Flamurtari josh edhe Sinanin
Menjëherë pas mbylljes së sezonit futbollistik të kampionatit shqiptar, skuadrat fillojnë të mendojnë për të ardhmen e tyre. Dhe është pikërisht Flamurtari skuadra që ka shfaqur ambicie të mëdha në këtë drejtim. Kuqezinjtë e Kategorisë Superiore, të cilët e mbyllën 2008-2009 në ngjitje (në vendin e 6 në tabelën e klasifikimit dhe fitues i trofeut të dytë për nga prestigji, Kupën e Shqipërisë), tashmë i kanë kthyer sytë nga përfaqësimi në turin e dytë eliminator të Europaleague (ish-kupa UEFA). Për këtë arsye, ata janë hedhur në merkato, për të ndërtuar një skuadër të denjë për të ecur përpara në këtë kompeticion. Vetëm pak ditë më parë është mësuar se drejtuesit e klubit vlonjat synojnë t‘i rrëmbejnë Tiranës dy prej futbollistëve të saj më të mirë në këtë sezon, mesfushorin dhe njëkohësisht kapitenin Devis Mukaj, por edhe mbrojtësin Rezart Dabulla. Ndërkaq, dje ka mbërritur dhe një tjetër lajm bombastik. Burime të besueshme bënë të ditur se Flamurtari po përgatit një tjetër goditje të madhe. Bëhet fjalë për bomberin e Vllaznisë, Vioresin Sinani. Sipas informacioneve të fundit, vlonjatët janë gati të hedhin në tavolinë një ofertë majme, e cila mund ta joshë shkodranin të braktisë skuadrën e vendlindjes për t‘u bashkuar me kuqezinjtë. Vetë Sinani e ka mohuar dje të ketë pasur kontakte me klubin e Flamurtarit. Megjithatë kjo nuk do të thotë se tratativa nuk do të avancojë në ditët e ardhshme. Pas humbjes së dhimbshme të shansit për të filluar titullin e 10 në këtë sezon, Vllaznia po kalon disa momente të paqarta në këto ditë të para të kësaj jave. Është përfolur për masa të ashpra ndaj disa lojtarëve, madje edhe për largime si Sukaj, Boadu, madje edhe shkarkimi i trajnerit Haxhiosmanoviç. Por presidenti Valter Fushaj e ka mohuar një gjë të tillë. "Për momentin nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me ekipin, sqaroi dje numri një i kuqebluve. Jemi në pritje të analizës së sezonit që do të bëhet gjatë kësaj fundjave, ku do të shihen kontributet e të gjithëve dhe më pas do të shqyrtojmë edhe vendimet që mund të marrim". Pas kësaj mbledhjeje pritet të nisin edhe negociatat për ndërtimin e ekipit që do të luajë në turin e parë eliminator të Europaleague.