Gjirokastër, rikthehet verdhëza tek fëmijët
Gjirokastër-Rikthehet verdhëza në Gjirokastër. Numri i të shtruarve në pavionin infektiv të spitalit rajonal “Omer Nishani” me hepatit viral A ka shkuar në gjashtë. Informacionet e marra bëjnë të ditur se pacientët janë fëmijë të moshave 3-10 vjeç, nga lagje të ndryshme të qytetit, ndërsa 4 prej tyre janë të afërm. Sipas mjekëve shfaqja e kësaj sëmundjeje është e pazakontë për periudhën në të cilën ndodhemi, ndërsa bëjnë apel për higjienë maksimale dhe veçanërisht gjatë konsumimit të ushqimeve.
Gjatë këtij viti, hepatitis viral A, apo siç quhet ndryshe sëmundja e verdhëzës ka qenë vazhdimisht e pranishme në qytetin e Gjirokastrës. Fillimisht ajo u shfaq në lagjen ku jeton komuniteti rom dhe preku disa fëmijë, njëri prej të cilëve humbi jetën pak kohë më parë.