E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, PD: Rama të ndjekë shembullin e sllovakëve

Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, iu referua rastit të parlamentarëve në Sllovaki, të cilët dje "në një votim historik konsensual, shembën me votë murin e imunitetit që i ndante nga qytetarët e vendit të tyre". 

PD, duke përshëndetur këtë akt historik të parlamentarëve të këtij vendi, fton edhe një herë z. Rama që të ndjekë shembullin e së majtës sllovake dhe të votojë më 6 gusht me konsensus, pr/ligjin 'për heqjen e imunitetit', në të cilin janë marrë parasysh dhe janë përfshirë të gjitha kërkesat dhe propozimet e përfaqësuesve të PS-së.

Sipas deklaratës, rrëzimin e murit të imunitetit e presin të gjithë qytetarët shqiptarë, që nuk duan që zyrtarët e lartë të mbrohen nga imuniteti për vepra penale, për të cilat ata përballen çdo ditë me ligjin dhe ndëshkimin ligjor.

"Qytetarët presin që ligjvënësit shqiptarë të votojnë më 6 gusht për një Shqipëri që përmbush detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ata nuk mund të pranojnë që procesi i integrimit evropian të mbahet peng nga një klub miliarderësh që për trafiqet e tyre, nuk pranojnë kurrë të heqin dorë nga muri mbrojtës i imunitetit", tha zëdhënësja Bardhi. /Start/

                                                                                             2012-07-27 13:51
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›