E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finalja e vogël: Gjermania ngushëllohet, dorëzohet Uruguai

Port Elizabet Ndeshja zbavitëse përfundon 3-2 për skuadrën e Lëv. Podiumi, i gjithi europian

Gjermania është skuadra që fiton vendin e tretë në Botërorin 2010, për të dytën herë radhazi, duke realizuar një podium të gjithin europian. Skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv ka mposhtur 3-2 Uruguain në të ashtuquajturën “finale të vogël”, në një sfidë zbavitëse dhe të mbushur me gola. Vendimtare ka qenë rrjeta e Khediras, por për t’u vlerësuar është edhe skuadra e Tabarez, që një ecuri të tillë në Afrikën e Jugut as që mund ta kishte menduar. Në përfundim, Gjermania renditet e treta (pikërisht ashtu si e kishte parashikuar oktapodi Paul), me sulmin më të mirë të aktivitetit: 16 gola të realizuar në 7 ndeshje. Por fituese morale, mund të cilësohet padyshim përfaqësuesja amerikanojugore, e udhëhequr nga kapiteni Diego Forlan, i cili e mbylli botërorin e tij me 5 gola të shënuar.

Në Port Elizabet, Gjermania dhe Uruguai janë përballur në një ndeshje pa tension, por që të dyja skuadrat kërkonin ta fitonin. Mes ndryshimeve në formacionin e Lëv spikaste mungesa e Kloses (që kërkonte golin e 15-të në Kupën e Botës për të barazuar brazilianin Ronaldo), për shkak të një problemi në shpinë. Mjaftojnë vetëm 18 minuta lojë për të zhbllokuar rezultatin, me Myler që tregohet oportunist, duke shfrytëzuar një gafë të portierit Muslera, pas gjuajtjes së Shvajnshtaiger. Barazimi i uruguaianëve vjen 10 minuta më pas me Kavanin. Në fraksionin e dytë të lojës janë latinët ata që kalojnë në avantazh, pas një goditjeje të shkëlqyer të Forlan (51’), përballë të cilës But nuk mund të bënte asgjë. Por, festa e Uruguait zgjat vetëm pesë minuta, pasi Jansen përfiton nga një tjetër gabim i Muslerës dhe barazon shifrat. Ndeshja vendoset nga rrjeta e Khediras, në të 82-tën, ndërsa në sekondat shtesë Forlan është i pafat, pasi goditja e dënimit e ekzekutuar prej tij godet vetëm traversën.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›