E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë



Raymond CARVER
(1938 –1988)

Frikë

Frikë të shohësh makinë me policë në rrugën ku shkon,
Frikë në gjumë të biesh çdo natë,
Frikë kur gjumi nuk të kaplon.
Frikë nga e shkuara, kokën kur ngre lart,
Frikë se e sotmja në fluturim kur shkon.
Frikë nga telefoni që bie në mesnatë.
Frikë nga stuhitë elektrike.
Frikë nga pastruesja me faqen me njollë.
Frikë nga qentë kur thonë “s’të kafshojnë”.
Frikë nga ankthi!
Frikë të identifikosh trupin e mikut pa jetë.
Frikë se paratë një ditë do mbarojnë.
Frikë të jesh i kamur, frikë dhe kur s’të besojnë.
Frikë nga profilet psikologjikë.
Frikë mos je vonë dhe kur më parë se çdokush shkon.
Frikë nga dorëshkrimi i fëmijëve mbi zarf.
Frikë se para meje vdekja m’i rrëmben e fajtor më bën.
Frikë, veç me nënën e plakur jetoj në këtë moshë.
Frikë nga çoroditja.
Frikë se për lajmin e zymtë në fund të ditës do shkruaj.
Frikë të zgjohem e ti të më kesh lënë.
Frikë mos dashurosh dhe mos dashurohesh sa të duash.
Frikë se gjithsa me shpirt dua në vdekje e çoj.
Frikë nga vdekja.
Frikë dhe nga jeta kur është shume e gjatë.
Frikë nga vdekja.

Këtë sapo e thashë.

I PIRË MAKINËN NGAS

Është gusht,
Gjashtë muaj me radhë
S’kam prekur libër me dorë,
Përveçse “Tërheqja nga Moska”,
Kështu më duket se quhej,
Nga Kulincorti qe shkruar.
Sidoqoftë jam i lumtur.
Makinën ngas me tim vëlla,
Dhe pimë nga shishja “Korbi plak”
Një vend ku të shkojmë s’na vjen ndër mend,
Makinën ngasim veç për qejf.
Sikur një çast të vetëm sytë t’i kaploj,
Përhumbur do të jem, e mandej
I lumtur do shtrihesha në gjumë, përgjithmonë,
Aty, ndanë asaj rruge ku po shkojmë.
Im vëlla më shkund.
Nga çasti në çast diçka mund të ndodhë.

FRAGMENT I VONË

Nga gjithë ç’i kërkuat
Kjo jetë ju dha gjë? Sidoqoftë,
Mua po.
Dhe ç’prisnit vallë?
Të vetëquhesha, i dashur, Vetveten
Të dëshiruar ta ndjeja mbi tokë?

LUMTURI

Është shumë herët, errësirë ende jashtë,
Në dritare rri, kafenë mbaj në dorë,
Dhe me gjërat e mëngjesit përherë zvarrë,
Që si mendime përpiqen të më kaplojnë.

Dy djem, dy shokë,
Në rrugën përtej,
Gazetat në dyer çojnë.

Me bluza veshur, kapelat në kokë,
Çantën e shpinës njëri mban hedhur.
Të lumtur si ata
Një fjalë këta djem nuk e thonë.

Po të mundnin, besoj unë,
Krahaqafë mund të shkojnë,
Është kaq herët, mëngjes
Dhe ata djem bashkë punojnë.

Ja, ngadalë po vijnë,
Qielli dritë nis të marrë
Paçka se mbi ujë hëna rri zbehtë.

ǒbukuri mbart ky çast
Ambicia, vdekja, madje dhe dashuria
Janë larg, këtu s’kanë vend.

Lumturia. Papritur hyn,
Përtej shkon, vërtet shkon,
Çdo mëngjes-herë fjalë për të thotë.

Përktheu Maks Leka

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›