koha e tyre. Por edhe dëshira për dominim financiar e politik lind koncepte, që u ofrohen shoqërisë me anë të filozofive të quajtura bashkëkohore, që në thelb janë thjesht orientime politike, të stisura në mënyrë metafizike.

Individi dhe nismat e para të biznesit

Shoqëria shqiptare, për vetë kushtet ku ndodhej në ish-regjimin totalitar komunist, natyrshëm u orientua drejt botës perëndimore dhe sistemit kapitalist, apo asaj që quhet ekonomi tregu. Kalimi nga një sistem shtetëror i centralizuar në atë të nismës së lirë të individit, pa dyshim kaloi dhe ende po kalon nëpërmjet vështirësive dhe gabimeve të pashmangshme për një vend të tillë pa përvojë e traditë në vetadministrimin e tij dhe raportin me pjesën tjetër të botës. Në fillim të viteve ‘90 pothuajse kishte humbur koncepti i pronës dhe nismës private dhe, e vetmja shtysë për njerëzit ishte mbijetesa ekonomike brenda mundësive që ofronte vendi apo fqinjët përreth. Një shtysë e tillë i drejtoi shqiptarët të ndërmerrnin aventura nga më të çuditshmet, si brenda vendit (me anë të bizneseve primitive, që konsistonin në ofrimin e shërbimeve), si edhe jashtë vendit, duke emigruar.

Elita intelektuale e kohës nuk mundi të ofrojë një orientim për shoqërinë shqiptare dhe strukturat politike të vendit. Kjo ishte si rrjedhim i dy elementeve: së pari përgatitja e kësaj elite, ose pjesës mbizotëruese të saj ishte e mangët, ndoshta jo për fajin e saj, e së dyti, kjo elitë i vari më shumë shpresat te politika sesa te fuqia e intelektit. Nga ana tjetër, klasa politike shqiptare pati mungesë përvoje në drejtimin e vendit, si dhe një naivitet të kuptueshëm për kohën, e si rrjedhojë gabimet ishin të pashmangshme, por ndoshta jo shumë të justifikueshme.

Fillesa e sistemit kapitalist në Shqipëri nuk ka pasur fillesë metafizike apo nuk ka qenë një orientim politik i ofruar në formë metafizike, por thjesht një mundësi për mbijetesë i një shoqërie që tashmë kishte falimentuar ekonomikisht. Në një kohë të shkurtër, falë vitalitetit të individëve dhe mundësive të reja të krijuara, filloi të merrte formë dhe sistemi i ri ekonomik në Shqipëri. Në të shumtën e rasteve, kjo nismë u ndërmor nga individë me një formim jo fort të përshtatshëm kulturor, por në ato kushte ishte e domosdoshme që dikush duhej t‘i përgjigjej sfidës së kohës. Bizneset e para, megjithëse ishin organizime primitive ekonomike, patën meritën se nisën një rrugë të pashkelur për disa breza dhe në një zbrazëti orientuese, si konceptuale, politike a ekonomike, ia dolën t‘i ofronin këtij vendi punësim dhe një mjedis konkurrence ekonomike.

Mungesa totale e investimeve nga jashtë, e bankave dhe institucioneve të tjera financiare, aq të domosdoshme për ekonomike e tregut dhe nismën private, si dhe mungesa e një kulture pune në një vend të mësuar me punë pa rendiment, ishin faktorë mjaft regresivë për atë kohë. Përsa i përket pjesëmarrjes së tyre në politikë, për t‘i hapur rrugën vendimarrjes publike sipas kontributit që ofronin, ky element nuk gjeti shprehjen e duhur në atë kohë. Pas pothuajse 20 vitesh kemi një tablo krejt ndryshe nga fillesa e ekonomisë së tregut në Shqipëri.

Vizioni ekonomik i një shoqërie

Në çdo shoqëri të zhvilluar, elementët intelektualë, financiarë dhe politikë duhet të harmonizohen në atë mënyrë që raporti i tyre të rezultojë në mirëqenien dhe zhvillimin e gjithanshëm të asaj shoqërie. Elitat e fushave përkatëse duhet të njohin dhe bashkëveprojnë dhe jo të ndjekin një rrugë përjashtuese me njëra- tjetrën. Nëse ky konflikt nuk zgjidhet në një mënyrë të tillë që i shërben shoqërisë, atëherë kjo shoqëri do të jetë e mangët dhe e keqadministruar në tërësinë e saj. Kur elitat bashkëveprojnë, duke njohur dhe vlerësuar rëndësinë e njëra-tjetrës, atëherë lind nevoja e një vizioni të përbashkët. Është provuar historikisht se kur elitat i ofrojnë një shoqërie një vizion për të ardhmen dhe planin që do të ndiqet për të arritur te ky synim, atëherë kjo shoqëri jo vetëm ka përparuar, por ka qenë mbizotëruese mbi shoqëritë e tjera, të cilat nuk e kanë pasur këtë fat.

Nëse ky vend nuk ka një synim konkret se në ç‘formë do të hyjë në Bashkimin Evropian, pra një vizion, atëherë mbetet që ndërkombëtarët t‘i japin këtij vendi një vizion të tyrin, sipas interesave që kanë. Pa dyshim që vizioni i krijuar nga elita do të jetë në përputhje me interesat e grupimit të kombeve ku synojmë të bëjmë pjesë, por nga ana tjetër, pasja e një vizioni do t‘i orientojë shqiptarët të kërkojnë më shumë nga Evropa sesa janë në gjendje të perceptojnë për momentin.

Hyrja në Bashkimin Evropian nuk duhet të jetë kurrsesi një synim kombëtar për shqiptarët, por një rrjedhë e natyrshme e vizionit të tyre për zhvillimin e vendit, bazuar në një plan dhe përpjekje konkrete, si dhe i ofrimit të vlerave kombëtare të tyre. Me fjalë të tjera, zhvillimi i vendit duhet të bazohet më së pari në fillesën e saj të parë konceptuale, pra në metafizikën e zhvillimit, që vjen si rezultat i përfshirjes së elitës intelektuale të vendit në kapacitetin e saj të plotë. Kjo përfshirje, ky brendësim i metafizikës së zhvillimit çon në zhvillim ekonomik dhe zhvillimi ekonomik çon drejt pjesëmarrjes politike. Ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë jo thjesht për mbijetesë ekonomike, por për pjesëmarrje politike jo vetëm brenda vendit, por dhe në shoqërinë e kombeve, pra të kthehen në një faktor politik, të paktën rajonal.

Idealizmi është i nevojshëm për kohën tonë, pasi edhe ëndrra për ta bërë Shqipërinë si Evropa në fillim viteve ‘90 u zvenit shumë shpejt, për shkak të ndeshjes me një realitet jo fort inkurajues, si dhe nxori në pah domosdoshmërinë e një pune kolosale që shqiptarët duhet të kryenin për ta realizuar ëndrrën e tyre për një jetë të dinjitetshme. Gjithsesi, mbetet për t‘u parë se si shqiptarët do të arrijne të përballen me këto sfida, si do t‘i zgjidhin, e më në fund, si do t‘i administrojnë arritjet e tyre. Le të shpresojmë e të përpiqemi që kjo shoqëri t‘i kalojë me sukses fazat e zhvillimit të saj aq fort të dëshirueshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›