“Baby” Shtraser e bën Milanin kampion të dimrit
Milani fitoi me Kaljarin me një gol të realizuar nga Shtraser dhe u shpall kampioni i dimrit me një ndeshje përpara përfundimit të fazës së parë të kampionatit italian. Lacio u frenua në Xhenova, ndërkohë që Roma nuk u mposht dhe tani është –7 pikë nga kreu. Është një djalosh 20-vjeçar, Rodnej Shtraser, ai që u dhuroi kuqezinjve tri pikë të arta në sfidën e Kaljarit. Skuadra e Masimiliano Alegrit rrezikoi gjatë gjithë takimit, por vetëm në minutën e 85-të “baby” Shtraser gjeti rrugën e rrjetës, pas protestave të sardëve për një pozicion jashtë loje milimetrik të autorit të golit. Asisti ishte i Antonio Kasanos.
ALEGRI – Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, u shpreh i kënaqur pas ndeshjes. “Ishte një fitore me vuajtje të mëdha, për më tepër që erdhi me një gol të një të riu që vjen nga sektori i të rinjve, besoj se do të jetë një kënaqësi dhe për klubin. Më jep kënaqësi të madhe si klasifikimi, por edhe për faktin që e nisëm vitin, paksa më mirë se sa e përfunduam”. Alegri foli dhe për blerjen e re, Kasanon: “Sigurisht nuk ishte në kondicionin e duhur, pasi ishte dy muaj pa stërvitje, por bëri gjithçka mirë. E rëndësishme është që ai të stërvitet mirë”.
DEL NERI – Juventusi humbi 4-1 me Parmën, në një ndeshje për t’u harruar nga bardhezinjtë torinezë. “Përjashtimi më karton të kuq i Melso kondicionoi mënyrën tonë të luajturit në fushë. Ka nevojë të jemi të qetë, pasi ky rezultat nuk ndryshon asgjë nga ajo që kemi bërë deri tani. Tani duhet të shkojmë në Napoli duke kërkuar të ndryshojmë sa më shpejt këtë situatë”, - ky ishte reagimi i trajnerit të Juventusit, Del Neri, menjëherë pas humbjes. Trajnerit nuk i pëlqeu mënyra e lojës së skuadrës. “Karakteristikat tona janë intensiteti dhe aplikacionet dhe sot (dje) munguan. Duhet të kërkojmë falje”. Në të njëjtën linjë ishte dhe Alesandro Del Piero, i cili luajti vetëm një pjesë loje pas sakrifikimit që bëri për shkak të ndëshkimit të Melos. “Duhet të kemi kapacitetin për të reaguar nga gabimet”. Juventusi nuk humbiste me rezultatin 4-1 në shtëpi prej 43 vjetësh.
TË TJERAT - Lacio rrëshqiti –5 pikë nga kreu pas barazimit pa gola me Xhenoa. I pafat Hernanes, që në pjesën e dytë goditi shtyllën. Roma mundi 4-2 Katanian në një ndeshje të pasur me gola dhe episode. Pas golit të Borierlos, verdhekuqtë u ndjenë në dizavantazh pas golave të siçilianëve me anë të Silvestres dhe Maksi Lopezit. Në pjesën e dytë, Ranieri ndryshon gjithçka: jashtë De Rosi dhe Simpiliço, brenda Greko dhe Perrota. Ishte sërish Borrielo ai që shënoi golin e barazimit 2-2, ndërsa Vuçiniç shënoi golat e fitores edhe pse kishte pak minuta që kishte hyrë në lojë. Një ndeshje e mirë edhe për Palermon, që në “Barbera” Likuidoi Sampdorian 3-0 dhe tani është një pikë më pak se Juventusi: Mikoli shënoi në pjesën e parë, Miljaço dhe Makarone në pjesnë e dytë. Përfundoi 1-1 sfida në “Dall’Ara” midis Bolonjës dhe Fiorentinës: Santana iu përgjigj golit të shpejtë të realizuar nga Di Vaio. Udineze fitoi 2-0 me Kievon falë golave të Sançezit dhe Di Natales. Breshia u mund 2-1 në shtëpi nga Çezena e Bogdanit. Shënuan Himenez, Çekareli dhe Eder. Bari fitoi 1-0 derbin me Leçen falë golit Okakës.
Bogdani, asist në golin e fitores
Çezena e Erjon Bogdanit arriti një fitore shumë të rëndësishme në transfertë me Breshian. Sipas mediave italianes, edhe pse sulmuesi shqiptar nuk pati shumë topa në përdorim, bëri një punë të rëndë, duke ofruar edhe pasimin për golin e dytë të ekipit të tij, të shënuar nga Çekareli. Në minutën e 66-të ai u zëvendësua nga Budan.
FOTOLAJM
1400 km për të dalë foto me Lalën
Mesfushori shqiptar i Hanoverit, veterani Altin Lala, është një ndër më të preferuarit e tifozëve të klubit gjerman të Bundesligës 1. Dy tifozët përshkruan më makinën e tyre jo pak, por 1400 km rrugë me një itinerar të pabesueshëm Hannover –
Prag – Budapest – Beograd – Sofia – Stamboll – Ankara – Antiokia – Damask – Alanya.
Del Bosque, trajneri i vitit
Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) zgjodhi trajnerin e Spanjës, Visente del Boske, si trajnerin më të mirë të ekipeve kombëtare për vitin 2010. Spanjolli, i cili fitoi titullin e kampionit të botës në Afrikën e Jugut, e kishte fituar çmimin prestigjioz edhe në vitin 2009. Del Boske u votua nga 71 vende duke grumbulluar 298 pikë sipas sistemit që përdor IFFHS-ja. Trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, përfundoi i dyti falë shpërthimi të lojës ofensive të “Die Mannschaft”, që e përfundoi në vendin e tretë në Botërorin afrikanojugor. Bert Marvijk i Holandës dhe Oskar Tabarez i Uruguait kompletojnë “Top-4”. Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, renditet i shtati. Dy ish-futbollistë të Kombëtares së Argjentinës, por që janë në ngarkim të dy ekipeve kombëtare nga Amerika e Jugut, Gerlado Martino me Paraguain dhe Marselo Bielsa me Kilin, janë të përfshirë midis tetë trajnerëve më mirë. Interesant është fakti se Zllatko Kranjçar, ish-trajneri i Kroacisë dhe tani në drejtimin e Malit të Zi, renditet në vendin e dhjetë.
10 TRAJNERËT MË TË MIRË
1.ViSente del Bosque Spanjë 298
2.Johakim Lëv Gjermani 168
3.Bert van Marvijk Holandë 125
4.Oskar Tabarez Uruguai 98
5.Milovan Rajevac Ganë 41
6.Marcelo Bielsa Kili 22
7.Fabio Kapello Angli 15
8.Gerardo Martino Paraguai 11
9.Dunga Brasil 7
10.Zlatko Kranjçar Mali i Zi 7
Hoze Murinjo, trajneri i “Topit të artë”?
Mediat ndërkombëtare raportuan se Hoze Murinnjo, trajneri aktual i Realit të Madridit, është fituesi i çmimit prestigjioz “Topi i artë – FIFA” për vitin 2010. Gazeta spanjolle “El Mundo Deportivo” shkruante se Murinjo do ta fitojë trofeun e lakmuar – jepet zyrtarisht ditën e hënë, më 10 janar – falë tripletës që ai fitoi me Interin sezonin e kaluar, ku ai fitoi kampionatin italian, Seria A, Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Italisë. Vetë Murinjo deklaroi se ai mund të ishte fituesi, por ai nuk dëshironte të shprehej pa u bërë publike nga FIFA.
7 Janar 2011