Firma minerare shkatërron rrugën 180 000-euroshe

KUKËS/ Firma e shfrytëzimit të mineraleve shkatërron rrugën e asfaltuar të fshatit Myç-Mamëz. Banorët protestojnë
KUKËS - Një firmë që po shfrytëzon mineralin e hekur-nikelit në fshatin Mamëz të rrethit të Kukësit ka shkatërruar plotësisht rrugën e asfaltuar nga autostrada deri në qendër të komunës, e gjatë 4 kilometër. Për asfaltimin e kësaj rruge buxheti i shtetit shqiptar ka shpenzuar jo pak, por rreth 180 mijë euro.
Por kjo rrugë tashmë është e shkatërruar gati plotësisht pasi mbi të qarkullojnë trailerë me peshë deri në 50 ton, ndërkohë që në bazë të projektit ajo është një rrugë rurale dhe në të lejohen të qarkullojnë automjete deri në 6 ton, pasi edhe shtresa e asfaltit në këtë rrugë ka qenë me një trashësi deri në 5 centimetër.
Lejimi i qarkullimit të automjeteve të rënda në rrugën e fshatit Myç-Mamëz shkel hapur urdhrin e përbashkët të Ministrisë së Transporteve dhe të Ministrisë së Brendshme nr.4210 datë 07-06-2007 mbi "Krijimin e Grupit Task-Forcë me qëllim kontrollin dhe ndalimin e mjeteve me ngarkesë më të madhe se e lejuara që qarkullojnë në rrugë".
Në bazë të pikës 5 të ketij urdhri në këtë rrugë nuk lejohen të qarkullojnë automjete me një peshë më të madhe se 6 ton, ndërkohë që aktualisht në këtë rrugë qarkullojnë trajlerë deri në 50 ton duke shkatërruar plotësisht shtresat e asfaltit. Banorë të fshatrave Mamëz dhe Myç-Mamëz akuzojnë policinë se ajo nuk po e kryen detyrën e saj lidhur me këtë problem, pasi ajo duhet të bllokojë qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë.
Por banorët e këtyre fshatrave pohojnë se policia është e komprometuar, pasi ajo disa herë ka ndërhyrë duke shoqëruar banorët që protestojnë për shfrytëzimin barbar që po i bëhet mineralit të hekur-nikelit nga firma të ashtuquajtura fantazmë të cilat nuk zbatojnë asnjë lloj kriteri duke filluar që nga kriteret mjedisore.
Banorët e fshatit Mamëz i janë drejtuar me letër ministrit të Punëve të Brendshme Lulzim Basha, ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ku kanë kërkuar transparencën e dhënies së lejeve të këtyre firmave, pasi komuniteti nuk është pyetur. Një grup banorësh të fshatit Mamëz kanë marrë edhe një takim me prefektin e Kukësit Elez Maçi dhe me kryetarin e Këshillit të Qarkut, Shefqet Bruka.
Prefekti Maçi u ka dhënë të drejtë banorëve lidhur me kërkesat e tyre për bërjen e transparencës në dhënien e lejeve për shfrytëzimin e parcelave minerale, ndërkohë që rruga për të cilën fshatarët pretendojnë, është në inventarin e Këshillit të Qarkut.
Bëhet e ditur se kryetari i këtij këshilli, Shefqet Bruka, ka thirrur përfaqësuesit e firmës për dëmtimin e rrugës, por përgjigja e marrë prej tyre ka qenë pagesa e taksës komunës përkatëse.
Megjithëse kryetari i qarkut ka njoftuar policinë, automjetet e firmës që kanë një tonazh 10 herë më shumë se ai i lejuari vazhdojnë të qarkullojnë. "Firma po na shkatërron rrugën, por po na shkatërron edhe jetën, pasi pluhuri që shpërndahet është bërë një rrezik për jetën e banoreve.
Kjo rrugë është rurale dhe nuk është bërë për transport mineralesh. Rruga kalon mes përmes shtëpive të fshatit Mamëz duke e bërë këtë fshat të pabanueshëm",- thotë banori Haxhi Leka. Të njëjtën gjë përsërit edhe banori tjetër i këtij fshati, Hysen Selmani.
Banorët e fshatit Mamëz u kanë kërkuar edhe një herë autoriteteve lokale që t'i ndihmojnë ato në zgjidhjen e problemit ku nga shfrytëzimi i mineralit të hekur-nikelit pa asnjë lloj studimi po u shkatërron atyre rrugët, të mbjellat, perimet dhe shëndetin e tyre. "Leja e shfrytëzimit i është dhënë firmës në ditën e fundit të mandatit të Genc Rulit si ministër i Ekonomisë në kundërshtim me udhëzimet dhe me dokumente që për ne janë të falsifikuara përderisa nuk bëhet transparenca e dhënies së këtyre lejeve.
Nëse vazhdohet në këtë mënyrë shfrytëzimi, ne duhet të zhvendosemi, ashtu siç është vepruar me banorët e fshatit Hade në Kosovë ku po shfrytëzohet qymyri",- shprehen banorët e fshatit Mamëz. Probleme me firmat e shfrytëzimit të mineraleve ka edhe në fshatin Surroj. Kryetari i kësaj komune, Halil Alia, i ka kërkuar prefektti të qarkut që të ngrejë Task-Forcë ashtu siç është vepruar edhe në Bulqizë.
Ngritjen e Task-Forcës e ka kërkuar edhe drejtori i Shërbimit Pyjor, Shefqet Elezi. Sipas tij, janë rreth 150 firma të licencuara në qarkun e Kukësit të cilat po shkatërrojnë mjedisin dhe pyjet nga shfrytëzimi pa asnjë lloj kriteri dhe pa asnjë lloj studimi të pasurive minerare në tre rrethet e këtij qarku.