Arsenali, 12 milionë euro për Lorik Canën
Pas shumë zërash për një largim të mundshëm të Lorik Canës nga Olimpiku i Marsejës në fund të këtij sezoni, në drejtim të futbollistit të Kombëtares tashmë kanë filluar të mbërrijnë ofertat konkrete. Dje është bërë publik interesimi i Arsenalit të Arsen Venger, i cili synon të fitojë garën treshe të klubeve angleze (së bashku me Liverpulin dhe Evertonin) për të marrë shërbimet e mesfushorit shkatërrues të Shqipërisë. Lajmi është bërë i njohur dje nga mediat britanike, të cilat theksonin: "Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, është i gatshëm të fitojë konkurrencë me teknikun e Evertonit për afrimin e mesfushorit Lorik Cana, shkruante ‘Tribalfootball.com‘. Numri një i pankinës së Evertonit është vënë prej kohësh në ndjekje të yllit të Marsejës dhe të Kombëtares së Shqipërisë, dhe është i gatshëm të ofrojë një shifër prej 8 milionë sterlinash për të blerë mesfushorin 25-vjeçar, i cili pëlqehet edhe nga trajneri Rafa Benitez i Liverpulit. Por Venger nuk e ka mbajtur kurrë sekret admirimin e tij për Canën dhe pritet të nisë tratativat për afrimin e tij në merkaton e kësaj vere". Po sipas shtypit anglez, duket se Venger ka ndërmend të ofrojë 12 milionë euro për të bërë të vetin futbollistin shqiptar, një shifër më e lartë se ato që duan të ofrojnë klubet e tjera të interesuara për lojtarin. Vetë Cana ka deklaruar ditët e fundit se do t‘i pëlqente të luante në Premier League ose në Bundesligë.