E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat e bankave përmirësohen në mars

Bankat në Shqipëri e mbyllën muajin mars me rezultate dukshëm më të mira se shkurti, ku kreditë e këqija u pakësuan dhe fitimet rifilluan të rriten, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Rezultatet e marsit bëjnë të ditur se ekonomia shqiptare mund të ketë arritur pikën më të keqe rreth muajit shkurt dhe se tani ka filluar të përmirësohet, sipas ekspertëve. Kredia e keqe ra në 7.6 për qind të portofolit gjatë muajit mars nga 7.8 për qind që ishte në shkurt. Marsi u mbyll me 275 milionë lekë fitime. Fitimet e bankave u ndihmuan edhe nga dobësimi i lekut për shkak se shpenzimet e bankave janë përgjithësisht në lekë, ndërkohë që të ardhurat janë në shkallë të madhe në valutë. Në të njëjtën kohë, shqiptarët kanë ulur numrin e kartave të kreditit dhe debitit që përdorin, si dhe kanë ulur përdorimin e tyre si mjete pagese.

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri filluan të pajisin klientët e tyre me kod ndërkombëtar të llogarisë bankare, (IBAN), në përputhje me një urdhëresë të Bankës së Shqipërisë. Por zbatimi i sistemit të ri, të cilin evropianët e patën shpikur më shumë se një dekadë më parë për të lehtësuar transfertat e biznesit brenda kontinentit evropian, pritet të ketë pak efekte praktike në Shqipëri, për shkak se bankat po refuzojnë të ulin çmimet e transfertave në përputhje me reduktimin e kostove që shoqëron përdorimin e standardit IBAN. Të pyetur nga "Shqip", disa banka thanë se kostoja e transfertave do të mbetet po ajo që ishte dhe se mënyra e procesimit të transfertave nuk do të ndryshojë. Shqipëria është një nga vendet e fundit në kontinentin evropian që pajis llogaritë bankare me një numër identifikimi ndërkombëtar. Edhe shumë vende jashtë kontinentit kanë parapëlqyer të zbatojnë standardin evropian për transfertat elektronike të parave si një mekanizëm me kosto shumë të leverdisshme.

Lehtësi e papërfituar

Bashkimi Evropian filloi përpjekjet për krijimin e një zone të përbashkët transfertash bankare herët në vitet ‘90, me synim për të eliminuar kostot financiare të shkëmbimeve tregtare. Për këtë arsye, u krijua edhe detyrimi për bankat e vendeve anëtare t‘i jepnin çdo llogarie individuale apo biznesi, një numër të vlefshëm përtej kufijve të vendit. Kjo ul automatikisht kostot e bankave për shkak se hiqet hallka e bankës korrespondente, ndërkohë që konkurrenca rritet. Sot, nëse një shqiptar bën një pagesë për në Gjermani, ka shumë gjasa që transferta të kalojë në një bankë korrespondente para se të mbërrijë në destinacion. Për çdo kalim, mbahet një komision. Transferta kërkon punë manuale në shumë faza. Ndryshe nga sistemi tradicional i bankave korrespondente, sistemi IBAN nuk kërkon punë manuale. Pagesat bëhen automatikisht nga banka dërguese te banka pritëse dhe kostot eliminohen. Kostoja e procesimit manual të një pagese është e njëjtë, pavarësisht shumës, gjë që rëndon para së gjithash, kostot e transfertave të vogla.

Bashkimi Evropian ka urdhëruar vendet anëtare të heqin detyrimet për raportim të transfertave për raportim statistikor në llogaritë korrente me qëllim që të shmangë ndërhyrjen manuale në sistem e transfertave elektronike. Për më tepër, një direktivë e Komisionit Evropian sanksionon që transfertat brenda rrjetit IBAN të kenë kosto po aq të ulëta sa transfertat brenda një vendi anëtar. Një zyrë klerimi elektronik u themelua për të reduktuar kostot. Bankat në Evropë nuk e mikpritën këtë direktivë, për shkak se sistemi i ri hoqi miliarda euro të ardhura nga bilancet e tyre. Por biznesi dhe qytetarët evropianë përfituan nga sistemi i ri tarifa shumë më të lira, veçanërisht për transfertat e vogla.

Në vitin 2001, Komisioni Evropian përcaktoi një rregullore të detyrueshme për të gjitha bankat, që përcaktonte reduktim deri në 99% të kostos së transfertave të parave, përmes përdorimit të kodit IBAN. Duke qenë se IBAN përmban jo vetëm emrin e bankës dhe të shtetit, por edhe numrin e identifikimit të klientit, "procesimet manuale" janë të panevojshme. Shoqata Evropiane e Bankingut krijoi gjatë viteve të fundit një "zyrë kompensimi elektronik", gjë që eliminon hallkat e shumta të transfertave dhe ajo më e rëndësishmja, eliminon bankat korrespondente dhe komisionet e tyre të panjohura për klientët. Sipas Rregullores me numër 2560/2001 të Komisionit Evropian, transfertat për shumat deri në 12,500 euro nga një vend në tjetrin, duhet të kushtojnë njësoj sa transfertat brenda vendit, përmes përdorimit të kodit IBAN. Për këtë është e nevojshme që marrësi i parave t‘i japë dërguesit kodin IBAN të llogarisë së tij bankare.

Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren për vendosjen e kodit IBAN në Shqipëri vitin e kaluar. Bankat duhej të fillonin zbatimin e rregullores që nga 1 maji, ndërsa i gjithë procesi pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Por në rastin e Shqipërisë, rregullorja e BE-së nuk do të hyjë në fuqi së bashku me kodin IBAN, gjë që do ta bëjë këtë të fundit, më shumë një ornament në të dhënat e një llogarie bankare. Për këtë arsye, pavarësisht se vendosja e sistemit IBAN konsiderohet nga ekspertët evropianë si një shpikje gjeniale, shqiptarët nuk do të arrijnë të përfitojnë nga ajo. Sipas ekspertëve, Banka e Shqipërisë duhet të miratojë rregullore shtesë për të detyruar bankat në Shqipëri të ndjekin rrugën e bankave të tyre mëma në kontinentin evropian për zbatimin e standardit IBAN së bashku me përfitimet që ai sjell në reduktim kostosh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›