Për kurorën e botës
Për t’u ngjitur në majën e botës, projektuesit dhe konstruktorët e Spanjës dhe Holandës kanë përdorur metoda të kundërta. Te “Furia e Kuqe”, shtylla kurrizore e skuadrës përbëhet nga lojtarët e Barcelonës, të cilët mbështeten nga tre elementë të rëndësishëm të Realit të Madridit dhe plotësohen nga elementë të Vijarealit, Liverpulit dhe Valencias. Një skuadër e konsoliduar në këto vitet e fundit, që bazohet në filozofinë “blaugrana” dhe arrin ta qarkullojë topin me sytë mbyllur. Te “tulipanët” gjithçka është e ndryshme: vetëm tre elementë të formacionit (Stekelenburg, Van der Viel dhe Van Bronkhorst) luajnë në kampionatin holandez, ndërsa vetëm njëri (portieri rezervë) ka fituar titullin me Tuenten. Një kampionat si “Eredivisie”, skuadrat e të cilit nuk fitojnë prej vitesh në arenën ndërkombëtare, nuk mund të ketë shumë yje: për këtë arsye, Bert van Marvijk është një seleksionues me të gjithë kuptimin e fjalës. Zgjedhjet e tij në ligën gjermane, angleze, spanjolle, italiane apo skoceze kanë dhënë rezultat: vetëm një humbje në dy vjet. Shifrat kanë pak rëndësi, edhe pse vetëm nëntë nga 23 lojtarët në Afrikën e Jugut aktivizohen në Holandë. Në përfaqësuese është krijuar një atmosferë mjaft pozitive: edhe nëse kanë katër muaj pa u takuar, futbollistët sillen sikur të mos jenë larguar kurrë nga grumbullimi.
Ndërkohë, detyra e Del Boskes është thuajse e programuar, pasi ai ka fatin që të mbështetet te skuadra që luan më mirë në botë, pra Barcelona. Këto janë frytet e një projekti afatgjatë, të cilin në mënyrë ironike e nisi një holandez, Johan Krujf: kur drejtonte Barçën, nga 1988-a deri më 1996-n, ai vendosi që të gjitha skuadrat zinxhir të klubit katalan të luanin me të njëjtën taktikë loje. Kjo prodhoi një futboll të mësuar përmendësh, përveçse yje të nivelit të Ksavit apo Injestës. Krijimi i një kolone “blaugrana” (Pike, Pujol, Buskets, Injesta, Ksavi, Pedro e tanimë edhe Vija), ka sjellë ndryshime të dukshme te Spanja. Edhe Reali i Madridit është shndërruar në “vasalin” e Barcelonës, aq sa në dhomat e zhveshjes flitet dialekti katalan: nga shtatë elementë të rritur te Barça, të cilëve i shtohen Kapdevija e Fabregas (me origjinë nga kjo krahinë) dhe Marçena, Albiol, David Silva e David Vija. Në të kaluarën do të ishte e pamundur, ndërsa sot edhe madrilenët janë përshtatur me ndërrimin e dialektit. “është fat i jashtëzakonshëm që boshti i përfaqësueses përbëhet nga lojtarë të një klubi të madh, pohon ikona e Realit, Iker Kasijas. Në fushë e kemi të lehtë të gjejmë njëri-tjetrin”.
Pra, Holandë-Spanjë është jo vetëm dueli ndërmjet dy shkollave të ndryshme të futbollit, por edhe i dy mënyrave të kundërta sesi mund të ëndërrosh të fitosh titullin botëror.
#