E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmoset marrëveshja për linjën 400-kV Shqipëri – Kosovë

 Marrëveshjet në fjalë janë nënshkruar me Bankën Gjermane për Zhvillim, (KfW Entwicklungsbank). Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Financave, Ridvan Bode tha se këto "dy financime do të mundësojnë ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400- kV Shqipëri-Kosovo me vlerë 42 milionë euro dhe linjës 110-kV Unaza e Jugut me vlerë 49 milionë euro". Sipas tij, së bashku me linjën e tensionit të lartë 400 kV Shqipëri-Mali i Zi, projektet e bashkëfinancuara nga qeveria gjermane, kanë si qëllim përmirësimin e rrjetit të transmetimit në vend si dhe lidhjen me rrjetin energjetik europian, duke bërë të mundur rritjen e kapaciteteve importuese si edhe eksportuese të vendit."Në të njëjtën kohë, ndërtimi i kësaj linje do të japë një kontribut të rëndësishëm në shfrytëzimin me eficencë të burimeve ujore si edhe do të ndihmojë në minimizimin e humbjet në rrjet", tha Bode.  Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 110-kV Unaza e Jugut do të fuqizojë më tej rrjetin e transmetimit të energjisë në pjesën Jug-lindore dhe Jug-perëndimore të Shqiperisë (Vlorë-Orikum, Himarë, Sarandë, Memaliaj, Përmet, Erseke dhe Korcë). Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, në veçanti në zonën jugore, pasi kjo linjë pritet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës. KfW në kuadër të bashkëpunimit financiar siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi gjermano-shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit qeveria gjermane ka angazhuar një shumë totale prej 850 milionë euro për projekte investimesh në gjithë Shqipërinë nga të cilat më shumë se 50% janë dhënë në kuadër të bashkepunimit financiar që implementohet nga KfW. Sektori energjetik është një nga sektoret kyç të bashkepunimit ekonomik, për të cilin qeveria gjermane ka angazhuar më shumë se 180 milionë euro. Për momentin, KfW siguron financime për një game të gjerë projektesh, duke përfshirë këtu linjën e transmetimit 400 KV midis Tiranës dhe Podgoricës, përmirësimin e prodhimit të energjisë, transmetimit dhe shpërndarjes në Jug të vendit (Sarande-Gjirokastër), Kaskada e Drin-Mat, krijimin e një mjeti kreditimi për investimet në fushën e termocentraleve të vegjël, masa të lidhura me eficencën e energjisë.                                                                                              

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›