Komenti/Koha për politikë kombëtare e jo partiake
Që kur nga BE-ja vijnë përpjekjet për relativizime plus të kushtetutshmërisë së Kosovës, ne hetojmë ngjarje dhe situata negative që neve si “kosovarë” na paraqesin si të korruptuar dhe si fajtorë absolutë për situatën e rëndë në Kosovë. Pra faji qenka yni!!! Madje opozita thotë se është i pozitës, dhe anasjelltas, duke ia bërë qejfin kështu zanierëve dhe kermabove. Këtë situatë, tashmë po dihet, e ka konstruktuar politika destruktive e UNMIK-ut. Kjo nuk do të thotë se fenomenet deformuese në shoqëri nuk duhet t’i kujdestarojmë dhe të përpiqemi që të jemi influentë për të imponuar korrektimin e tyre. Por nëse kritika shoqërore (kështu po e quajmë për këtë rast shfrimin medial të disa proveniencave politike opozitare ose organizatave të ndryshme) bazohet në lloj të protestave ose të formave të ndryshme që krizën aktuale e fusin edhe në tunelin e trazirave, vëmendja e politikës ose politikave ndaj bashkësisë ndërkombëtare, do të bie në periferinë e problemeve, ato të cilat fundja kërkojnë pikërisht stabilitetin politik si instrument për t’u zgjidhur. A kemi ne sot asi komoditeti të situatës politike që me metodat e shantazhim
eve dhe detyrimeve të bëjmë që problemet e mëdha t’i zgjidhim me imponim dhe qëndrim revolucionar? Besojmë se jo, assesi jo! Por a duhet pra një konsensus për të marrë qëndrimin metodën si të insistojmë (po jo të shantazhojmë) zgjidhjen e problemeve që vërtetë janë reale? Jo se, pikërisht për çështje kombëtare, ne ende veprojmë si ndaj çështjeve politike, që do të thoshim, opozita në Kosovë sikur nuk do të kuptojë se kur është fjalë për çështje kombëtare, përjashtohet pikëpamja dhe qëndrimi partiak dhe të gjithë duhej të bëheshin bashkë. Përkundrazi, nuk është vështirë të hetohet, se mënyrën e shantazhimit si instrument për të zgjidhur probleme aty për aty dhe në mënyrë revolucionare, e imponojnë strukturat e ndryshme brenda komplet klasës politike, duke kujtuar se kështu e dobësojnë dhe e denigrojnë pushtetin aktual. Dobësimi i pushtetit mbase i bën mirë opozitës në ndonjë kohë stabile, por pikërisht sot nuk i bën mirë çështjes së marrëdhënieve të Kosovës me disa fuqi të jashtme tashmë evidente që po e shkelin Kushtetutën në Kosovë dhe që po synojnë edhe rrënimin e saj, “revidimin” e saj për ta bërë të favorshme aq sa do t’u pëlqente edhe serbëve të Beogradit. Por më i tmerrshëm duket prononcimi i opozitës që konstaton se pushteti nuk po ia del ta mbrojë shkeljen e Kushtetutës, kur dihet fortë mirë cilat fuqi relevante e bëjnë këtë. Prej pushtetit mund të kërkojmë që ai të jetë më i zëshëm kundër sfiduesve të pavarësisë së Kosovës, por më shumë se pushteti, ky është obligim i opozitës, së paku gjithkund në botën e civilizuar. Kosova po sfidohet nga të huajt, dhe kjo do të mjaftonte që të mos i ngarkojmë vetes konflikte të brendshme, qoftë madje të seleksionimeve negative, e lere më të shantazheve dhe të imponimit të kushteve pa alternativë. Do të jetë interes i të tjerëve që na sollën deri këtu, gjithsesi edhe me fajin tonë, që ne të vazhdojmë të merremi me vetveten dhe t’i lëmë të qetë të punojnë kundër Kosovës ata që tashmë e kanë shfaqur diellandritë qëllimin dhe që nuk po e fshehin as metodën e vjetër të krijimit të situatës konfliktuoze, që po bëjnë çmos të mbahet gjallë kriza, dhe që duke na përçarë, të na sundojnë, të prodhojnë jostabilitet, nga i cili mund të dalim vetëm së bashku! Ata që e kanë planifikuar dhjetë vjet këtë krizë, këtë e kanë bërë për ta përdorur në çastin e duhur për ta, kur kujtojnë se do t’u konvenojë për të reviduar qëndrime që janë arritur në marrëveshje me atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, atë pjesë që vërtetë është përpjekur ta ndihmojë Kosovën. Nëse ne nuk merremi me punët tona, aleatët e sinqertë të Kosovës, lehtë mund të heqin dorë të na ndihmojnë!
...