E Shtunë, 31 Tetor 2026

TRENDAFILAT E FLAKERUAR TE MURGESHAVE TE MBYLLURA

Nuk është e lehtë të flasësh për murgeshat e mbyllura të kohëve tona, madje, të asnjë kohe dhe aq më pak është e lehtë të përpiqesh të shpjegosh se përse shërbejnë ato sot dhe ç‘është ajo forcë apo thirror hyjnor që i mban të ngujuara në një botë, larg botës që njohim; ndoshta përjetimet për këtë temë vlejnë ca më shumë se shpjegimet e hollësishme apo tekstet erudite: në hotelin "Shtrigat e Becker-it" në Tarazona të Spanjës, një verë të fillimviteve ‘90, salla e darkës dasmore qe e stërmadhe, e ndriçuar nga llambadarë me forma fort të ndërlikuara dhe që mbanin me qindra "lot" kristali mbi shpinë; porse sa hyje brenda, kuqëlimi i thekshëm i dhjetëra trëndafilave të zjarrtë mbi një shtrat prej shkume të bardhë farfuritëse, vezullonte më tepër se llambadarët dhe të merrte sytë.

Qe vërtet e vështirë të besoje se qenë trëndafila torte, sepse pasioni i madh që rrëzëllenin, qe pasion i gjallë dhe ngjante sikur mend të "përvëlonte" vështrimin, e veç kësaj, ajri brenda sallës kundërmonte vërtet aromë petalesh trëndafili në pranverë… Mora vesh se torta e jashtëzakonshme e dasmës qe përgatitur nga karmelitanet e Santa Ana-s, murgeshat e mbyllura, që kishin punuar shtatë ditë e shtatë net për ta përgatitur atë mrekulli pastiçerie. Asokohe nuk kisha dëgjuar një fjalë për murgeshat e mbyllura, nuk dija asfare ta bëja dallimin me murgeshat e tjera të jetës së lirë që jepnin mësime nëpër kolegje dhe veç kësaj, nuk dija as se përse mund të shërbenin ato në këtë botën e sotme, ku gjithçka duket të jetë racionale. I kisha në fakt shumë pranë, por njëlloj sikur të ishin në një tjetër planet, misteri qe i plotë: Kuvendi i tyre ndodhej në rrugën Borja, në të njëjtën rrugë ku gjendej edhe Shtëpia e Përkthimit ku po jetoja ato kohë; përtej murit të trashë e të shumëlartë rrethues i Kuvendit, syri të zinte vetëm maja qiparisash…

Mësova se Kuvendi i Karmelitaneve këmbëzbathura të Shën Ana-s (kështu quhej Urdhri i tyre) në Tarazona qe themeluar me nismën dhe nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Shën Teresa de Avila-s, nga kryepeshkopi i qytetit, frati Diego de Yepes (1599-1613). Punimet patën nisur më 1601, që i përgjigjen në të tërën, frymës baroke të shekullit XVII, me përjashtim të fasadës së kishës, e cila qe ribërë në shekullin XVIII. Kuvendi trashëgoi një donacion shumë të pasur në argjendari dhe piktura. M‘u desh kohë që të arrija të kuptoja se ç‘ishin në të vërtetë murgeshat e mbyllura, cila qe thirrja e tyre hyjnore, çfarë emri kishte pasioni i pafund që mbanin në zemër dhe roli që luanin në jetën e komunitetit të krishterë, edhe në ditët e sotme, - Jose Luis Sofin-i, miku im prift dhe lektor në Seminarin e qytetit, dhe më pas takimi im i jashtëzakonshëm me Jacinta-n, kryemurgeshën e Kuvendit, më ndihmuan të kuptoja diçka.

Do përpiqem të shpjegoj sa më thjeshtë thelbin e asaj që mësova për to, ndonëse shpjegimi i thjeshtë nuk e shmang dot prekjen, qoftë edhe fshikurazi, të konceptit teologjik, dhe as përdorimin, ndonëse fort të kufizuar, të fjalorit po teologjik, por duke qenë e vetëdijshme se shumë gjëra, madje, aspak dytësore, i shpëtuan aftësisë sime për të kuptuar: vokacioni dhe misioni i murgeshave të mbyllura konsiderohet si një "shenjë e bashkimit ekskluziv të Kishës-Nuse me Zotin e saj, thellësisht të dashur". Murgesha e mbyllur, e ndarë krejtësisht nga bota e jashtme, në intimitetin e qenies së saj, duke pastruar zemrën dhe mendjen nëpërmjet një rruge serioze lutjeje, vetëmohimi, jete vëllazërore, duke dëgjuar Fjalën e Zotit dhe duke ushtruar virtytet teologale, thirret të bashkëbisedojë me Bashkëshortin e perëndishëm, duke medituar Ligjin e tij ditë dhe natë, në mënyrë që të presë blatën e Diturisë dhe Fjalës dhe, nën impulsin e Shpirtit të Shenjtë, të njehsohet me Të.

Ky bashkimi i jetës kundrore (kontemplative) me lutjen ndaj Jezuit në një vend të vetmuar, rrëfen një mënyrë të veçantë pjesëmarrjeje në marrëdhënien e Krishtit me Atin. Shpirti i Shenjtë, që e shpuri Jezuin në shkretëtirë, e fton murgeshën të bashkëndajë vetminë e Jezu Krishtit, i cili nëpërmjet "Shpirtit të përjetshëm" iu dha Atit. Blatës së Krishtit-Bashkëshort, që në Kryq ofroi gjithë trupin e tij, murgesha i përgjigjet në të njëjtën mënyrë, me blatën e "trupit", duke iu ofruar, nëpërmjet Jezu Krishtit, Atit dhe duke bashkëpunuar në veprën e Shëlbimit. Jeta murgërore femërore ka, pra, një dhunti të veçantë për të shpalosur të plotë karakterin bashkëshortor të marrëdhënies së Kishës me Krishtin, si edhe për të qenë shenjë e gjallë e saj e kësaj marrëdhënieje: A nuk ndodh te një grua, Virgjëresha Mari, përmbushja e misterit të Kishës?

Me shpirtin të lirë dhe mikpritës, "në rropullitë e Krishtit", murgeshat mbajnë në zemër vuajtjet dhe ankthin e atyre që vijnë për ndihmë te to dhe të gjithë burrave dhe grave në përgjithësi. Ato bashkëpunojnë shpirtërisht në ndërtimin e Mbretërisë së Krishtit në mënyrë që "Zoti të jetë gjithçka në çdo gjë". Vlerësimi me të cilin komuniteti i krishterë përherë ka rrethuar murgeshat e mbyllura, është rritur paralelisht me zbulimin e natyrës kundrore të Kishës dhe të ftesës ndaj secilit në takimin e mistershëm me Zotin në lutje. Murgeshat, në fakt, duke jetuar vazhdimisht "të fshehura me Krishtin te Zoti" arrijnë të përmbushin thirrjen e jetës kundrore të të gjithë popullit të krishterë, duke u kthyer kështu në dëshminë e Mbretërisë së Zotit, "lavdi e Kishës dhe burim i mëshirës qiellore". Murgesha e mbyllur, thuhet, është si pompa që shpërndan gjakun në tërë trupin njerëzor.

"Ato gra bëjnë atë që ne nuk e bëjmë dot, por që e kemi fort të nevojshme: luten edhe për ne", më kish thënë miku im, prifti. Por kishte edhe nga ata që nëpërgojnin se ato kishin zgjedhur udhën më të lehtë të jetës. Gjithsesi, kuturisja ime për të takuar Nënëmotrën Jacinta-n, veç njohjes, synonte të zbulonte një shpjegim të vërtetë për frymëzimin e pasionit të tyre të hatashëm, që e kisha parë të derdhur me bujari te ngjizja e trëndafilave të kuq të tortës martesore, apo te plot delikatesa të tjera ëmbëlane me emra të çartur që kisha mundur të shijoja ato kohë dhe që përbënin "vepra arti": Psherëtima murgeshe, mafishe shenjtorësh, Flokë engjëlli, Eshtra shenjti, Veshë frati, djathëra të vegjël Beleni, Të puthura Zoti, Lot të Maries, Pasta të Shën Diegos, Kafshata murgeshe…

Brendësia e lashtë e Kuvendit ruante me fanatizëm të rrallë "kujtesën ////////dhe një bibliografie shijesh" të papërsëritshme që mishërohej në receta të fshehta magjike. Madje mësova se porosia e ëmbëlsirave artizanale (që gatiteshin nga duart e murgeshave dhe sobat me dru a gaz) që kryhej nga porositësit në hajatin e Kuvendit, bëhej sipas një riti tradicional e të vjetër, me rregulla të pashkruara, por të rrepta. E kotë ta lodh lexuesin me peripecitë që kalova për t‘u gjendur në rrëfyestoren e Kuvendit, në gjysmerrësirë, pasi kisha kaluar, sipas të gjitha rregullave manastirore, portën e jashtme vigane të mbathur me pafta hekuri, e cila, përtej mureve të lartë, të nxirrte në një oborr të vogël me lehe lulesh nëpër qoshe, nga ato që rriten vetëm nëpër manastire dhe se njeriu i parë që më pat zënë syri e që më pat shoqëruar në rrëfyestore, ishte kopshtari dhe rojtari bashkë i manastirit, një plak i kërbunjur, i vjetër si një karkanxholl librash për fëmijë…

Dëshiroj vetëm të tregoj se kur nga dritareza me vrima të rrumbullta e rrëfyestores vërshoi drita dhe një zë i qetë gruaje më uroi "mirëditën" e më pyeti se kush isha, e pata humbur shpresën se do të më priste kush dhe, ndonëse kisha përgatitur disa forma prezantimi, arrita të thosha vetëm "jam shqiptare" si për t‘u mbrojtur nga padija ime për shumë gjëra që lidheshin me besimin; qe magjike, pasi në çast u dëgjua një zë i entuziazmuar gruaje: "Shqiptare si Nënë Tereza!" Ishte kryemurgesha, motër Jacinta, e cila paskëtaj më priti në një audiencë të veçantë nga ato që fort rrallë i takonte të kishte. Nuk pata nevojë as të shtiresha dhe as t‘i rrëfeja gjë për vendin tim dhe për ç‘kish ndodhur me fenë, - i dinte të gjitha; nuk më mëshiroi dhe as më trajtoi me çudi, thjesht më pyeti se çfarë doja të dija në të vërtetë. "Fillesa" i thashë, "cila qe fillesa? Dashuri e penguar, dashuri e dështuar?".

Rrëfimi i saj qe drithërues: pat qenë së bashku me të motrën binjake, pesëmbëdhjetëvjeçare në një Panair, kur të dyjave, në të njëjtin çast iu pat mbushur zemrën frymëzimi për t‘iu përkushtuar gjer në vetëmohim Zotit, për t‘u bërë nuset e Krishtit, - të dyja binjaket kishin 30 vjet që jetonin të mbyllura në Manastir. Porse përpara se të merrnin vendimin e përgjithmontë, u duhej besimi e kjo u mori rreth pesë vjet nga jeta, - pesë vjet pritje për të besuar, pritje për t‘u bindur dhe për të bërë "betimin". Fjala e fundit më futi ngjethmat, sepse m‘u duk e pakthyeshme; por jo, "betimi" mund të thyhej në çdo kohë, nëse dëshironin të ktheheshin në jetën e të gjithëve… Në një çast të rrëfimit të saj, kur qesh kthyer dhe po shijoja sërish ato gjendjet e mrekullueshme të adoleshencës kur ëndërronim të linim jetën e tokës për qiellin, të braktisnim mërshoren për shpirtëroren, kërkova të dija se si prodhohej te to tërë ai pasion, si asnjë tjetër në botë, i ngjashëm ndoshta vetëm me pasionin e letërsisë (nuk është e rëndësishme të jetosh, e rëndësishme është të lexosh e të merresh me letërsi, thoshte i madhi Borges) e më pas si i rezistonte mbylljes, a pikërisht mbyllja e ushqente…

Fytyra e kryemurgeshës 50-vjeçare, që ngjante si e një njëzetë e ca vjeçareje, u përndrit: "Është pasioni për Atë, jetojmë brenda Tij tek Ati!" Jeta e saj dhe e murgeshave të tjera të mbyllura ngjante si një qark i hatashëm: lutje, qëndisma, përgatitje ëmbëlsirash magjike dhe lutje, lutje, lutje dhe pritje për t‘u takuar me Bashkëshortin hyjnor në jetën tjetër... Dukej sikur bota e madhe i kish harruar, ndërsa ato, përkundrazi, e ndërtonin përjetësinë e tyre duke u lutur dhe sakrifikuar për atë botë, dhe duke ushqyer me jetën e tyre të qashtërt pasionin e tyre të paprehje. Nga ai takim më mbeti një shami e hollë dhe e bardhë batisti që, ndonëse e qëndisur me lulka të qeta e të kaltra filigrani, më dogji dorën prej intensitetit të ndjenjës të derdhur në qëndismë… U mbusha me një botë të tërë për të cilën as që dija më parë se ekzistonte, u përpoqa t‘i kuptoja dhe i admirova pa fund murgeshat e mbyllura, por edhe pata frikë, pasi ndjeva se qielli aty ishte shumë afër dhe vdekja pritej me bujari. Nuk u ktheva më në Manastirin e Karmelitaneve të mbyllura këmbëzbathura, madje as për të lexuar poezitë që shkruante motër Jacinta, me fytyrë prej hëne të plotë, që i qe dorëzuar Pasionit dhe rinisë së përjetshme…



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›