E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofia përtej asgjësë dhe nënshtrimi


“I madhi” , “mbrojtja e titullit” dhe mënyra aspak elegante e të nxjerrurit kunj me ata që e besuan dhe votuan verbërisht


U bë

; shumë kohë që zhurma e “ngjarjes” së madhe në jetën e PS, mori përmasa të mëdha e përfshiu për hir të së vërtetës, hapësira jo të vogla të të përditshmes sonë. Një rol të madh në ekzaltimin e kësaj veshngritje ndikuan edhe dy emra jo të rinj në forumet e PS, por të rinj në listën e konkurrentëve dhe të mendimit kundër. Dy figurat, Ben Blushi e Ben Malaj, ose 2B-të, rritën dukshëm audiencën dhe interesin e atyre çka flitej e përflitej në PS dhe jashtë saj. Plot një muaj e kusur, pothuajse përditë, në mediat e shkruara e vizive bëheshin publike mendimet e këtyre dy “luanëve” që do bënin kundërshtarin e Kryetarit. U ftuan dhe u pyetën shumë herë drejtë për drejtë apo në mënyrë tinëzare. Provuan gjithfarë situatash. Nuk është e kollajshme të kundërshtosh “të madhin”, me sa duket. Gjithsesi audienca rriti interesin për gjithçka thuhej nga këto dy konkurrentë jo formal dhe priteshin me kërshëri reagimet e “të madhit”. Gjithë ky interes kishte një bazë reale, nëse jemi të vëmendshëm e kujtojmë atë që “i madhi” kishte deklaruar në ditën e parë të marrjes së timonit të PS, dorëheqjen e parevokueshme në rast humbje të zgjedhjeve.


Fjala e dhënë dhe fjala e ngrënë/Ne të gjithë, deri vonë, besonim se i përkisnim asaj race njerëzish besnikë e të ndershëm që “kur e japim fjalën, therim djalën”. Është pak e rëndë kjo fjalë e vjetër, por me siguri, ashpërsinë e saj e kanë prodhuar rrethanat e atij që e formuloi për herë të parë. Si gjithmonë, kur diçka fiton qytetarinë, edhe kjo thënie ka ardhur e pa dëmtuar në kohë, e ajo që nuk ka arritur dot deri në ditët e sotme e paprekur, është ajo çka merrte përsipër të vërtetonte kjo thënie. Kjo është po aq e vërtetë sa në pak sekonda ne mund ta ilustrojmë me Ligjet që ekzistojnë në Shqipëri dhe ku zbatimi i tyre është shumë larg.


Pra, në qëndrimin e “të madhit” të PS pas humbjes së zgjedhjeve, ne kemi vërtetimin e përkryer, për fat të keq, se sa larg filozofisë së “të Madhit”  është kjo thënie e vjetër. Përmasat e së keqes rriten kur i shtojmë pjesën më të hidhur, se personi apo Lideri, në se mund të akuzohet si i tillë, që e propozoi dhe e sanksionoi në Stautin e PS këtë pikë, është pikërisht i ai që është “i madhi” i PS sot. Këtu mbaron logjika, i qahet halli PS për sa kohë do ketë në kurriz të tillë Lider që fjalën sapo e thonë e hanë. Në këtë kuptim, u krijua një situatë se gjërat do shkojnë për mbarë kur 2B guxuan dhe bënë publik qëndrimin e tyre kundër, kur pranuan humbjen e zgjedhjeve. Në të vërtetë ajo që duhet të merret seriozisht e me kujdes është: Kleçka e humbjes.


Të gjithë e besojmë dhe nuk do çuditeshim aspak nëse “I madhi” do thoshte fjalën magjike humbëm. Ai sigurisht e njeh humbjen, saktësisht e di këtë, por kleçka është se faqe partisë e elektoratit, assesi nuk duhet thënë e përmendur fjala humbje. Përmendja e saj, edhe në mënyrë të pavullnetshme e të pakujdesshme, i hap rrugë të menjëhershme dorëheqjes. Dorëheqja nuk duhet të ndodh për arsyen e thjeshtë se “I madhi” për dreq nuk u bë plotësisht i madh, ngeli në klasë. Ai as që e çan kokën për dështimin, për humbjen e zgjedhjeve e ku di unë çfarë të tjera, problemi është të mos humb në asnjë mënyrë kolltukun e të “Madhit” të PS. Ai e dha hapur shembullin. Nuk dorëzoj kolltukun e “të  Madhit” të Bashkisë,  e ditën për diell, bindi një pjesë të mirë që të mbështesnin atë në një milion makinacionet për të mos humbur asgjë, për të dalë i pa lagur në këto zgjedhje.  Korri i mbështetësve të fitores së paqenë është pazgjidhshmërisht i prangosur interesash, ka jo vetëm gojën të mbyllur por dhe “vullnetin e mirë” për ta bërë këtë pa as më të voglin siklet. Por llogaritë u bënë keq. Zgjedhjet u  humbën. Ai i parashikoi për t`i fituar, në të kundërt do i kishte lëpirë prapanicën Metës pa as më të voglin shqetësim, vetëm e vetëm të mos humbiste kolltukun e “të madhit” të PS .


Duhet bërë kujdes në gjetjen e zgjidhjes në gjendjen e krijuar e duhen përdorur:


Dy kutet për të matur e vlerësuar gjërat/Propozimi dhe shndërrimi i dorëheqjes në nen të statutit të PS, nuk i ka dhënë kohën e mjaftueshme “të madhit” të llogaris koston e rastit fatkeq të humbjes së zgjedhjeve, por me një të rënë të lapsit ai e ka zgjidhur këtë - “të shohim në kohën e duhur e në vendin e duhur”. Në atë kohë ai nuk e kishte njohjen e nevojshme të PS, elektoratit të saj, por si djalë me intuitë dhe me eksperiencën e të parëve, kishte ndjeshmërinë se gjërat do rregulloheshin vetëm e si pasojë e të qenit “dele” të të gjithë elektoratit që ai kish njohur. Normalisht për asnjë moment nuk e mendonte humbjen, këtë e vërtetonte shpejtësia dhe siguria e tij e ngjitjes në pushtet. Për katër vjet me radhë i ra kryq e tërthor atdheut socialist duke ndërtuar e çimentuar filozofinë e tij të re: “Përtej asgjësë”. Realisht kjo krijoi hutim e pështjellim tek të gjithë në fillim, si çdo gjë e re dhe e vështirë për t`u pranuar. Pati dhe reagime kundra, por gjithmonë në formë pyetjesh të kujdesshme e pa irrituar “të madhin”. Gjithë ky turr marramendës i gjatë, katër vjet  pa përtuar, subjekt i mrekullueshëm për t`u shkruar, por që fatkeqësisht na e ka djegur Servantesi shekuj më parë, kristalizoi në trurin e “të marrit” (vetëm në këtë rast lexojeni, ju lutem, i marri!) besimin e patundur jo thjeshtë të fitores së zgjedhjeve por të fitores së tij në mënyrë të padiskutueshme. Kryesorja është të aftësohesh e të bësh një fytyrë të përvuajtur kur flet për hallet e popullit, të bësh Perëndinë për të, ta hutosh në fjalë e premtime aq sa ai të mos jetë i zoti të mbaj mend asgjë, konkluzion ky në fund të turrit të suksesshëm. Tjetër gjë të konsumojë populli, e sigurisht, krejt tjetër unë. Kemi Liderin dhe popullin, “të madhin” dhe turmën, ose vegjëlinë. Politikë e qëndrim i formalizuar tashmë, përjashtues i çdo alternative, çdo zëri kundër. E ç`rëndësi ka në i quan kute, standarde, anë apo gjëra? Duhet bindje e plotë e bazës, është i nevojshëm:


Vullnetarizmi/Nuk kemi pse flasim për kohën e lindjes të këtij koncepti, ai është i pranishëm në shoqërinë njerëzore që me lindjen e njerëzimit. Të kujtojmë ngjyrimin që mori ky koncept në periudhën e diktaturës, përqafimin si formim tërësor dhe ndikim i pashmangshëm në të gjithë produktivitetin e një pjese të “të mëdhenjve “, për të mos i kujtuar vrasjet e ditëve të fundjavës e çjerrjen e tyre nëpër arra të mbjella me misër e sojë. Drithërohemi kur shohim vullnetarizmin në heqjen dorë nga morali i “të madhit”, në pothuaj të gjithë aktivitetin e tij. Ftesat e tij për këtë e atë që duhet bërë pa shpërblim, në mënyrë vullnetare, se kushdo qoftë ai në krye të Partisë duhet të heq dorë, të dorë hiqet,  nën zë: - sigurisht jo unë, për të krijuar ato e këto kushte që na ofrojnë me organizmat më të përparuara të këtij apo të atij vendi, e më the e të thashë. “Sigurisht jo unë, misioni im ende nuk ka mbaruar, edhe anëtarët e thjeshtë, votuesit e simpatizantët e partisë janë dakord që unë të mos e lëshoj kolltukun”. Vullnetarizmi i të tjerëve për të pranuar broçkullat e “të madhit”, vendosmëria e tij për të mos e pranuar vullnetarizmin kur është në kundërshtim me interesat e ngushta të tij, është një kusht për zgjatjen e kohës së ngrohjes së kolltukut nga “i madhi”. Për zërat kundër as që i kërcet. Ai  është i rëndësishëm e kryesisht varet nga kualiteti i këtyre zërave. Në kokën e tij kushedi prej sa kohësh tirret pyetja:


Kur 2B-të nuk e besojnë “të madhin”, po të tjerët?/Njerëz të investuar seriozisht e me kontribute në radhët e forumet e partisë, 2B-të, përbëjnë një shqetësim real por jo të pakapërcyeshëm. E para që të vjen në mendje është se të gjithë jemi pothuajse produkt i nënshtrimit, bindjes në emër të idealit, lexo të frikës së përjashtimit. Në heshtje të gjithë janë të qartë, të saktë e të vetëdijshëm për çka ndodhur realisht, terezia prishet kur fillojnë e bëjnë llogari. Situata komplikohet dhe i ve në rresht, nevoja e atij që nuk ka asgjë, për të pasur një gjë, e tjetrit që një gjë e ka, për të pasur diçka më shumë, e fundit shtresë ajo që ka, e ka shumë, bën të pamundurën të ketë gjithmonë e më shumë, e të mos lëshojë pozitat komanduese se ndërkohë të tjerë po e shtojnë pasurinë në mënyrë të shpejtë e të paimagjinueshme duke u bërë kandidatë potencial për t`ju zënë vendin. E rëndësishmja është, në të gjitha rastet, ti kemi mirë punët me atë, me “të madhin”. Besimi ka vdekur e nuk ka nevojë për dy e tre B, gjithkush e di këtë dhe skemën se si do shkojnë punët, normalisht, e dinë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›