E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë nacionale si institut demokratik


Duke llogaritur njeriun për njeri, pakica do të jetë e përfaqësuar plotësisht aq sa edhe shumica. Nëse jo, nuk ka sundim me të drejta të barabarta, por sundim i pabarazisë dhe favoreve në të cilin një pjesë e njerëzve sundon mbi të tjerët, kurse pjesës tjetër i është marrë pjesa e merituar dhe e barabartë e ndikimit në organin përfaqësues, që është në kundërshtim me çdo sundim të drejtë, e mbi të gjitha kundër parimit të demokracisë, që predikon barazinë si rrënjë dhe themel të vetin” (Mill, 1989, f. 76)


Participimi politik i pakicave kombëtare është objekt rregullimi edhe në Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e pakicave kombëtare (1985). Në nenin 15 të kësaj konvente është përcaktuar detyrimi i shteteve nënshkruese që “të krijojnë kushte të nevojshme për bashkëveprimin efektiv të pjesëtarëve të pakicave kombëtare në jetën kulturore, shoqërore dhe ekonomike, pastaj në punët publike, sidomos në ato që drejtpërsëdrejti u përkasin atyre”. Kjo padyshim është përcaktim i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare. Ekzistojnë disa koncepte, modele dhe mekanizma të ndikimit dhe të pjesëmarrjes së pakicave komb

ëtare në pushtetin qendror në vendet e veçanta, siç janë: zgjedhjet dhe sistemet elektorale, sigurimi i përfaqësimit të posaçëm të pakicave, autonomitë dhe forumet konsultative.


Sistemet elektorale përpjesëtimore mundësojnë një shkallë më të lartë të përfaqësimit të interesave të ndryshme në parlament, prandaj sistemet e këtilla mund të ofrojnë përfaqësimin parlamentar të partive të vogla të pakicave kombëtare. Europa është bërë shembull pozitiv në të cilin janë formësuar zgjidhje të ndryshme politiko-kushtetuese. Kjo sidomos ka qenë e vlefshme për vendet në tranzicion të Europës së Mesme dhe asaj Juglindore në të cilat janë aplikuar modele të ndryshme të përfaqësimit të pakicave kombëtare në parlament: nga përfaqësimi i vetëm disa pakicave “autoktone” deri te përfshirja e të gjitha pakicave, nga sistemi i përfaqësimit të posaçëm të pakicave me njësi zgjedhore të veçanta deri te zgjidhja e përfaqësimit të pakicave në kuadër të sistemit të përgjithshëm elektoral (zgjedhjet përpjesëtimore me listat e partive) etj.


Llojllojshmëria e këtillë e zgjidhjeve hap çështjen e pikënisjes dhe të kritereve në formësinin e modeleve të pëfaqësimit politik të pakicave kombëtare. Kjo gjithësesi nënkupton respektimin e standardeve universale, por edhe përcaktimin për ato zgjidhje të cilat do ta reflektojnë në mënyrë më të plotë gjendjen, karakteristikat dhe nevojat e mjedisit në të cilin do të zbatohen ato. Arritja e këtyre zgjidhjeve medoemos duhet të jetë demokratike. Marrja demokratike e vendimeve nënkupton pushtetin e shumicës, mirëpo pushteti i të ashtuquajturës shumicë të kufizuar e cila respekton të drejtat e barabarta të të tjerëve dhe e cila është obliguar për një veprim të tillë gjatë ushtrimit të punëve publike. Të drejtat e caktuara të pakicave duhet të jenë të garantuara me rendin juridik në fuqi dhe lidhur me to nuk mund të vendoset sipas parimit të shumicës. Vendimet lidhur me këtë duhet të merren medoemos me pëlqimin e pakicës, për të drejtën, nevojën dhe interesin e së cilës vendoset (prof. dr. Negjo Miliqeviq).


Njohuritë nga shkenca politike bashkëkohore tregojnë se në shoqëritë multietnike është i domosdoshëm kombinimi i idesë liberale të përfaqësimit me ndonjë formë të përfaqësimit grupor, përkatësisht që demokrcinë liberale duhet zgjeruar ashtu që të përfshirë edhe përfaqësimin grupor të pakicave kombëtare. Në lidhje me këtë, teoricienti i njohur kanadez Vil Kimlika thekson: të drejtat qytetare dhe politike individuale janë thelbësore për pakicat nacionale dhe etnike, por “ngandonjëherë janë të pamjaftueshme” për respektimin adekuat të dallimeve midis grupeve dhe përfaqësimin e tyre adekuat (Kymlicka 2003 f.191).


Më tutje, vazhdon Kimlika, pakicat janë përfaqësuar në forumin ligjvënës, sepse ekziston një shpërpjestim i madh midis pjesëmarrjes së këtyre pakicave në numrin e përgjithshëm të popullatës dhe pjesëmarrjes në forumin ligjvënës, kurse nuk i kushtohet kujdes interesave të tyre. Për situatat e këtilla është i domosdoshëm aplikimi i idesë së përfaqësimit grupor. Teoria politike gjithashtu tregon se në përfaqësimin grupor në organet e pushtetit, në radhë të parë ka të drejtë ajo pakicë kombëtare autoktone e cila historikisht dhe sistematikisht është lënë pasdore, e cila dallon nga shumica dominuese e popullsisë së shtetit konkret për nga prejardhja e etnicitetit, për nga gjuha dhe shkrimi i vet, për nga historia dhe kultura, siç është rasti me pakicën kombëtare shqiptare në Mal të Zi. Kësisoji, shqiptarët në Malin e Zi nuk kanë patur mundësinë që të arsimohen në gjuhën e vet antare deri në vitin 1945, që nuk ka ndodhur me nacionalitetet e tjera në Mal të Zi. Pa dyshim, kjo ka pasur pasoja afatgjata në zhvillimin arsimor, kulturor, shoqëror dhe ekonomik të shqiptarëve në Malin e Zi. Së këndejmi sot shqiptarët në Mal të Zi, si pakicë nacionale specifike dhe autoktone janë të përfaqësuar në shumicën e institucioneve të sistemit juridik dhe politik.


Gjithashtu, çështja është se si të sigurohet përgjegjësia e përfaqësuesve të pakicave, si të arrihet që këta përfaqësues vërtetë t’u shërbejnë interesave të pakicës të cilën do të duhej ta përfaqësonin. Ekziston modeli në të cilin përfaqësimi grupor sigurohet ashtu që përcaktohet që në forumin ligjvënës duhet të zgjedhen personat që kanë tiparet e pakicës së caktuar, kështu që përfaqësimi i këtillë do të thotë që në forumin ligjvënës ekzistojnë anëtarët që i përkasin ndonjë pakice, ndonëse nuk i ka zgjedhur ajo, por forumi i përgjithshëm elektoral. Mirëpo, këtu shtrohet pyetja se a mund të flitet fare për përfaqësimin grupor, sepse nuk ka procedurë për të konstatuar se cilat janë interesat e pakicës, çfarë mendon dhe dëshiron ajo, nuk është siguruar që përfaqësuesit e këtillë të pakicës të veprojnë në përputhje me dëshirat e pakicës. Nëse nuk ekziston procedura e përcaktuar me të cilën mund të përcaktohen mendimet dhe dëshirat e ndonjë pakice, si mund të flitet për përfaqësimin e kësaj pakice? Nga përfaqësuesi i tillë nuk mund të pritet që ta përfaqësojë pakicën të cilën do të duhej ta përfaqësonte sipas disa tipareve deskriptive, nëse përfaqësuesin e këtillë e ka zgjedhur forumi i përgjithshëm elektoral e jo pakica. (prof. dr. Sllaven Ravliq). Përveç kësaj, ideja që për shembull prania e pjesëtarëve të pakicave në forumin ligjvënës vetvetiu siguron përfaqësimin e interesave të pakicave nënkupton që ekziston një farë uniteti fundamental midis pjesëtarëve të pakicave, njëfarë grumbulli thelbësor i përvojave dhe interesave që mund t’i përfaqësojë kushdo që është pjesëtarë i pakicës kombëtare. Mirëpo, ky argument nuk është bindës.


Duke marrë parasysh faktin se kandidatët për zgjedhje propozohen nga partitë e ndryshme politike, shtrohet pyetja se sa kandidati i tillë, edhe në rastin kur i takon pakicës kombëtare, mund të konsiderohet ai përfaqësues i kësaj pakice. Kjo nga shkaku se ai është kandidat i partisë politike dhe se në radhë të parë duhet t’i ndjekë programet dhe kërkesat e asaj partie.


Pjesëtarët e pakicave kombëtare mund të themelojnë partinë e vet politike, madje edhe disa parti të tilla për t’i zgjedhur në këtë mënyrë kandidatët e vet për zgjedhje dhe për të votuar për ta. Megjithatë, përcaktimi i këtillë nuk do të thotë medoemos rrugë të sigurtë për sigurimin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të tyre në organet e pushtetit. Efektet e nevojshme të përcaktimit të tyre të këtillë varen në mënyrë të rëndësishme nga numri total i pjesëtarëve të këtij kolektiviteti minoritar dhe aq më tepër nga orientimi i tyre politik. Konceptet e ndryshme politike të tyre kryesisht rezultojnë me formimin e disa partive politike, me çka vetëm copëzohet (nganjëherë edhe konfrontohet) baza zgjedhore për kandidatët e zgjedhur. Krahas kësaj, është reale të supozohet e një numër i zgjedhësve nga përbërja e pakicës kombëtare, për shkak të bindjes së vet politike, votën e vet gjithëherë do t’ua japin kandidatëve të partive të tjera politike.


Në teorinë politike, partitë nacionale janë institut demokratik në artikulimin e interesave kombëtare. Ndërkaq, shtrohet pyetja nëse partitë nacionale çdoherë përfaqësojnë interesin nacional dhe nëse e realizojnë, në çfarë mase e bëjnë këtë, apo disa prej tyre vetëm e mashtrojnë veten se po bëjnë një gjë të tillë, përderisa në realitet realizojnë interesat e veta parciale, përkatësisht interesat e udhëheqjeve të tyre, dhe kjo jo rrallë në dëm të popullit që përfaqësojnë.


Në sistemet zgjedhore proporcionale, sigurimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të pakicave kombëtare në organet e zgjedhura të pushtetit arrihet më së lehti ashtu që për partitë e pakicave dhe për kandidatët e tyre zvogëlohet apo hiqet plotësisht cenzusi zgjedhor. Sigurimi i pjesëmarrjes së pjesëtarëve të pakicës kombëtare në organet e pushtetit mund të arrihet edhe me formimin e njësisë së posaçme zgjedhore të pakicave në të cilën pjesëtarët e pakicës kombëtare kanë të paktën shumicën minimale në kuadër të numrit total të zgjedhësve në të. Me qëllim të sigurimit të përfaqësimit të drejtpërdrejtë të veçantë të pakicave, zgjedhjet zhvillohen në bazë të regjistrave të posaçëm të zgjedhësve nga përbërja e pakicave kombëtare. Mirëpo, me këtë rast nuk është rregulluar në të njëjtën mënyrë e drejta e tyre aktive e votimit. Në disa sisteme elektorale, këta zgjedhës kanë vetëm një votë, duke ua lënë atyre mundësinë që të zgjedhin sipas vullnetit të vet nëse duan të votojnë për kandidatin e pakicës apo për kandidatin e ndonjë liste tjetër. Në sistemet e tjera, zgjedhësit nga përbërja e pakicave kombëtare gëzojnë të drejtën e votës së dyfishtë, kështu që mund të votojnë, sikurse të gjithë zgjedhësit e tjerë, për kandidatët nga cilado listë e kandidatëve, e përveç kësaj edhe për përfaqësuesin e pakicës së vet nga e ashtuquajtura listë e pakicës.


Nga sa u tha më sipër, del konkluzioni i padyshimtë që participimi politik i pakicave kombëtare është një segment i rëndësishëm i pozitës së tyre shoqërore të gjithëmbarshme. Vetëm në këtë mënyrë këto kolektivitete mund të kenë ndikimin e nevojshëm mbi proceset e vendosjes politike dhe shtetërore, nga e cila edhe varet realizimi dhe mbrojtja e të drejtave, nevojave dhe interesave të tyre.


Në realitet, vëllimi, përmbajtja dhe mënyra e këtij participimi, paraqesin nga njëra anë, një tregues shumë të sigurtë të barazisë së pakicave nacionale me pjesëtarët e kolektivitetit nacional të shumicës, dhe nga ana tjetër, një nga kushtet parësore për vetekzistencën dhe zhvillimin e tyre si bashkësi specifike dhe njëkohësisht për integrimin e tyre shoqëror në shtetin në të cilin jetojnë. Për sa i përket rolit të shtetit në këtë kuadër, vështirë se mund të pranohet “statusi negativ” si koncept i mbrojtjes së pakicave në të cilin shteti ndërhyn vetëm pasi të jenë shkelur këto të drejta dhe me qëllim që gjendja ekzistuese të mos përkeqësohet më tej. Përkundrazi, i ashtuquajturi “koncept pozitiv i mbrojtjes së pakicave” është koncepti i vetëm i pranueshëm. Ai duhet të reflektohet në sigurimin e pozitës së pakicave kombëtare si subjekte aktive dhe me të drejta të plota në shoqërinë pluraliste, duke krijuar kushtet për participimin e tyre politik dhe për pjesëmarrje në punën e të gjitha institucioneve publike që kanë të bëjnë me interesat e tyre, përfshirë edhe organet shtetërore të pushtetit.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›