E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazaret e drogës në Itali, masakrohet me thika shqiptari



CASERTA - Një 27-vjeçar shqiptar ka mbetur i vrarë pas një sherri me thika në Caserta të Italisë. Policia ka nisur hetimet dhe dyshon se autorët janë bashkëkombës të 27-vjeçarit. I riu Xhevahir Malaj është gjetur gjysmë i gjallë më plot plagë thike dje në mëngjes nga karabinierët në një rrugë të Casertës. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e këtij qyteti, por ka vdekur në sallën e reanimacionit. Malaj njihej nga policia si person me precedentë penalë veçanërisht për veprën penale të trafikimit të drogës. Policia italiane nisi menjëherë hetimet për ngjarjen, për kapjen e vrasësit dhe në kërkim të identitetit të vërtetë të viktimës, pasi dyshohet se ai është kapur më shumë se njëherë nga policia dhe përherë ka treguar gjeneralitete të ndryshme. Sipas hetimeve paraprake dyshohet se vrasja mund të jetë kryer nga të tjerë shqiptarë për larje hesapesh në pazaret e drogës ku ishte pleksur i riu që u gjet dje i masakruar me thika. Ndërkaq trupi i Malajt është dërguar në morgun e Institutit të Spitalit të Casertës në pritje të tërheqjes nga të afërmit.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›