Finlanda pranohet zyrtarisht në NATO

Finlanda i bashkohet zyrtarisht NATO-s, duke i dhënë një goditje të fortë presidentit rus Vladimir Putin, pasi kemi të bëjmë me një riorganizim historik të peizazhit të sigurisë së Evropës pas Luftës së Ftohtë, shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska.
Anëtarësimi i vendit nordik dyfishon kufirin e Rusisë me aleancën më të madhe të sigurisë në botë.
Finlanda kishte adoptuar neutralitetin pas disfatës së saj nga sovjetikët në Luftën e Dytë Botërore, por udhëheqësit e saj sinjalizuan se donin të bashkoheshin me NATO-n vetëm disa muaj pasi pushtimit të Ukrainës nga Moska, që shkaktoi frike tek fqinjët e saj.
Anëtarësimi është tashmë një pengesë strategjike dhe politike për Putinin, i cili është ankuar prej kohësh për zgjerimin e NATO-s drejt Rusisë, argument të cilin e përdori si justifikim për pushtimin e Ukrainës.
“Tundohem të them se kjo është ndoshta e vetmja gjë për të cilën mund të falënderojmë zotin Putin, sepse ai nxiti me agresionin e tij që shumë vende të besojnë se duhet të bëjnë më shumë që të kujdesen për mbrojtjen e tyre, si dhe për t’u siguruar që të mund të pengojnë agresionin e mundshëm rus në të ardhmen,”- tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përpara se të pranonte dokumentet që zyrtarizonin anëtarësimin e Finlandës.
Rusia paralajmëroi se ishte e detyruar të merrte “masa hakmarrëse” ndaj asaj që e quajti si “kërcënim i sigurisë së krijuara nga anëtarësimi i Finlandës”. Ajo kishte paralajmëruar se do të forconte kufirin pranë Finlandës, nëse NATO dërgon trupa ose pajisje shtesë në vendin e saj të 31-të anëtar. Apnews
/rtsh.al/