E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça drejt largimit, vjen “Tata”



Leonard Karaj

Jose Luis Braun, i ashtuquajturi “Tata” pritet të marrë drejtimin e skuadrës së Dinamos pas përfundimit të kampionatit dhe mbarimit të kontratës së teknikut aktual Shkëlqim Muça. Lajmi, ndonëse nuk gjen ende konfirmim zyrtar nga drejtuesit e lartë të klubit, pohohet nga burime të sigurta te skuadra e Dinamos. “Tata” do të vijë pranë skuadrës si fillim, nën hijen e një personi, i cili mund të vihet në rolin e Drejtorit Teknik të klubit, por me përfundimin e kontratës së çim Muçës, më 15 maj të këtij viti me shumë gjasa ai do të marrë drejtimin e Kampionëve më të rinj të Superligës, duke i drejtuar ata të paktën për ndeshjet në Kupën e Kampioneve.
Muça
Largimi i Shkëlqim Muçës, ndonëse paradoksal duket se tashmë është shkruar. Drejtuesit e klubit nuk duan t’i rinovojnë kontratën ndaj edhe po presin përfundimin e saj para se të vendosin dikë tjetër (në këtë rast, Jose Luis Braun) për të drejtuar skuadrën. Fakt është me Muçën në krye Dinamo arriti të “vrasë” kampionatin duke siguruar titullin kampion që në përfundim të fazës së dytë (jo matematikisht), pra 11 javë para fundit të sezonit, si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e Kampionateve shqiptare. Por marrëdhëniet e ftohta mes tij dhe drejtuesve të klubit kanë bërë që edhe kur gjërat tek Dinamo “shkojnë vaj”, vendi i trajnerit të jetë gjithnjë në diskutim.
Braun
Argjentinasi, Kampion Bote në “Meksikë 1986” në kohën e Diego Armando Maradonës pas përfundimit të karrirës si futbollist ka drejtuar disa skuadra në kontinentin amerikano-latin por pa ndonjë sukses të madh. Në vitin 2000 ai u pa si tekniku i parë i të sapongjiturve në futbollin elitar argjentinas të Club Almagro. Pas një sezoni lëvizi për te Nueva Chicago, por u shkarkua që nga drejtimi pas vetëm 11 javësh për rezultate të dobëta. Në 2002 u shkarkua pas 16 javëve nga bolivianët e Blooming, edhe pse pati rezultate disi më të mira. Më pas ai vendosi të merret më shumë me futbollin e të rinjve të Estudiantes. Por në 2004 Barun u punësua nga drejtuesit e Atlético Rafaela, skuadër kjo e kategorisë së dytë në Argjentinë. Nga këtu u largua në prill të 2005 pas mosmarrëveshjeve me presidentin e klubit duke u kthyer sërish te Almagro, e cila kishte rënë në kategorinë e dytë. Por në 2006 ai kaloi në drejtim të Ben Hur, dhe në 2007 tek Ferrocarril Oeste, skuadër të cilën e drejtoi deri në maj 2007. Në dhjetor të po atij viti Braun pranoi të drejtonte kombëtaren e U-17 të Argjentinës së bashku me Serxhio Batista. Ky i fundit, një vit më vonë mori kombëtaren U-20 dhe së bashku me Jose Luis Braun e drejtuan këtë skuadër dhe në Lojërat Olimpike të 2008-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›