Shnajder: Kam gjithmonë besim, ma ka mësuar Murinjo
Trupvogël dhe pa flokë, Uesli Shnajder i shtohet listës së yjeve që tregojnë se futbolli është sporti më demokratik: kjo pasi mund të jesh i madh edhe duke qenë i shkurtër. Askush në historinë e top-këmbës nuk ka arritur të fitojë në të njëjtin vit kampionatin, Kupën, Champions League (ose Kupën e Kampioneve), Kupën e Botës dhe “Topin e Artë” dhe të ketë shansin që t’i shtojë trofetë në dhjetor (me botërorin për klube). Por, organizatori holandez i Interit ka shansin të marrë në shtëpi edhe “Topin e Artë” të botërorit. Së bashku me të në garë nga “tulipanët” është Roben, ndërsa për Spanjën në listë janë Injesta, Vija dhe Ksavi; ky i fundit cilësohet si rivali i vërtetë i Shnajder. “Nuk mund t’i lejoj vetes të zbres në fushën e lojës me këto mendime. Më intereson vetëm finalja, natyrisht që të arrij ta fitoj. Duhet të kemi besim deri në fund se do të triumfojmë, këtë e kam mësuar nga Murinjo”. Të gjithë topat që ai ka prekur gjatë këtyre muajve të fundit janë shndërruar në ar, e me triumfin në Afrikën e Jugut, Shnajder do të jetë kandidati kryesor (pasi ka fituar edhe Champions-in) për të marrë trofeun e “France Football”, që sipas gjasave prej vitit 2011 do të bashkohet me çmimin “Fifa World Player”. Shnajder, i cili është lojtari më i mirë i Holandës (së bashku me Arjen Roben) krahasohet as më shumë e as më pak, por me më të madhin e të gjitha kohërave, Pele. “Tulipani” ka shansin që të fitojë gjithçka, ashtu si sulmuesi legjendar i “seleçaos” në vitin 1962, kur triumfoi në kampionat dhe në kupën braziliane, fitoi Kupën Libertadores me Santosin dhe Kupën e Botës me përfaqësuesen. Në atë periudhë “Topi i Artë” u jepej vetëm futbollistëve europianë.
Uesli është një tip i përmbajtur dhe krenar, madje tashmë është shndërruar edhe në besimtar, me këmbënguljen e bashkëshortes së ardhshme, Jolantës. E përzunë nga Reali, së bashku me Robenin, për t’u lënë hapësirë dy lojtarëve, që finalen e botërorit do ta shikojnë në televizor (Kakasë dhe Kristiano Ronaldos). U paraqit në klubin madrilen për stërvitje, por gjeti dollapin e tij të kyçur. Ndoshta ky ishte episodi që nxiti zemërimin e 26-vjeçarit. Tek Interi, Shnajder ka qenë perfekt nga minuta e parë e ndeshjes që debutoi me fanellën zikaltër. Ka theksuar se do të qëndrojë në Milano për të paktën edhe një vit, ndërsa presidenti Morati dëshiron ta mbajë deri më 2015-n. Një lojtar i jashtëzakonshëm, në të cilin talenti i pastër ndërthuret me punën dhe disiplinën. Kur ishte fëmijë, stërvitej sa dyfishi i bashkëmoshatarëve, ndërsa në xhepat e tutave mbante qeska me rërë, duke kopjuar metodën e ndjekur nga Johan Krujf. Në çerekfinalen kundër Brazilit realizoi golin e parë me kokë në karrierë (as në stërvitje nuk shënon në këtë mënyrë), por në vitin 2010 duket se organizatori “portokalli” mund të bëjë gjithçka që dëshiron me topin. Rezultati: ka shënuar 5 gola në Kupën e Botës, aq sa David Vija, edhe pse nuk është sulmues. “Të dielën (sot) më pret finalja e katërt në shtatë muaj të jashtëzakonshëm. Pas Romës, Sienës dhe Madridit, ku kam triumfuar me Interin, kundër Spanjës do të përjetoj ndeshjen që të gjithë fëmijët ëndërrojnë të luajnë, kur marrin për herë të parë një top si dhuratë: finalen e Kupës së Botës”, tha ylli i Holandës.
#