Fiorentina e West Ham merren vesh për Behramin

Fiorentina dhe West Ham kanë arritur marrëveshje për transferimin e Valon Behramit në klubin Viola. Në fakt, futbollisti kosovar në parim kishte arritur marrëveshje me klubin italian, ndërsa të premten edhe klubet e kanë gjetur gjuhën e përbashkët, shkruajnë mediat italiane.
Sky Sport shkruan se udhëheqësit e të dyja klubeve do ta mbyllin të shtunën këtë çështje, me ç’rast 25-vjeçari do të nënshkruajë kontratë për tri vjet e gjysmë me klubin nga Firenze, deri në verën e vitit 2014.
Ndërkohë, shuma të cilën do ta paguajë klubi Viola për përfaqësuesin zviceran sillet rreth 4 milionë euro. Mitrovicasi pritet të mbërrijë të shtunën në Itali, për t’iu nënshtruar testeve fizike, e për t’u prezantuar më pas të dielën zyrtarisht para mediave.
Trajneri i Fiorentinës, Sinisa Mihajlovic ka thënë se i vlerëson lart cilësitë e Behramit, të cilin mund ta ketë në dispozicion nga fillimi i javës së ardhshme. Ditë më parë ish-futbollisti i Lazios ishte pranë transferimit në Romë, por tifozët Giallorossi nuk e deshën atë në ekip.