E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Kompania “INSIG” renditet e dyta në treg për vitin 2008



Ministria e Financave konfirmoi dje se kompania e sigurimeve “INSIG”, për vitin 2008 renditet e dyta në treg nga 10 kompani që operojnë për sigurimet e jetës dhe jo-jetës në Shqipëri, duke zotëruar mbi 16 për qind të këtij tregu. Duke reaguar ndaj akuzave të Partisë Socialiste, burime zyrtare të Ministrisë së Financave thanë se, "kompania amerikane ‘ARLI’ nuk është shprehur akoma zyrtarisht për heqjen dorë nga privatizimi".
"Deri tani ne kemi qenë në proces negocimi me kompaninë amerikane ‘ARLI’", - shtuan burimet, duke theksuar njëkohësisht se "procesi ka qenë i gjatë dhe i vështirë për shkak të krizës financiare botërore, e cila ka goditur më shumë SHBA-të. Sipas burimeve zyrtare, kompania nuk është shprehur akoma zyrtarisht për heqjen dorë nga privatizimi dhe për këtë arsye komiteti i privatizimit të INSIG-ut nuk ka bërë njoftim publik për këtë qëllim.
"Ndërsa në vitin 2003, kur INSIG-u u vlerësua vetëm 25 milionë dollarë për 100 për qind të aksioneve, në vitin 2008 vlera e tij ishte 53.2 milionë dollarë, ose dy herë me lartë se periudha kur qeveriste partia e zotit Beqja", - deklaruan burimet. "Meqenëse BERZH-i dhe IFC-ja ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, tashmë INSIG-u zotërohet 100 për qind nga shteti dhe po menaxhohet në mënyrë shumë efektive", - theksuan burimet zyrtare.

Banka e Shqipërisë nis matjen e çmimeve të importit

Banka e Shqipërisë, sipas një nisme të fundit, do të masë ndryshimin e çmimeve të mallrave të importit për të pasur një panoramë sa më reale për ndryshimin e përgjithshëm të çmimeve në vendin tonë në atë që tashmë e quajmë inflacion. Duke pasur parasysh rëndësinë e të dhënave dhe të statistikave ekonomike, BSH-ja ka ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të përmirësimit të ndërtimit, besueshmërisë, disponueshmërisë dhe shpërndarjes së këtyre të dhënave. Kështu, indeksi i çmimeve të importeve shqiptare shënon një përpjekje tjetër për përmirësimin e të dhënave dhe të statistikave ekonomike. Indeksi i parë i ndërtuar përqendrohet vetëm në identifikimin e lëvizjeve të çmimeve të importeve shqiptare në tregjet nga të cilat importohen, por jo efektin e kursit të këmbimit. Sipas BSH-së, indeksi është mjaft i rëndësishëm për rastin e Shqipërisë, duke pasur parasysh faktin se ekonomia shqiptare është e vogël dhe e hapur. Është e qartë se llogaritja e një mesatareje të peshuar të ndryshimeve në ICK-të e vendeve kryesore nga ku importon Shqipëria, e llogaritur në bazë të peshës së importeve nga secili vend, mund të shërbejë gjithashtu, si një alternative për lëvizjet e çmimeve të importeve shqiptare në vendet e huaja.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›