E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita i rikthehet protestave politike: Drejtësi për viktimat

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 19-02-2011 10:01

Tiranë- Nën tingujt e “Conquest of Paradise”, Partia Socialiste i është rikthyer dje protestave politike, duke zëvendësuar marshimet e heshtura që pasuan demonstratën e 21 Janarit. Katër shtylla të kuqe, mbishkruar me emrat e katër personave që humbën jetën gjatë demonstratës së 21 Janarit; një baner me fotot e tyre dhe pankarta “Justice-Drejtësi” ishin simbolika e protestës së djeshme, ku nuk mungoi foltorja për të plagosurit, miqtë e viktimave, qytetarë e në fund për liderin e opozitës, Edi Rama. Ashtu dhe si gjatë dy protestave të fundit, përfaqësuesit e opozitës, me shirita të verdhë në krah ishin vendosur në të gjithë hapësirën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të garantuar qetësinë e protestuesve dhe për të shmangur çdo të papritur. Pak minuta pas orës 16:00, i cili ishte dhe orari zyrtar i nisjes së protestës, u dukën dhe protestuesit e parë, të cilët mbanin në duar dhjetëra pankarta dhe një flamur të madh. Marshimi i tyre dukej se ishte me të njëjtin ritëm me muzikën. I pari që çeli siparin e protestës ishte kryetari i Sindikatës së Minatorëve. “Kur u rrëzua diktatura komuniste, ne minatorët ishim në pararojë të demonstratave e protestave. U rrahëm e u keqtrajtuam që në Shqipëri të vendosej demokracia. Por sot më duhet t’ju kërkoj falje për një gjë: sepse ne ndihmuam që në pushtet të vinte Sali Berisha. Kur u ngritëm në protesta më 1991 e dinim se kishim përballë një diktaturë të egër”, -tha Xibri gjatë fjalës së tij. Pas tij, në foltore u ngjit Hysni Peposhi, miku i Hekuran Dedës, i cili mbante të veshur po të njëjtin xhup që kishte në datën 21 Janar, por këtë herë pa njollat e gjakut të mikut të tij. “Unë isha aty atë ditë bashkë me mijëra të tjerë. Bashkë me shumë nga ju. E pashë Hekuranin kur e vranë. E pashë kur u rrëzua në tokë. Isha aty kur ai dha shpirt, kur shoku im dha shpirt dhe nuk mund t’i harroj kurrë ato momente. Përse duhet të vriteshin ata? Ishim pa armë, nuk ishim as të droguar, as banditë, as të paguar e as po sulmonim Kryeministrinë. Unë ia kam borxh Hekuranit që ta çoj drejtësinë në vend” – mbylli fjalën e tij Peposhi. Qetësia që kish rënë në bulevard prishej herë pas herë nga thirrjet e protestuesve, të cilët kërkonin largimin e Berishës dhe vënien përpara ligjit të atyre që vranë Nikajn, Dedën, Myrtajn dhe Veizin. Më pas në foltore u ngjitën dhe shumë persona të tjerë; të plagosur, të dëmtuar në demonstratën e 21 Janarit. Vetëm pak minuta përpara ngjitjes së tij në foltore, kreu i PS-së, Edi Rama, qëndronte i ulur në një prej bordurave të “Kullave Binjake” dhe i jepte dorën e fundit fjalimit të tij, i cili edhe këtë herë u prit me brohoritje nga ana e mijëra protestuesve të mbledhur në shesh. Fundi i fjalës së Ramës do të shënonte edhe fundin e protestës në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›