Vrasja e kunatit, rrëfehet autori
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Vrau kunatin në sy të tre fëmijëve, shfaq pendesë pas arrestimit në polici. Një ditë pas krimit të kryer, Alfred Sefgjini deponoi në polici edhe rrethanat e kësaj vrasjeje. Sipas tij, viktima Alfred Gjeçi ia kishte keqtrajtuar vazhdimisht vajzën e xhaxhait të tij. Por duke qenë se ajo nuk kishte vëlla, atëherë ishte detyruar t’i dilte në mbrojtje vetë ai. Sefgjini ka mohuar para grupit të hetimit për një vrasje të paramenduar. Ai është shprehur se gjithçka kishte ndodhur në momentet e fundit, kur vetë viktima tentoi ta rrihte atë në sy të disa personave të tjerë që ndodheshin në lokal. Madje, i arrestuari deklaroi para oficerëve të Policisë Kriminale se dhëndri i shtëpisë së tij e kishte marrë disa herë peng atë për shkak të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve ndër vite, që ai kishte me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit rreth 6 muaj më parë ishte larguar përfundimisht nga banesa, duke i dhënë fund dhunës së të shoqit ndaj saj. Ajo ishte detyruar të linte edhe tre fëmijët e saj tek banesa e bashkëshortit të saj, derisa fjalën e fundit për të drejtën e prindërimit ta jepte gjykata. Ndonëse, mësohet se në gjykatë nuk kishte mbërritur një padi e tillë për divorc nga asnjëra palë, edhe pse ata jetonin të ndarë. “Ditën e krimit u nisa për të sqaruar konfliktin që vajza e xhaxhait tim kishte me Alfred Gjeçin. Ajo iku nga banesa dhe na kërkoi ndihmë ne. Shkova i armatosur pasi dhëndri im ishte i dhunshëm ndaj nesh. Madje ka pasur raste që ai më ka mbajtur peng edhe mua, por kam heshtur vetëm e vetëm për të shuar konfliktet ndërmjet bashkëshortëve”. Kështu mësohet se është shprehur dje në policinë e Kurbinit Alfred Sefgjini, i cili sipas burimeve është shprehur i penduar për krimin e kryer. Sipas tij, kur kishte shkuar në lokal kishte gjetur mbesat e tij, ndërsa viktima ishte kthyer disa minuta më pas. “Sapo u fut në lokal ai nisi të më ofendonte, ndërsa u afrua që të më godiste. Kishte edhe njerëz të tjerë dhe më erdhi shumë rëndë prej tyre nëse ai vinte dorë, ndaj nxora pistoletën. Doja vetëm ta plagosja, por ai vdiq”, është shprehur më tej Sefgjini. Pas krimit të kryer ai është larguar në Ulëz të Burrelit, ndërsa të afërmit e tij e kanë ndihmuar të gjente numrin e shefit të krimeve të Kurbinit, Martin Dona. Ky i fundit ka dialoguar me të derisa i kërkuari për vrasje i ka treguar vendin se ku ndodhej. Blutë mbërritën në vend dhe e arrestuan. “Më vjen keq për vrasjen dhe për krimin, pasi kurrsesi mbesat e mia nuk kam dashur në asnjë moment të rriten jetime. Kam fëmijë edhe vetë. Megjithatë, kam kryer një krim që nuk më falet”, është shprehur në polici Alfred Sefgjini. Sot pritet që ai të dalë në gjykatë, ku do t’i komunikohet edhe masa e sigurisë për akuzat e vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje.
Ish-polici: Doja ta largoja, jo ta vrisja Jahoelezin
DURRES - Më pak se një çerek karikatori ka zbrazur polici pensionist Zihni Dushku, nga arma e tipit “kallashnikov”, por për fat të keq plumbat e kalibrit 7.62 mm kanë prekur organet jetësore të rivalit të tij 30-vjeçar që punonte në kioskën ngjitur. Gjithçka ndodhi në terrin e natës dhe sipas dëshmive të ish-policit-vrasës, ky i fundit nuk kishte si synim ekzekutimin e fqinjit, por vetëm largimin e tij nga sherri. Por në ato çaste kritike, ish-efektivi i policisë ka humbur kontrollin, duke iu kundërpërgjigjur grushteve me plumba. Vetëm 48 orë pas vrasjes së Hamallajt grupi i punës ka zbardhur tërësisht mekanizmin e ngjarjes, që i mori jetën 30-vjeçarit Marenglen Jahoelezi. Pesë gëzhojat e automatikut, arma “model 56”, si dhe karikatori me 18 fishekë të paplasur janë sekuestruar dhe po i nënshtrohen analizave të detajuara në laboratorin e policisë shkencore. Gjatë 24 orëve të para të qëndrimit në qeli ish-polici është dukur i stresuar, duke shfaqur shenja pendese për atë që ndodhi brenda pak minutash nga gjaknxehtësia. Ndërkaq, policia ka zbardhur tërësisht edhe mekanizmin e ngjarjes. Pasi janë konfliktuar me grushte dhe duke qenë në inferioritet numerik, duket se ish-polici ka gjetur “mbrojtje” tek arma e zjarrit, që e mbante pa leje. Por ky moment gjaknxehtësie i ka kushtuar jetën të riut kryeqytetas që ushtronte një aktivitet modest tregtie në plazhin e Hamallajt. Sipas hetuesve konflikti për zërin e lartë të magnetofonit kishte lindur që në fundjavë, por ai u ndez fuqishëm në fillim të javës, duke i kushtuar jetën Jahoelezit. o.u
Vrau për pronën, mbetet në burg
PESHKOPI - Nuk e ka toleruar aspak Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër vrasësin e vetëm të Ulvi Vranicit, Sali Lokën, pavarësisht se ai ka paraqitur pretendimet e tij në lidhje me vrasjen e kryer në mes të qytetit të Peshkopisë, ditën e diel. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se Loka e ka pranuar vrasjen e Vranicit, por ka shtuar se ajo kishte ardhur pas presioneve të shumta që ai dhe njerëzit e tij kanë pasur herë pas here nga viktima. “Para gjashtë muajsh, - është shprehur në sallën e gjyqit Loka, - Ulviu ka rrahur e kërcënuar djalin e hallës sime, Fatjon Vranicin. Për këtë ne bëmë kallëzim në polici por çështja u mbyll, ndërkohë që konflikti mes nesh mbeti i hapur. Presionet dhe kërcënimet ndaj djalit të hallës time dhe ndaj meje vazhdonin dhe akuza për kanosje mbeti në letër. Edhe ditën e fundit unë kam pasur presion nga Vranici. Nuk durova më gjatë dhe vendosa ta vras”. Këto kanë qenë fjalët e Lokës në seancën për vendosjen e masës së sigurisë, ku u vendos lënia e tij në burg pa afat. h.p