Fino konsultim me deputetët për emrat e kandidatëve të PS
Muaji shkurt është afati i fundit që Partia Socialiste i ka vendosur vetes për të përzgjedhur kandidatët për kryetar të njësive vendore, në bashki, njësi bashkiake dhe komuna. Për këtë qëllim sekretari për çështjet e Pushtetit Vendor, Bashkim Fino, po zhvillon këto ditë një sërë takimesh me deputetët e secilit qark, të cilëve u ka dhënë jo vetëm udhëzime për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve deri në finalizim, por edhe ka pritur nga disa qarqe propozimet e para. Bëhet fjalë për fazën e parë të përzgjedhjes, ose thënë ndryshe të kandidatëve për kandidat, e cila është bërë nga deputetët e qarqeve në bashkëpunim me krerët e partisë në bazë, një procedurë kjo që mikson mendimin e bazës me atë të të zgjedhurve në Parlament. Nga burime pranë këtyre takimeve mësohet se deputetët do të përcjellin kandidaturat e përzgjedhura në fazën e parë për çdo komunë dhe bashki dhe pasi t’ia bëjnë të ditur PS-së në qendër, do t’i konsultojnë ato me asambletë rretheve, nga ku natyrisht pritet që të vijë dhe ndonjë propozim shtesë. Ndaj në ditët në vijim PS pritet të mbledhë asambletë e rretheve, ku do të diskutohet për kandidaturat e evidentuara deri më tani, por edhe për të përfshirë në këto lista edhe ndonjë kandidaturë tjetër. Asambletë natyrisht do të përzgjedhin në fund jo më shumë se tre kandidatë për çdo njësi. Më pas vendimmarrja finale do i përkasë kryesisë së Partisë Socialiste, e cila do të zgjedhë vetëm njërin. Kryesia e PS-së do të bëjë përzgjedhjen e saj duke patur parasysh edhe detyrimet që do t’i lindin nga marrëveshja që do të nënshkruhet në vazhdim me partitë aleate për t’u lënë atyre zona të lira. Ndërkohë që faza e përgatitjes nuk ka të bëjë vetëm me përzgjedhjen e kandidaturave, pasi ndërkohë mësohet se PS ka nisur të ngrejë dhe shtabet përkatëse elektorale. Megjithëse po bëhet gati për zgjedhjet vendore, selia rozë nuk ka bërë të qartë nëse do të hyjë në zgjedhjet e 8 Majit apo përgatitjet bëhen në funksion të një procesi zgjedhor të mëvonshëm, pasi siç dihet kjo forcë politike ka bërë të ditur se nuk do lejojë që të bëhen zgjedhje në këto kushte dhe pa reformën elektorale.