Toni: Tek Juve, për fitore

Sulmuesi italian, Luca Toni është prezantuar zyrtarisht pasditen e sotme si lojtar i Juventus. “Jam shumë i lumtur. Të luash për Juventusin është një ëndërr që realizohet”, u shpreh Toni në deklaratat e para si futbollist bardhezi.
Edhe pse Juventus nuk është në pozitat më të mira pas humbjes së djeshme ndaj Parmës me rezultatin 4-1, Toni beson ende tek titulli kampion: “Njoh futbollistët e Juventus dhe e di që janë të uritur për fitore. Unë kam shumë besim se mund të fitojmë titullin kampion. Vitin e kaluar, kur u transferova tek Roma, skuadra ishte në të njëjtat pozita në klasifikim dhe në fund për pak sa nuk fituam titullin. Gjithçka mund të ndodhë.”
Luca Toni është transferuar nga Genoa tek Juventus dhe shoqëria bardhezi nuk ka paguar për këtë transferim.
Në këtë mënyrë, duke dhënë falas sulmuesin e tyre, xhenovezët kursejnë rrogën prej 6 milionë eurosh që merrte ish-sulmuesi i Bayern Munchen.