E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finalja? Duhen 40 milionë euro

Përveç aftësive, klasit, fatit, duhet edhe një shumë e përllogaritur në të paktën 40 milionë euro: këto janë detajet e "recetës" për të arritur në finalen e Champions League. Sipas analizës së "StageUp-Sport&Leisure Business", janë pikërisht këta faktorët që kanë ndihmuar Mançester Junajtid dhe Barcelonën të vijnë deri këtu, në finalen e sotme në Romë. Dhe rikthimi i dy klubeve nuk është bërë duke marrë parasysh termat ekonomikë, por mbi të gjitha për kujdesin ndaj imazhit. Nëse mendojmë për sezonin 2008/2009, shikojmë se klubit anglez, tashmë kampion në fuqi, për të përforcuar skuadrën i është dashur të shpenzonte 47,5 milionë euro, gati 5 më shumë se sa 42,9 milionët e arkëtuar nga UEFA për trofeun e 2007/2008. I njëjti diskutim edhe për Barcelonën, që është treguar e aftë të harxhojë 41,1 milionë euro në fushatën e blerjeve, kur nga UEFA kishte marrë vetëm 27,5 për arritjen e tyre deri në gjysmëfinalen e Champions-it të kaluar.

Ajo mes Mançester Junajtid dhe Barcelonës nuk është vetëm një sfidë futbollistike, por është edhe një përballje mes dy modeleve të ndryshme të menaxhimit sportiv dhe që në të njëjtën kohë rezultojnë fitues. Nga njëra anë klubi anglez, një shoqëri e blerë në 2005-ën në një operacion strategjik biznesi nga një familje biznesmenësh amerikanë, Glazerët. Ndërsa nga ana tjetër "Polisportivja" autonome, një shoqëri e një komuniteti dhe një sistemi menaxhimi që ka një lidhje të fortë me bazën sociale të territorit të cilit i përket. Klubi anglez, një pikë referimi e biznesit futbollistik botëror, është i aftë të përfitojë rreth 44 milionë në vit nga sponsori i vetëm i bluzës. Ndërsa ai spanjoll, një zgjedhje politike e lidhur me traditat e zonës, heq dorë nga sponsorizimi dhe vë bluzën e saj në realizimin e një misioni të kundërt, atë të mbledhjes së fondeve për bamirësi, të cilat i jepen çdo vit "Unicef"-it.

Ndërsa për sa u përket përgatitjeve për finalen e sotme, tashmë kanë dalë në pah edhe problemet. "Kemi lajme për praninë e biletave false". Ky fakt ka bërë të rritet niveli i alarmit. Ai që i ka paralajmëruar tifozët është prefekti i Romës, Xhuzepe Pekoraro. "Forcat e rendit kanë zbuluar vetë ku prodhoheshin biletat e falsifikuara, të cilat janë sekuestruar", shpjegoi ai. "Bileta nuk ka më në shitje, ato që po qarkullojnë tani janë 100% false, mos i blini. Tifozët që do të vijnë në Romë me bileta false, mund të shkaktojnë probleme në hyrjet e stadiumit. Ne po mundohemi të marrim masa për gjithçka". Numri i spektatorëve që do ta ndjekin direkt nga Olimpiko finalen do të jetë 67000. Rreth 50000 do të vijnë nga vendet jashtë Italisë; 20000 nga Spanja dhe 30000 nga Anglia. Sipas të dhënave nga policia angleze, nga Britania do të nisen rreth 5000 persona pa biletë. Ndërsa nga Spanja shumë pak. Ndërkohë, sipas policisë italiane, masat e sigurisë do të jenë në shkallën maksimale.

Alarmi

Kur duheshin rreth 48 orë nga finalja e madhe e Olimpikos, prefekti i Romës paralajmëron: "Kemi sekuestruar tashmë shumë bileta false. Ato që qarkullojnë aktualisht në treg janë 100% false, mos i blini". Në Romë do të mbërrijnë 20 mijë tifozë nga Spanja dhe 30 mijë nga Anglia, nga të cilët 5 mijë pa biletë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›