E Shtunë, 31 Tetor 2026

GËRDECI: ALIBIA E FUNDIT?

 
Ndërsa vjet, me një numër ekspertësh të Institutit Europian të Tiranës, në kuadrin e një projekti të financuar nga Fondacioni SOROS, po monitoronim zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Migracionin, më kanë ngelur të paharrueshme disa prej momenteve të këtij aktiviteti. I përgatitur dhe miratuar nga Qeveria Shqiptare, në maj 2005, me financim të Komisionit Europian, ky plan parashikonte 66 masa konkrete, në formë aktivitetesh, ngritje kapacitetesh, amendim apo miratim legjislacioni të ri etj., etj. Realizimi i tyre duhet të ndodhte në masën 90% qysh në vitin 2006 dhe përgjegjëse për këtë ishin ministritë kryesore. Rezultatet e realizimit ishin mediokre; vetëm 27% e masave ishin realizuar. Arsyet ishin të ndryshme por, midis tyre, mbi të gjitha qëndronte pushimi masiv dhe ndryshimi i stafit që deri atëherë kish punuar për përgatitjen jo vetëm të këtij plani, por edhe të Strategjisë, në zbatim të së cilës ish përgatitur ai. Kur ne filluam monitorimin, gjetëm pra, në zyrat e ministrive përgjegjëse, njerëz dhe stafe të rinj, të cilët kishin filluar punë pas korrikut 2005. E pra, në takimet me ta, më kanë ngelur në mendje disa momente të veçanta. Më kujtohet shikimi i sikletshëm dhe dyshimi për praninë tonë të një funksionari tepër të lartë të Ministrisë së Jashtme. Dukej qartazi se monitorimin tonë, krejt normal në kuadrin e shoqërisë civile e konsideronte, as më shumë e as më pak, një "hetim" me qëllime krejt të dyshimta, pse jo "në shërbim të opozitës". Për çdo informacion që kërkonim, në lidhje me realizimin e masave konkrete, përgjigja ishte në shumicën e rasteve: "duhet të pyes më parë ministrin", "nuk jam i autorizuar" edhe pse kishim të bënim me një politikë publike, pra, të hapur për qytetarët. Edhe kur "guxonte", e sidomos në ato raste kur mendonte se kishim të bënim me një sukses të tij, edhe atëherë të dhënat që "nxirrte" ishin vërtetë qesharake. Kështu, nuk kam për ta harruar kurrë kur, pyetjes sonë në lidhje me "krijimin e një baze të dhënash për shoqatat kulturore të shqiptarëve në diasporë, bazë e cila duhej të publikohej në siti-in e Ministrisë së Jashtme, drejtuesi i lartë na përgjigjet: "Po e kemi bërë, është në këtë dollapin këtu". Një herë tjetër, një tjetër drejtor i lartë i Ministrisë së Bujqësisë, pasi u përpoq një kohë të mirë të na mbushte mendjen që nuk e kishte idenë se ç'ishte ky plan, më së fundi, shpërtheu: "Epo ne nuk mund të zbatojmë vendimet e qeverisë së mëparshme...!". Ç't'i kërkoje më tej atij? Raste të tilla ishin në fakt, të shumtë.
Në fakt, shumica e stafit që do t'i takonte të zbatonte këto dokumente ishin të rinj, të sapoemëruar, me kontratë të paligjshme në raport me legjislacionin aktual shqiptar për Administratën Publike i cili parashikon konkurrimin publik, si mjet të rekrutimit në këtë administratë. Të paligjshme, siç kishin qenë pushimet e paraardhësve të tyre. Rezultati kuptohet: nga 15 institucione dhe ministri të ngarkuara të zbatonin këtë dokument, vetëm 8 prej tyre e dinin se ai ekzistonte.
Më kujtohet, atëherë mbeta i shokuar nga kjo situatë të cilën, pa ekzagjerim, do ta quaja të çmendur. Sidomos, më dhembte më shumë, kur konstatoja një diferencë të jashtëzakonshme midis fjalimeve publike të politikanëve në lidhje me çështjen e migracionit, me punën reale që bëhej në shtetin shqiptar për trajtimin e tij. Më saktë, atë që s'bëhej. Atëherë u shokova, por sot, pas disa vitesh pune në kuadrin e shoqërisë civile, kam parë edhe më keq. Dhe jo vetëm në fushën e migracionit…
Mu kujtuan sot, të gjitha këto, ndërsa krerët politikë të këtij shteti po mundohen të "ngrenë" ngrehinën e alibisë më të fundit për tragjedinë e Gërdecit. Pasi kishin dështuar më parë, me "firmën private", "veçse transport", "nuk dinim gjë" etj., etj., ja pra edhe alibia e fundit. Fajin e kanë të gjitha institucionet përgjegjëse të shtetit, të sigurisë, socialit, shërbimet informative etj., etj., ndërsa ata, me Kryeministrin në krye, nuk kanë asnjë faj. Jo vetëm kaq, por sipas tyre, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për reforma të thella në këto institucione.
Por a nuk i reformuam ata qysh prej korrikut të 2005-ës? A nuk "zbuam" prej tyre korrupsionin dhe a nuk vumë në krye të tyre, juristët më të shkëlqyer, ekonomistët më të mëdhenj, talentet e paarritshëm nga askush? Të tre këta njerëz dhe në fakt, nuk janë të vetmit në këtë vend, kanë të drejtë kur thonë se asnjë nga këta institucione shtetërorë nuk funksionoi, më saktë, nuk ekzistoi në Gërdec. Nuk funksionoi Ministria e Mbrojtjes, sepse i kish të gjitha mundësitë ta bënte këtë aktivitet ndershëm, pa rrezik e pa korrupsion. Dështoi Shtabi i Përgjithshëm, se bashkëpunoi dhe nuk u përgjigj negativisht. Nuk funksionuan Shërbimet Sekrete sepse nën hundën e tyre, po zhvillohej një aktivitet kriminal dhe nuk e ndoqën, kontrolluan e rrjedhimisht nuk raportuan për të. Dështoi Ministria e Financës dhe institucionet e saj të varësisë sepse nuk ushtruan asnjë kontroll financiar. Më tej akoma, dështuan Shërbimet Kombëtarë të Punësimit, të Sigurimeve Shoqërore etj., etj.
Ata, kanë të drejtë kur mendojnë e thonë se këto institucione dështuan. Por ata nuk thonë më të rëndësishmen, ose më saktë e fshehin atë. Përse dështoi shteti shqiptar? Përse institucionet e tij, me veprimet apo mosveprimet e tyre, vranë dhe shkatërruan jetën e qindra shqiptarëve të mjerë?
Institucionet e këtij shteti, vërtetë dështuan. Por ata nuk dështuan se nuk u reformuan apo sepse kanë nevojë të reformohen. Jo. Ata dështuan sepse u "reformuan" keq nga këta tre njerëz dhe të tjerë të grupit të ngushtë të tyre. Ata, dështuan sepse reformimi i tyre u bë mbi baza jo të ndershme dhe vizionare. Përkundrazi, qysh në korrik të 2005, nën thirrjet mashtruese të luftës kundër korrupsionit, nepotizmit, etj., etj., këta njerëz nuk kishin për qëllim të reformonin shtetin dhe politikat dhe institucionet e tij në Shqipëri por, veç kontrollin absolut të tyre. Që me ardhjen e tyre në pushtet, nën thirrjet e mësipërme, ata synuan dhe arritën të zotërojnë e kontrollojnë të gjitha pushtetet, institucionet dhe asetet e këtij shteti të varfër. Politikat e tyre, sidomos ato që kishin të bënin me administratën publike të institucioneve që sot konsiderohen të dështuara, jo vetëm nuk i përmirësuan këto të fundit por, pa e ekzagjeruar, i shkatërruan nga themelet. Kjo administratë, kudo, në ministritë dhe institucionet qendrore, por edhe më tej, u godit fatalisht nga pushime masive e të paligjshme të profesionistëve të vet, për t'u zëvendësuar nga militantë të paaftë, të rrezikshëm e frikacakë. Edhe emërimet edhe shkarkimet në të, dihen tashmë nga të gjithë, në 90% të rasteve kanë qenë të paligjshme dhe arbitrare. Dhe kjo ka qenë e qëllimshme; kërkoheshin shërbëtorë dhe jo funksionarë të vërtetë. Kërkoheshin të tillë, sepse vetëm të tillë mund t'i kontrollosh pa asnjë problem, t'i përdorësh deri në fund, për të firmosur dokumentet e korrupsionit, pastaj t'i denoncosh, dënosh si të tillë e t'i hedhësh në burg si pa të keq, për të dalë ti sërish i pastër e pa asnjë gjemb në këmbë. E më pas, si Pilati, të lash duart e të drejtosh gishtin drejt tyre si hajdutë e kriminelë.
Këto institucione, administrata e tyre, janë sot të mbushur me militantë të kësaj shumice dhe këtë e ndesh çdo ditë, çdo qytetar që ka të bëjë me ta. Kjo është një administratë politike, tërësisht e varur dhe kontrolluar nga politika. Radhët e saj, janë të mbushur me njerëz që kanë frikë, që janë të pambrojtur nga asgjë, që janë aty në mënyra krejt të paligjshme, vazhdimisht nën presionin dhe ankthin e të nesërmes. E vetmja mundësi mbijetese e tyre, mbetet besnikëria e verbër, deri në sakrifikim, për shefat që i kanë zgjedhur.
Ata janë këta që janë, sepse të tillë i deshën këta njerëz që na drejtojnë. Ndaj, për sa kohë do të mbeten të tillë, mos presim asgjë të mirë e aq më pak, të presim prej tyre që një ditë me diell, në raste si Gërdeci, t'i drejtohen burrërisht, shefit që i ka zgjedhur: Shef, ti po bën korrupsion!?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›