E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të marrët dhe të hutuarit

Tani që Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i hoqi maskat rreth ftesës për të marrë pjesë në inaugurimin solemn të Presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, i ngelet për barrë faktorit politik shqiptar në përgjithësi dhe atij në pushtet në veçanti, të tregojë potencën dhe ndikimin për të detyruar kreun shtetëror t‘i dërgojë urgjentisht ftesë zyrtare Presidentit kosovar. Konfuzioni medialo-politik i shkaktuar gjatë ditëve të fundit rreth ftesës dhe pjesëmarrjes së zotit Sejdiu në këtë akt solemn presidencial, tanimë përfundoi dhe gjërat morën kristalizimin e duhur: Presidenti kosovar nuk ka qenë i ftuar! Deklaratat e disa politikanëve të papërgjegjshëm se ka pasur ftesë apo jo, tanimë nuk pijnë ujë! Arsyet nuk dihen dhe tanimë as që janë shumë të rëndësishme, sepse koha për t‘u përmirësuar ky gabim i qëllimshëm i krerëve maqedonas, shumë nënçmues dhe ofendues për faktorin politik shqiptar në Maqedoni, tanimë është e shkurtër. Gjasa teorike që Sejdiu të ftohet për të marrë pjesë në solemnitet, ekzistojnë deri në fillimin e seancës së inaugurimit, mirëpo është e qartë se kësaj ftese i ka humbur lezeti.

Madje, ftesa eventuale që mund të vijë sot ose nesër, do të ishte edhe më nënçmuese se vetë mosftesa. Jo rastësisht është bërë kjo. E keqja është te fakti se faktori politik shqiptar, gjithmonë i fundit po kupton realitetin e lojërave prapa kuintave që luhen në qeveri apo strukturat udhëheqëse shtetërore.

a.

Momenti i tanishëm pas deklaratës së fundit të z. Fatmir Sejdiu, ndoshta është më i përshtatshmi që faktori politik shqiptar të dëshmojë seriozitetin, nivelin e pjekurisë por në veçanti fuqinë në vendimmarrje për çështjet që kanë siglën: Interes kombëtar shqiptar në Maqedoni. Jo vetëm kaq, por gjithsesi se "triumfalizmi" në këtë kontekst do të kishte edhe refleksin e vet pozitiv në kthimin e besimit të elektoratit te potenca politike e partive shqiptare, por edhe në përmirësimin e imazhit dhe rejtingut partiak. Pra, me fjalë të tjera, triumfalizmi në këtë drejtim do të jetë shumëfish i "dobishëm" jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për vetë partitë shqiptare, në veçanti për atë në pushtet.

b.

"Dështimi" eventual i faktorit politik shqiptar karshi arrogancës dhe injorancës së Presidentit të ri maqedonas, të cilin elektorati shqiptar e bojkotoi, do të thoshte triumfalizëm dhe revanshizëm i zotit Ivanov, ndaj atyre që nuk e votuan opsionin e tij në zgjedhjet presidenciale. Jo vetëm kaq, por kjo ka edhe simbolikën tjetër edhe më të errët: Me këtë fiton opsioni proserb, i cili, sipas shkrimit të mediave të këtushme (Maqedoni), ushtroi presion për të mos u ftuar Presidenti i Kosovës në ceremoninë e inaugurimit. Për të qenë ironia edhe më e madhe për shqiptarët, e gjithë kjo ndodhi vetëm e vetëm për t‘i kënaqur apetitet e Presidentit serb, Boris Tadiç, i cili do të jetë i pranishëm në këtë akt solemn.

Në fakt, shtypi beogradas, ditë më parë ishte kërcënuar se sikur edhe të ketë vetëm ftesë për Sejdiun (pavarësisht nga pjesëmarrja apo jo e tij), Presidenti serb nuk do të merrte pjesë në inaugurimin e Ivanovit.

Arsyet e qytetarëve shqiptarë për të qenë të pakënaqur dhe të revoltuar me mungesën e Presidentit Sejdiu në këtë zhvillim në Shkup janë të mëdha, kurse arsyet që faktori politik shqiptar në Shkup ta kundërshtojë dhe korrigjojë këtë gabim janë edhe më të mëdha.

c.

Mendoj se një pjesë të fajit për këtë sjellje nënçmuese të kreut më të lartë shtetëror maqedonas ndaj Prishtinës zyrtare e bartin edhe Tirana e Prishtina zyrtare. Dy kryeqendrat shqiptare, pa kurrfarë problemi kanë zhvilluar raporte me Shkupin zyrtar edhe pse në Maqedoni të drejtat e shqiptarëve mohoheshin në formën më të vrazhdë, në kohën kur e tërë Evropa (me përjashtime si Serbia, Bjellorusia dhe Moldavia) kishte hedhur poshtë sistemet politike diskriminuese. Zhvillimi i këtyre raporteve gati me të njëjtin intensitet vazhdoi edhe gjatë konfliktit të vitit 2001, kur civilët shqiptarë granatoheshin, vriteshin dhe masakroheshin nga forcat policore dhe ushtarake maqedonase, të përforcuara me mercenarë nga të gjitha shtetet sllave. Sjelljen e këtillë, Tirana dhe Prishtina e arsyetonin me gjoja projekte afatgjata për "të ndryshuar mentalitetin e maqedonasve ndaj shqiptarëve". Mirëpo, 20 vite më vonë, mundemi lirisht të konstatojmë se këto projekte ose kanë dështuar, ose nuk kanë ekzistuar fare.

Prandaj, tani është koha që Tirana dhe Prishtina të ndryshojnë qasjen ndaj Maqedonisë. Nuk duhet të kërkojnë asgjë më tepër, përveç se respekt nga Maqedonia, proporcionalisht me të mirat që ky shtet i shfrytëzon nga shqiptarët.

Dhe, nëse ndonjëherë Tirana dhe Prishtina i rreken punës që të përgatisin ndonjë projekt për zhvillimin e raporteve me Maqedoninë, duhet t‘i kenë parasysh këto fakte:

- Greqia nuk njeh emrin e Maqedonisë dhe pengon me veto integrimin e saj në NATO dhe në BE, kurse kapitali grek i ka të hapura të gjitha dyert në Maqedoni.

- Serbia nuk e njeh autoqefalitetin e Kishës Ortodokse Maqedonase, por zyrtarët shqiptarë nuk ftohen nëpër samite dhe seanca inauguruese në Maqedoni, për të mos u hidhëruar Serbia.

- Bullgaria nuk e njeh gjuhën maqedonase, por dhjetëra mijëra maqedonas marrin shtetësi bullgare.

- Maqedonia nënçmon shqiptarët, kurse Shqipëria dhe Kosova zhvillojnë politikë korrekte ndaj Maqedonisë dhe maqedonasve, që kufizohet madje me eufemizëm.

Diçka definitivisht nuk është në rregull ose me mentalitetin e maqedonasve, ose me mentalitetin e shqiptarëve. Dikush në këtë rast është i marrë, kurse dikush i hutuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›