Finalizohet marrëveshja, Pacolli drejton diplomacinë
PDK-ja dhe AKR-ja sapo kanë riformuar marrëveshjen e koalicionit, ku u konfirmua themelimi i Ministrisë së Diasporës, e cila do të drejtohet nga AKR-ja, që do të marrë edhe një ministri tjetër të PDK-së.Se cila ministri do të kalojë në duart e Koalicionit për Kosovë të Re të drejtuar nga AAK-ja e Thaçit, mbetet të përcaktohet zyrtarisht ditët në vijim. Bazuar në marrëveshjen e miratuar dje, Behgjet Pacolli do të bëhet zëvendëskryeministër i parë. KKR-ja do të ketë edhe tre zëvendësministra. Ministër i Diasporës pritet të jetë Ibrahim Makolli, numri dy i AAK-së, ndërsa ministria tjetër që do të merret nga PDK-ja, do të drejtohet nga Ibrahim Gashi. Sipas të dyja palëve, marrëveshja e re ka përforcuar koalicionin mes tyre. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, PDK njoftoi se partnerët e koalicionit janë pajtuar që të bashkëpunojnë në implementimin e programit qeveritar dhe politikave të përbashkëta programore. Teksti i plotë i marrëveshjes nuk është bërë ende publik, por sipas burimeve të mediave në Kosovë thuhet se Pacolli ka kërkuar të jetë jo vetëm zëvendëskryeministër i parë, por përgjegjës për diplomacinë kosovare. Behgjet Pacolli tashmë do të jetë numri një i marrëdhënieve të Kosovës me jashtë. Kreu i AKR-së kishte kërkuar fushëveprim të madh në politikën e jashtme, si zëvendëskryeministër i parë i qeverisë. Plani operativ i z. Pacolli ka në përmbajtje një listë të gjatë kompetencash në diplomaci. Nëse ai do të pranohej, Ministrisë së Jashtme do ti mbesnin vetëm punët administrative, ka thënë një burim i KD.
Marrëveshja u finalizua vetëm një ditë pasi Pacolli, për herë të parë që pas largimit nga Presidenca, ka bërë presion se do të largohet nga koalicioni qeverisës, nëse nuk plotësohen të gjitha pikat e kërkuara nga Koalicioni për Kosovë të Re. Ai deklaroi të martën në një emision se do të mund të kërkohej edhe një mocion votëbesimi, në qoftë se anashkalohet koalicioni i AKR-së. Pacolli ka thënë se do të pranojë postin e numrit dy të qeverisë pas plotësimit të kushteve, por ky post nuk do të jetë edhe obligues për pjesëmarrje në mbledhjet e qeverisë, pasi kjo, sipas tij, do të ishte humbje kohe dhe shkurtim i produktivitetit. Zyrtarisht, Pacolli njoftoi se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kur Presidenti i vendit do të zgjidhet drejtpërdrejt nga votat e qytetarit. Ai shtoi se për këtë do të kërkojë ndihmën edhe të kryeministrit Thaçi, ndoshta duke qenë edhe kandidat i PDK-së. Pacolli tha se nuk do të jetë më kryetar i AKR-së, por do të drejtojë Koalicionin për Kosovën e Re.
Thaçi: Ndryshimet kushtetuese largojnë mbikëqyrjen
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qeveria e Kosovës do të japë idetë dhe propozimet për ndryshimet kushtetuese, për të bërë ndryshime jo vetëm për zgjedhjen e Presidentit dhe për reformën zgjedhore, por edhe për të lehtësuar procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Ai ka përshëndetur formimin e dy komisioneve për ndryshime kushtetuese, përkatësisht zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe komisionin për reformën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtën e vitit 2013. Thaçi ka shprehur besimin se ky debat për këto ndryshime do të përcillet me ide që janë në përputhje me realitetin në Kosovë, për Kosovën demokratike, për sundimin e ligjit dhe për respektimin afirmativ të komuniteteve në Kosovë.
Zemërimi i EULEX
Zëvendësshefi i EULEX-it në Kosovë, Andy Sparkes, ka reaguar dje pas deklaratave nga ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, për mosefikasitetin e EULEX-it. Sparkes tha se është hidhëruar dhe do të kërkojë sqarime për deklaratat e tij. Ndërsa zëvendësshefi i EULEX-it ka folur për skandalin në EULEX, gjegjësisht për rastin Leo, i cili kishte fyer stafin vendës. Ai tha se ka qenë në dijeni për veprime të tilla, po nuk ka dhënë shumë shpjegime pse EULEX nuk ka marrë ndonjë veprim për ta parandaluar këtë rast. Rexhepi, në një prononcim për Koha Ditore, tha se në të gjitha rastet, misioni i BE-së nuk ka reaguar siç është i detyruar me mandatin që ka.