E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e përgjakur e anëtarësimit

Shqipëria gërdece ndodhet në prag të një anëtarësimi të mundshëm në NATO. Gjithsesi, nëse ndodh, do të jetë një anëtarësim i përgjakur i saj. Në këtë situatë traumatike lindin edhe pyetje tronditëse që në finale të përgjigjeve reale të tyre, mund të rezultojnë edhe tërësisht të pavlera: Cili shtetar do të guxonte të firmoste për një anëtarësim të tillë tragjik? A duhet të firmosë për këtë anëtarësim Sali Berisha (me emër dhe mbiemër), përgjegjësi kryesor i krimit të lemerishëm shtetëror në Gërdec ? Kurrsesi, jo! Ai po mundohet ta mbulojë këtë krim makabër me alibi reformash të tjera, për të vrarë sërish. Kryeministri Berisha duhet vendosmërisht të largohet nga posti dhe të dorëzojë imunitetin, për t'u hapur rrugën hetimeve të Prokurorisë. Në një linjë disi "më të butë", mund të thuhet se as presidenti Topi nuk do të duhej ta firmoste këtë akt të mundshëm, pavarësisht se merr telegrame ngushëllimi nga përfaqësues të lidershipit të sotëm botëror. Si Kryetar i Shtetit dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ai drejton edhe mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të vendit, ndaj nuk mund të shmanget nga përgjegjësia për këtë katastrofë, të shkaktuar nga krimi i rëndë shtetëror. E rëndë do të ishte edhe për Ministrin e ri Oketa. Pafajësia e pamjes së tij, nuk e mbulon dot tragjedinë që pllakosi në Gërdec dhe në tërë Shqipërinë.
Pra, kush do ta firmoste aktin e një anëtarësimi të mundshëm të Shqipërisë në NATO? Vetëm një gjë dihet. Kushdo që do ta firmoste këtë akt madhor në emër të Shqipërisë së mbetur gërdece, në momentin e nënshkrimit pena do të kullonte gjakun e njerëzve të pafajshëm të Gërdecit dhe të zonës përreth, mes tyre, shumica gra e fëmijë…
Katastrofa tragjike që shpërtheu në Gërdec nxori nga krateri i shpërthimit të vërtetën lakuriqe, se nuk janë vetëm reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi ato që nuk janë realizuar nga kjo qeverisje totalisht e falimentuar. E vërteta e madhe, është se edhe arritjet e propaganduara në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit kanë pasur dozat më të larta të falsitetit në qeverisje. Përmes këtij falsiteti të lartë, këto dukuri janë zhvilluar fshehurazi, në mënyrë tragjike, përmes përfshirjes lebeti të pushtetarëve dhe klaneve të tyre në to.
Gërdeci fatkeq varrosi mbi gërmadhat e tij, propagandën false mbi arritjet e reformave modernizuese në ushtrinë tonë, duke nxjerrë nga krateri i shpërthimit të tij apokaliptik të vërtetën e gjakosur, se këto reforma kanë qenë shumë të përcipta. Duke vlerësuar misionet e kompanive tona paqeruajtëse në rajonet e konflikteve të sotëm në botë, rezultojnë thuajse të dështuara në procesin e zbatimit të tyre, ato që deri më sot janë trumbetuar si arritje legjislative për ndryshimin e arsenalit luftarak dhe përmirësimin e personelit ushtarak. Në këtë kontekst, katastrofa e Gërdecit tregoi se drejtimi i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i Ushtrisë, ka qenë përvetësuar nga bashibozukë të vërtetë.
Në këtë finale anëtarësimi, vlen të thuhet se ndërkombëtarët, sigurisht që na duan të jemi anëtarë të NATO-s, ndonëse Shqipëria nuk plotëson thuajse asnjë kusht kryesor nga ato që vetë ata kanë përcaktuar. Tashmë, ata e dinë fare mire se dëshira e madhe e shqiptarëve për t`u bërë pjesë e këtij organizimi të fuqishëm Euroatlantik, u godit dhe u nëpërkëmb nga zelli tërësisht fals i pushtetarëve të radhës. Fasada e gënjeshtërt e këtij zelli të paepur të tyre shërbeu për të mbuluar korrupsionin galopant qeveritar. Në këtë kontekst, ata na duan sepse e dinë dhe e ndjejnë që populli shqiptar e do anëtarësimin në NATO përmes një instinkti të brendshëm euroatlantik, e do këtë anëtarësim me një sinqeritet të pashoq dhe devocion deri tragjik. Ndërkombëtarët nuk na duan vetëm që të çojmë kompani paqeruajtësish si nizamë në rajonet e botës, ku ata kanë me shumicë edhe bijtë e tyre. Ata na duan edhe për arsye gjeostrategjike, ndaj, mund të na pranojnë edhe kështu siç kemi katandisur. Por, me siguri, brenda koshiencës së tyre politike dhe njerëzore, edhe ata kërkojnë një anëtarësim të denjë dhe të merituar të Shqipërisë përmes reformash të thella dhe të vërteta, që edhe kompanitë paqeruajtëse të saj të militojnë në rajonet e nxehta të konflikteve në botë nën flamurin shqiptar.
Ja përse, në këto kushte, pena e nënshkrimit të aktit madhor të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë gërdece, do të kullonte gjakun e njerëzve të pafajshëm që u gjetën dhe mbetën nën rrënojat që la pas krimi shtetëror, ende i pandëshkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›