E Diel, 1 Nëntor 2026

Fishekë mes rrobave në burgun e Shënkollit

Shënkoll- Pas tentativave për futje droge, në Burgun e Shënkollit policët kanë zbuluar sot 4 fishekë mes rrobash, që familjari i një të burgosuri donte t’i jepte të birit.

Sipas burimeve të sigurta nga burgu i Shënkollit, babai i një të burgosuri nga një fshat i Lezhës, në mes ushqimeve dhe rrobave që po i dërgonte të birit kishte futur dhe katër fishekë pistolete, por kontrollorët e atjeshëm kanë qenë të kujdesshëm duke kontrolluar në detaje çdo mall, rrobë apo ushqim që u kalonte të burgosurve nga prindërit apo të afërm të tyre. Sapo ata kanë hapur çantat me ushqime dhe placka ata kanë vënë re të mbështjellë fishekët, ndaj menjëherë kanë njoftuar policinë e cila ka bërë shoqërimin e personit që i kishte sjellë ato.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, personit që i adresoheshin fishekët nga i ati, figuron i dënuar për veprën penale të vrasjes me burgim të përjetshëm, ndërsa në burgun e Shënkollit ishte si “bujtës” pasi ai e vuante dënimin në burgun e Peqinit. Sipas këtyre burimeve fishekët mund të ishin drejtuar pikërisht për në atë burg, ku sipas informacioneve, i dënuari në fjalë bashkëvuante me persona të dënuar shumë të njohur në botën e krimit,dhe që vuajnë po dënimin me burg të përjetshëm. Policia po heton me kujdes për të mësuar të vërtetën e adresimit të këtyre fishekëve, ndërsa pasi është njoftuar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë ushtruar kontrolle të imëta në çdo qeli të burgut dhe kryesisht në qelinë ku gjendej personi të cilit i ishin adresuar fishekët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›