Një delegim në kohë dhe hapësirë
Moikom ZEQO
Homeri i perëndishëm dhe i pakujdesshëm paracaktonte shpesh Ëndrrën për të shtegtuar vetëtimthi nëpër gjumin e njerëzve dhe hyjnive (ose të qenieve të ndërmjetme, ku pjesa njerëzore e hyjnore janë një sintezë e pakëndshme dhe surreale) dhe peizazhet e makthshme, me të cilat përvijohet urbanistika e Ferrit, ku terri, boshllëku, mungesa e peshës dhe e masës janë të hatashme, të papërvijueshme.
I Verbëti i Madh, ndërmjet Ëndrrës, bënte lëvizjen e vet mendore të shikimit zhbirues dhe të pafund. Lëvizte nëpër viset e hirnosura dhe të humbura, në kopshtin zoologjik të përbindshave mendorë dhe të abstraksionit, apo në Ishujt e të Lumturve, ku nuk është e nevojshme më e ngrëna dhe pirja, pra, as jashtëqitja, dhe tempujt madhështorë që lidhen me të, si dhe në gërmadhat e kriposura të Sodomës dhe Gomorës, që janë diku në Hiroshimë e në Nagasaki, në qytetet e mbytura të Atlantidës, ku ruhen enët ceremoniale të gostive mbretërore dhe veglat e torturave të stërholluara nga metali i çuditshëm i orihallkës, më i çmuar se ari.
Ëndrra qe kipsi (dytësi) i poetit të fantaksur dhe të torturuar nga fantazitë e kobshme. Nëse Homeri qe njeriu moskokëçarës i epeve të rebelta, Ëndrra qe gjeniu i tij femër i dyzimit elegant dhe i padukshmërisë, i aventurave të gjumit dhe, vetëkuptohet, të vdekjes së pazgribshme.
Ëndrra qe një delegim në hapësirat shumëdimensionale (në të vërtetë, përtej tri dimensioneve hapeshin e shpaloseshin hapësirat më interesante dhe të begatshme), si dhe në kohën që është shumë më pak, sesa një dimension klasik i rrjedhës së njësive kohore konvencionale, si: orët, minutat, sekondat, por i ngjan më tepër zeros thithëse përhumbëse.
Plaku i shenjtë hymnkrijues, me bebëzat e humbura, rigjente atë që i mungonte, tejkalonte vetveten dhe shpirtin e tij e mbartte e sfilitur dhe rëndshëm Ëndrra.
* * *
Pa dyshim, romani më i madh i letërsisë kineze dhe nga më të mëdhenjtë e letërsisë botërore është “Ëndrra në Dhomën e Purpurt” (“Hung-Lou Meng”). Ky roman kolosal dhe i pashembullt ka brenda të koncentruar shekujt, variantet dhe stilet, realitetin dhe mitin.
Bëhet fjalë për një njeri, që është shfaqur me pseudonimin Tsao Hsue Çin. Nuk ka asnjë dëshmi të sigurt biografike për të, thuhet se emri i tij i vërtetë ka qenë Tsao Çang.
Është e sigurt që ka jetuar në shekullin XVIII. Ka lindur në Nanking. I ati i tij pati një konflikt me Perandorin dhe u shkarkua nga të gjitha titujt. Familja shpërngulet në Pekin. Shkrimtari jetoi në varfëri dhe u dha mbas pijes. Kështu, ideoi nismën e romanit.
Shkroi fragmentin “Shih Tou Çi” (“Tregimi i një guri”). Dorëshkrimi i këtij fragmenti filloi të qarkullonte ilegalisht, duke fituar një popullaritet të hatashëm. Subjekti qendërzohet në një Dhomë të Purpurt, ku personazhi kryesor dëgjon në ëndërr ngjarjet gati në mënyra haluçinante. Ky fragment u plotësua nga të tjerë shkrimtarë dhe pati një botim të parë në vitin 1791. Libri u strukturua në 120 kapituj, një pjesë të madhe të të cilëve i shkroi përgatitësi i botimit, i quajtur Kao Eh.
Romani është universal. Me një labirint subjektesh. Është botuar në 24 vëllime në afro 4000 faqe, me mbi një milion fjalë. Në të paraqiten 440 personazhe. Jepen tri gjeneratat e një dege familjare, kriza e perandorisë, uria, sëmundjet, persekutimet. Në roman lëvizin figurat e aristokratëve, por edhe të skllevërve. Ai ka një koncept balzakian. Me këtë roman do të mrekullohej, po ta lexonte dhe vetë Dante.
Figura kryesore quhet Pao Yt. Nuk qe fëmijë i rëndomtë. Kishte lindur me një pllakëz nefriti në gojë, gjë që ishte një paralajmërim hyjnor. Ai qe rebel dhe ëndërrimtar i pavendosur. Vullnetdobët, por plot shpresa. Pao Yt i provon të gjitha dhe është i zhgënjyer nga të gjitha. Largohet nga shtëpia dhe bredh në shoqërinë e murgjve këmbëzbathur dhe kokërruar budistë dhe taoistë. I gjithë ky roman është një alegori budiste, taoiste e kalueshmërisë dhe e jetës së rreme.
Një copëz e romanit ka fantazmagorinë e një dialogu midis pllakëzës së nefritit dhe një murgu taoist, që quhet Iluzion.
Pllakëza e nefritit kishte mbetur nga meremetimi i Sistemit Qiellor dhe, për këtë shkak, vuante nga ndjenja e teprisë. Pllakëza e nefritit e kishte shëtitur botën e të vdekurve dhe dinte shumë sekrete. Kjo pllakëz tallej me arsyetimet bombastike të murgut taoist.
Romani ka përshkrime të hatashme erotike. Pllakëza e nefritit e njihte këtë seksualitet të shfrenuar kinez. Romani mëtonte të qe një Apokalips, në mënyrë që e vërteta pa stoli dhe zbukurime të mos administrohej nga mendjelehtët.
Narracioni dhe analiza psikologjike krijoi një traditë të pashmangshme dot. Kështu nisi revolucioni letrar kinez. Kam lexuar shumë libra dhe studime të kritikëve dhe estetëve perëndimorë për këtë roman. Në mesin e shekullit XX u ngjall interesi për të. Romani është një kod dhe manual kundër despotizmit të neveritshëm. Ka disa aspekte apokaliptike, janë gjetur lidhje të tij me “Verterin” e Gëtes. Asnjë roman në planet nuk ka qenë kaq ambicioz në shtrirjen e tij në hapësirë dhe kohë.
Është e habitshme dhe gati e pashpjegueshme se si ka ndodhur kjo.
30 Mars 2009