Financat, nis puna për ndryshimin e taksës së makinave
Burimet në Ministrinë e Financave sqaruan se ndryshimet në ligj do të hyjnë në fuqi këtë vit, ndërkohë që janë duke shqyrtuar disa mundësi. Njëra prej tyre është vjelja e taksës në momentin e kolaudimit, duke e llogaritur atë në bazë të amortizimit dhe llojit të makinës
Taksa për tregtimin e makinave të vjetra, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar, do të ndryshojë. Lajmin e kanë pohuar burimet në Ministrinë e Financave, të cilat pohuan se është ngritur një grup pune i cili po trajton disa skema mbi të cilat të mund të mblidhet taksa e ndotjes në ambient. Taksa për automjetet e përdorura në momentin e shitjes, e cila llogaritej në bazë të cilindratës për çdo vit përdorimi, e ka bllokuar tregtinë makinave të përdorura dhe për me tepër ka reflektuar me një rënie të të ardhurave në buxhetin e shtetit, në krahasim me vitin 2009, kur taksa vilej në dogana. Burimet në Ministrinë e Financave njoftuan se ndryshimet në ligj do të hyjnë në fuqi këtë vit, ndërkohë që janë duke shqyrtuar disa mundësi. Njëra prej tyre është vjelja e taksës në momentin e kolaudimit, duke e llogaritur atë në bazë të amortizimit dhe llojit të makinës. Një tjetër mundësi është një taksë në përqindje, që duhet të paguhet në momentin e shitjes. Ndërkohë që financat janë duke gjetur mundësinë e formulimit të taksës së re, një gjë është e sigurt, që kostoja për qytetarët do të jetë më e ulët. Për shkak se, sipas ligjit aktual, të shesësh një makinë të viteve 90, taksa që duhet të paguash për shtetin është shumë më e lartë se vlera e shitjes së automjetit. Sipas formulës aktuale me të cilën përllogaritet taksa, nëse makina është dhjetë vjet, taksa e ndotjes do të jetë: 1893*0.5*25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Sipas kësaj formule, asnjërit nuk do t'i interesojë të shesë apo të blejë një automjet me vit prodhimi të largët. Kjo pasi taksa e përdorimit parashikohet të paguhet edhe në rastet kur automjeti shitet dhe rishitet. Në fakt vendosja e kësaj takse, e cila synonte reduktimin e ndotjes në ambient dhe rritjes e të ardhurave në buxhetin e shtetit, nuk rezultoi e tillë. Buxheti i shtetit arkëtoi gjatë vitit 2010 7 % më pak të ardhura se në vitin 2009 nga tregtimi i makinave të përdorura. Ligji i ri mbi taksën e transaksionit të makinave të përdorura hyri në fuqi në korrik të 2010-s, duke dhënë efekte të menjëhershme në tregtinë e automjeteve të përdorura, si nga importi i tyre, ashtu edhe nga tregtia e brendshme. Në respektim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, qeveria shqiptare zëvendësoi taksën doganore, ose tarifën e ndotjes sipas viteve të përdorimit në momentin e importit të makinave, me taksën e mjedisit për tregtimin e automjeteve të përdorura. Kjo bëri që taksa e makinave për ndotjen nga dogana të zhvendoset në tregun e brendshëm sa herë që një makinë e përdorur shitet apo edhe rishitet. Mirëpo taksa e vënë në tregun e brendshëm të makinave të përdorua duket se, përveç mosrealizimit të planit të buxhetit për këtë taksë, ka ndikuar edhe në rënien e kësaj tregtie. Taksa e re që hyri në fuqi në korrik të 2010-s për mjetet e përdorura të transportit, llogaritet duke shumëzuar cilindratën e motorit me një koeficient fiks për çdo vit përdorimi dhe me një taksë fikse për llojin e karburantit që përdor makina. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficienti për vitet e përdorimit është për autoveturat 0.5 për çdo vit përdorimi dhe për mjetet e tjera 0.25 për çdo vit përdorimi. “Detyrimin për pagimin e taksës e ka importuesi në çastin e importimit dhe shitësi në rastin e shitjes brenda vendit, ndërkohë që pagesa kryhet para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të së drejtës së pronësisë së mjetit në Drejtorinë e Shërbimit Rrugor.”