Rama: Demonstrata deri në zgjedhje të reja e të lira
Historia e Aleks Nikajt, protestuesit të katërt që humbi jetën pas plagëve të marra në demonstratën e 21 Janarit, ishte pikënisja e fjalës së djeshme të kreut të opozitës, Edi Rama, në tubimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kreu i Partisë Socialiste u ndal një për një në secilin prej viktimave, duke dhënë mesazhe qëndrese dhe, siç tha ai, populli ndodhej në shesh për “Shqipërinë që donin katër burrat që u vranë”. Rama shprehu bindjen se në emër të atyre parimeve e vlerave që e shtynë në rrugën e demokracisë njëzet vjet më parë, duke ëndërruar Amerikën e Europën, kundër tiranisë së Enver Hoxhës, ky popull është përsëri në rrugë, siç tha ai, kundër regjimit vrastar të kusarisë. “Dhe, pa asnjë dyshim, do të vazhdojë në rrugën e demonstratave, deri kur të ketë rifituar të lirinë e të drejtën për të zgjedhur qeverinë që do, me zgjedhje të reja, të lira e të ndershme”, këmbënguli Rama. Sipas tij, demonstruesit e 21 Janarit, njësoj si policët e thjeshtë, u bënë mish për të njëjtin top, topin e regjimit vrastar të kusarisë. Rama akuzoi Kryeministrin se i ndau shqiptarët në kokëpalarë, që duhen vrarë me pushkë a me fjalë të rënda, dhe policë, që duhen gënjyer, me lëmoshë e llafe të bukura. “Ne i duam shqiptarët bashkë, të gjithë të larë pranë detit, të gjithë të ngrënë pranë sofrës, të gjithë të nxënë pranë dijes”, këmbënguli Rama. Gjatë fjalës së tij, lideri opozitar kujtoi vitin ‘98 kur, sipas tij, Tirana pa djegien e shkatërrimin e Kryeministrisë nga njerëz të armatosur deri në dhëmbë, por nuk ka asnjë të vrarë me pushkë. “Tirana që më 21 janar kishte vetëm një arsye për të parë të vrarë. Kjo arsye nuk ishte as në fjalët e opozitës para demonstratës, as në mënyrën e organizimit të demonstratës, as në reagimin e dhunshëm të demonstruesve ndaj provokimit kriminal të atyre që hodhën ujë e bomba pa filluar demonstrata. Kjo arsye është aty, në atë godinë, në tryezën e asaj që quhet qeveria e Shqipërisë, po që në fakt është vetëm pushteti i kusarisë”, insistoi Rama. Kjo arsye është arsyeja e hajdutit të kapur në flagrancë, shtoi ai, që bërtet kapni hajdutin, dhe pastaj vret, në panik, duke kërkuar qorrazi rrugën e shpëtimit. “Rrugën e shpëtimit që kërkojnë sot Saliu, Luli, Iliri dhe ata që në atë qeveri kanë kryer vepra të rënda, krime të pashoq ekonomikë, kundër Shqipërisë e shqiptarëve, për përfitimet e tyre personale. Janë ato përfitime të paligjshme dhe dalja në dritë e vetëm disa prej zullumeve të tyre të panumërueshme e të pafalshme, që u kanë kallur, mu në shpirt, frikën e hajdutit të zënë me presh në duar”, theksoi Rama. Frikë që, sipas tij, i bën të shohin me sy hapur ëndrra të tmerrshme, me puçe e me përmbysje të dhunshme nga karrigia. “Me çadra-pushkë, stilolapsa-revolver, thika me helm, që u shkrepen e u ngulen në trup teksa ata kanë mbetur vetëm. Sepse Presidenti i Republikës mbush pushkët e opozitës. Prokurorja e Përgjithshme furnizon opozitën me barut për stilolapsat pistoletë. Shefi i Shërbimit Informativ u hedh helm vdekjeprurës thikave”, ironizoi Rama. Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe publikut, kreu i PS-së tha se opozita është e vetmja shpresë për t’u hequr kusarëve nga duart shkollat e spitalet, abetaret e ilaçet, e vetmja shpresë për t’u hequr sipërmarrësve nga shpina kërbaçin e xhahilëve të pushtetit. “Jemi të vetëdijshëm për sakrificat e mundimet e kësaj rruge, sepse e dimë mirë se çfarë është në gjendje të bëjë, për të qëndruar aty ku është, regjimi vrastar që kemi përballë”, tha ai. Teksa iu drejtua kryeministrit Berisha nga foltorja para godinës së Këshillit të Ministrave, Rama tha: “nuk të shpëton dot prej asaj frike që të ka bërë armik të betuar me Presidentin e vendit tënd - e ke zgjedhur vetë -, me Prokuroren e Përgjithshme - e ke zgjedhur vetë -, me Drejtorin e Shërbimit Informativ apo me këdo që të duket ty si puçist, pak a shumë gjithë Shqipëria, as manipulimi me shqetësimin e miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë për krizën që e ke shkaktuar po ti vetë”. D.M.