E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati, ultimatum Hoze Murinjos

Masimo Morati duket se e ka humbur durimin. Zërat e vazhdueshëm rreth të ardhmes së Hoze Murinjos e kanë bezdisur patronin zikaltër. Kjo ka bërë që njëshi i klubit të mos qëndrojë i qetë dhe të mos e shijojë deri në fund festën për titullin e katërt radhazi në Serinë A. "Po e ndjek personalisht këtë çështje. Nuk do ta lëmë pas dore dhe do ta çojmë deri në fund", deklaroi Morati pas fjalëve të fundit të Murinjos, sipas të cilit 0.1 për qindëshi për të ardhmen nuk është në dorën e tij. "Jam paksa i bezdisur, pasi nuk mund të ndihesh i lumtur kur lexon këto gjëra". Sido që të jetë fundi i historisë Real Madrid-Murinjo, ajo duket e destinuar të krisë marrëdhëniet ndërmjet presidentit dhe portugezit. Edhe pse ka tentuar t‘i japë siguri ambientit, këtë herë tekniku i ka bërë llogaritë gabim. "Flas përditë me presidentin, në shtëpinë e tij, në ambientet stërvitore, nëpërmjet telefonit, u shpreh Murinjo. Nuk e kuptoj përse duhet të jetë i zemëruar, pasi jam treguar gjithmonë i ndershëm. Sapo filluan zërat për interesimin nga Reali, isha i pari që ia tregova". Por, fjalët "me 99.9 për qind qëndroj me Interin" i kanë krijuar idenë Moratit se ndoshta trajneri nuk e vlerëson aq shumë Interin dhe mund të largohet për një ofertë të mirë nga "Bernabeu". Si rrjedhojë, ai nuk e ka firmosur rritjen e rrogës për Mou: nga 9.5 milionë euro në sezon (rroga më e lartë në botë për një drejtues stoli) në 10-10.5 milionë euro dhe rinovim 1-vjeçar të kontratës që skadon në 2011-ën. Përkundrazi, Morati po studion hipotezat për të ardhmen. Nëse portugezi largohet, në krye të stolit mund të emërohen Zenga ose Spaleti.

Situata e tensionuar tek Interi të kujton atë që ndodhi te Çelsi vetëm pak muaj përpara se Murinjo të largohej. Rreth asaj periudhe, trajneri ka marrë një goditje të fortë nga një ish-lojtar i bluve, aktualisht te PSG-ja, Klod Makelele. Për "L‘Equipe" ai tha: "Në dy vitet e para ishim si një grup miqsh, që stërviteshim, darkonim, festonim dhe fitonim së bashku. Nga 2004 deri më 2006, gjithçka ishte perfekte. Por, Murinjo shkatërroi gjithçka, duke izoluar disa elementë, për të aktivizuar futbollistë që e quanin veten yje. Në fillim të sezonit 2006-‘07 ai u distancua nga lojtarët dhe u grind me Abramoviç. Ndërsa në sezonin e fundit harroi rëndësinë e ekipit dhe i merrte vetë të gjitha meritat. Në disa raste dukej sikur Murinjo ndihej i kërcënuar sa herë që një lojtar dilte publikisht më shumë se ai".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›