E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rozana Radi nuk bën dot pa cigaren

Ajo është një nga ato femrat tipike pa komplekse. Bën gjithnjë atë që do dhe kjo nuk është e vështirë për tu pikasur, sidomos kur bëhet fjalë për këngëtaren Rozana Radi. E pranishme gjatë promovimit të këngës së re të Redon Makashit, ajo u paraqit në festë me një veshje tërësisht casual, por minipantallonat xhins që Rozana kishte zgjedhur, nuk i linin shumë vend imagjinatës. Gjatë gjithë kohës ajo nuk e shqiste nga dora cigaren, duke tymosur për orë të tëra. Këngëtarja këto kohë është e mbytur në punë, pasi përpos biznesit të ri që ka hapur në periferi të Tiranës, Rozi po punon edhe për videoklipin e ri, të cilin do ta lançojë gjatë muajve të verës, i cili pritet të befasojë të gjithë fansat e saj.

Ermal Fejzullahu

I vjedh këngën Valtonit!

Mania për të kopjuar apo edhe për të vjedhur kryekëput të njëjtën këngë, me të njëjtin tekst e vijë melodike, nuk ndodh tanimë vetëm mes këngëtarëve shqiptarë e atyre të huaj, por edhe mes atyre me të njëjtën kombësi. Duket se pre e kësaj situate ka rënë edhe Ermal Fejzullahu. Ky i fundit prej disa ditësh ka publikuar hitin “Gjaku i zemrës sime”, i cili është lançuar për herë të parë në vitin 2004 nga këngëtari Valton Krasniqi. Kënga “Gjaku i zemrës sime”, e cila gjendet në albumin më të ri të këngëtarit Fejzullahu, është e vjedhur, ka pohuar për “Telegrafi.com” këngëtari Valton Krasniqi. Vetë këngëtari kosovar e ka prezantuar si një krijim të ri të tijin dhe e ka pasur vërtet për zemër këtë hit, por e vërteta nuk do shumë për t’u zbuluar dhe kjo situatë duket se ia ka zbehur hovin Ermalit, i cili po përgatitet për një turne koncertor jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe gjetkë.

Mariza dhe Evisi

Zbulohet miqësia mes këngëtareve

Dy këngëtaret e reja, Mariza Ikonomi dhe Evis Mula, kanë zgjedhur që të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës gjatë një feste të organizuar mbrëmjen e djeshme këtu në kryeqytet. Me një look të kuruar me kujdes, që i bënte të dukeshin si dy zonjusha të vërteta, ato të dyja janë ulur në të njëjtën tavolinë, ku kanë pirë dhe kanë biseduar për tema nga më të ndryshmet. E ndërsa Evisi kohët e fundit nuk po shfaqet me ndonjë krijim të ri muzikor, duke u fokusuar më tepër tek fakulteti, për Marizën kjo është një periudhë vërtet e ngjeshur me aktivitete. Këngëtarja e njohur po përgatitet për një hit të ri, të cilin do ta publikojë së shpejti, edhe si pjesë të albumit më të fundit që ajo do të hedhë në tregun muzikor shqiptar, por nuk ka harruar që të jetë e pranishme edhe nëpër koncertet e shumtë ku ajo është e ftuar, brenda dhe jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›