Vetëdorëzohet i riu që masakroi të dashurën 15-vjeçare nga Vlora
I riu që tronditi opinionin e qytetit të Vlorës, pasi goditi me thikë më shumë se dhjetë herë të dashurën e tij që e kishte "zënë" në internet, është vetëdorëzuar sot në mesditë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Por sipas njoftimit zyrtar "protokollar" të policisë së Tiranës, "është arrestuar sot (dje) 21-vjeçari Ardit Alushi, i cili dyshohet se masakroi dje (pardje me thikë ish të dashurën e tij 15-vjeçare në banesën e saj në Vlorë". Sipas burimeve policore familjarët e Ardit Alushit nga qyteti i Durrësit, pas një marrëveshjeje mes avokatëve dhe familjarëve të tij me policinë, pasi është penduar për krimin e tij pasionant, është dorëzuar dje vullnetarisht në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit ku edhe i janë vënë prangat dhe i është komunikuar arrestimi.
Njohje në chat
Ngjarja e rëndë ka si fillesë sipas policisë, një histori "romantike" të nisur nëpërmjet chatimit në internet. Pas një periudhe disamujore komunikimesh dhe pas disa takimeve fizike, 21-vjeçari nga qyteti i Durrësit i ka kërkuar 15-vjeçares të fejohen, madje edhe të martohen sa më shpejt. Minorenja ka pranuar ofertën, por kur këtë gjë ia ka parashtruar babait të saj, ka hasur në refuzim të plotë. Ardit Alushi, pasi ka shkuar në shtëpinë e të dashurës dhe ka hasur në kundërshtimin e saj për një fejesë pa viston e babait, e qëlloi disa herë me thikë në bark duke e plagosur rëndë dhe ende ajo është në rrezik të madh për jetën. Sipas mjekëve në Spitalin Ushtarak, 15-vjeçarjes i është hequr një veshkë, ka dëmtime të rënda në mëlçi, shpatull dhe te sistemi i zorrëve. Sipas korrespondentes së gazetës "Shqip", ngjarja ka ndodhur pardje paradite, kur vajza me prindër të divorcuar ishte vetëm në shtëpi. Burimet policore sqaruan se adoleshentja e lindur në Korçë dhe e transferuar para pak vitesh në qytetin e Vlorës, jetonte vetëm me babanë, në një shtëpi njëkatëshe të lagjes "11 Janari". Në momentin kur policia ka mbërritur në vendngjarje, vajza edhe pse e plagosur rëndë, ka qenë e vetëdijshme dhe ka treguar se ishte qëlluar me thikë shumë herë nga 21-vjeçari durrsak me të cilin kishte një lidhje intime. Policia sqaroi gjithashtu se Ardit Alushi, ashtu siç edhe ai vetë ka deklaruar dje pas dorëzimit në policinë e kryeqytetit, se ishte grindur me të dashurën minorene, pasi ajo nuk pranonte të fejohej me të. Lidhja disamujore mes 15-vjeçares dhe 21-vjeçarit, ishte mësuar nga babai i saj, punëtor ndërtimi nga vetë e bija.
Tragjedia
Por ai i ka bërë presion të bijës që të ndahej, sepse ishte ende e mitur "për këto punë". Por i dashuri nuk e pranoi kurrë këtë fakt dhe shkonte thuajse përditë në shtëpinë e vajzës së mitur, e cila shumicën e kohës qëndronte e vetmuar dhe pa mbrojtje, pasi babai ishte gjithë kohën në punë. Por rezistenca që ka bërë pardje në mëngjes i ka kushtuar rëndë adoleshentes. Një nga fqinjët ka dëgjuar britmat e të miturës dhe i është afruar banesës, duke bërë kështu që agresori 21-vjeçar të largohet pa ia marrë ende jetën edhe pse deri në atë moment e kishte masakruar keq. Menjëherë është njoftuar edhe policia, që ka bërë transportin e të miturës në spital, ku ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve, të cilët thanë se plagët ishin tepër të rënda. Ndërkohë, në orët e vona të natës është transportuar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku gjendet ende në reaminacion. Autori i ngjarjes, 21-vjeçari është shpallur menjëherë në kërkim, por deri pardje në mbrëmje nuk është kapur as nga policia e Vlorës, as nga ajo e Durrësit, por është arrestuar vetëm dje në mesditë nga vetë shefat e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, pas vetëdorëzimit.
Re.kro