Ksavi: Njeriu i pasimeve
Njeriu i parë që “profetizoi” shkëlqimin e Ksavier Hernandez Kreus, i njohur si Ksavi, ka qenë Mishel Platini. “Ti do të fitosh shumë”, i ka thënë legjenda franceze mesfushorit të Barcelonës gjatë botërorit për U-20 në vitin 1999, i cili ishte suksesi i parë i brezit të lojtarëve që po shkruajnë historinë me Spanjën. Tashmë, 30-vjeçari katalan nga Terrasa ka shansin të fitojë gjithçka: çmimin si “Lojtari më i Mirë” në Afrikën e Jugut 2010, “Topin e Artë” të unifikuar me “FIFA World Player” dhe natyrisht Kupën e Botës. “Gjithçka varet nga finalja”, deklaron vëllai i Ksavit, i njohur si Ksavi 2, gjatë mbërritjes në Johanesburg së bashku me motrat dhe prindërit. Për momentin, Ksavi 1 i ka qëndruar besnik nofkës teknike (“makina”): 570 pasime në 6 ndeshje, ku 81 për qind e tyre kanë qenë të sakta. Ai është simboli i përfaqësueses më katalane, me të cilën Spanja është përfaqësuar ndonjëherë në një aktivitet madhor. Të hënën, çesk Fabregas mund të bëhet lojtari i nëntë nga 23 të grumbulluar prej Visente del Boske i “blaugranave”. Presidenti i ri i klubit, Rosel, ka udhëtuar drejt Johanesburgut për të “mposhtur” rezistencën e trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger.
Ksavi, a e dini që jeni lojtari i preferuar i Platinisë?
Diferenca mes nesh është e jashtëzakonshme. Gjithsesi, lojtari më i mirë spanjoll është padyshim Andres Injesta. Ndërkohë, edhe pse Argjentina është eliminuar nga Kupa e Botës, Leo Mesi mbetet futbollisti numër 1 në botë.
Përpara dy vitesh u klasifikuat i pesti për “Topin e Artë”, vitin e kaluar i treti, ndërsa tani mbetet…
Nuk mbetet asgjë. Spanja ka shansin të triumfojë për të parën herë në Kupën e Botës: kjo është absolutisht gjëja më e rëndësishme.
Në Madrid kanë bërë gati autobusin e zbuluar për të festuar kupën…
Nuk kënaqemi me kaq. Objektivi ynë është që t’u dhurojmë lumturi të gjithë spanjollëve. Besoj se jemi në gjendje ta mposhtim Holandën.
Ky besim lind nëse krahason karakteristikat tuaja teknike me ato të kundërshtarëve?
Nuk është çështja te krahasimi me kundërshtarët. Holanda është një skuadër mjaft e fortë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet t’u lejojmë hapësira për të na kapur në kundërsulm, pasi mund të na ndëshkojnë. Gjithsesi, Spanja është në gjendje t’i imponojë lojën e saj çdo kundërshtari. Në sfidën me Gjermaninë treguam shumë personalitet.
Megjithatë shënuat vetëm një gol…
Ishim superiorë në të gjitha aspektet: gjermanët përdorën edhe mbulimin një për një. Forca jonë e vërtetë është identiteti taktik.
Ndoshta, sepse kundër Gjermanisë në fushë ishit gjashtë lojtarë të Barçës, plus blerja e re Vija?
Jam krenar për atë që po bëjmë në Kupën e Botës. Por kjo nuk është Barcelona, është ekipi përfaqësues. Jemi pranë një arritjeje historike. Këtu luajnë shumë liderë, katalanë apo jo: jemi njerëz të thjeshtë, nuk na është rritur mendja nga suksesi.
Gjithsesi ndikimi nga Barça nuk mund të mohohet…
Mbi të gjitha, për sa i takon filozofisë. Mbaj mend që në ekipin e të rinjve na mësonin të ngrinim kokën, të mos e largonim kurrë topin kot. Këtë mund ta realizosh nëse ke mbështetjen e shokëve, brenda dhe jashtë fushës. Akademia e Barçës është e pashtershme: shumë shpejt do të njiheni me 6-7 të rinj të talentuar, do të zbuloni Sergi Roberton.
Ndërsa juve do të zbuloni Murinjon te Reali i Madridit?
E vlerësoj dhe më stimulon fakti që trajneri më i paguar në botë drejton Realin. Por tani mendoj vetëm për finalen: nëse luajmë ashtu si në ndeshjen me Gjermaninë, kupën do ta fitojmë ne.
#