E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financial Times: Ballkani është i zhytur në korrupsion

TIRANE- Ballkani është një rajon i zhytur në korrupsion dhe nëse nuk luftohet ky fenomen mund të vonohet anëtarësimi i këtij rajoni në Bashkimin Europian. Kështu thuhet në Financial Times, në një artikull për Ballkanin, të titulluar “Aspirata më të larta”. Në këtë artikull thuhet se korrupsioni në vendet lindore tejkalon atë në Europën Perëndimore dhe në fakt Bashkimi Europian nuk do që të vuajë më nga ky fenomen, të cilin e përjetoi me pranimin e dy anëtarëve të fundit në BE , Rumaninë dhe Bullgarinë në vitin 2007. Por duke mësuar nga kjo eksperiencë, BE ka vënë barriera të forta për vendin e parë të Ballkanit perëndimor që pritet të hyjë në Bashkimin Europian, Kroacinë. Kroacisë i kërkohen standarde shumë të larta për luftën antikorrupsion dhe kjo ka qenë temë e fundit e fushatës presidenciale në këtë vend. Presidenti i sapozgjedhur Josipovic fitoi me këtë moto antikorrupsion. Artikulli thotë se në rast se Zagrebi dështon në luftën kundër korrupsionit, anëtarësimi i këtij vendi i planifikuar për 2012-ën të vihet në rrezik, po kështu me radhë dhe të gjithë vendeve që presin pas Kroacisë, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova. Nëse zgjerimi ndalet në Ballkan, kjo do të vonojë procesin për gjithë vendet aspirante, thuhet në artikull. Në fakt sipas Transparency Internacional, kroatët kanë standarde të larta antikorrupsion , madje është shteti më i pastër në Ballkan duke ja kaluar dhe Greqisë që është anëtare e BE prej 30 vitesh. Atëherë kur Kroacia është në këto nivele dhe BE ka vendosur kritere të forta për luftën antikorrupsion , atëherë cfarë mund të thuhet për vendet e tjera aspirante të zhytura në korrupsion. Të gjitha vendet ish komuniste, me tranzicionit e tyre jo perfekt në kapitalizëm vuajnë nga korrupsioni. Por problemi është me rrënjë shumë të thella në Ballkan , thotë artikulli i Financial Times. Një koment që në fakt është pasqyruar dhe në raportin e fundit të KE për Ballkanin të publikuar në tetor të vitit të shkuar. Kjo do të thotë se kur të vijë dita për anëtarësimin e vendit tonë , kriteret e BE për luftën antikorrupsion do të jenë shumë të ashpra. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›