PS-ja ceremoni me të rinjtë vullnetarë
Tiranë- Partia Socialiste ka lancuar sot rrjetin e të rinjve vullnetarëve përmes një ceremonie në Pallatin e Kongreseve. Kreu i PS-së, Edi Rama ka felenederuar të rinjtë për mbështetjen dhe kurajon, duke shkruar emrat dhe duke vënë në dispozicion kohën dhe energjinë për të shpërndarë frymën e politikës së re të PS-së.
Ai ka falenderuar të rinjtë, për faktin që nuk kane frikë të besojnë se ky vend mund të bëhet, se një shpresë e re mund të hyjë në shtëpitë shqiptare, ku prej vitesh hyn politika e urrejtjes mes politikanëve dhe shpërfilljes së qytetarëve.
“Mbjellja e farës së besimit, në çdo zemër, qytet e fshat, kudo ku jetojnë miliona njerëz që e duan ndryshimin, por kanë humbur shpresën, do bëjë të mundur gjëra që sot duken të pamundura. Transformimi i kësaj bërthame energjie që ju mishëroni në një rrjet vullnetarësh që do përçojë fuqinë e ndryshimit, do na çojë jo vetëm në fitoren e zgjedhjeve, por edhe ndarjen me të shkuarën ku jetojme prej 17 vjetësh”- iu drejtua ai të rinjve të pranishëm.
Zgjedhjet e qershorit, ka theksuar më tej Rama nuk janë zgjedhjet e tij, por të të rinjve. “Fitorja e tyre, ka të bëjë me sfidën time personale aq sa c’ka të bëjë me sfidën e secilit prej jush, në një kohë sfidash të mëdha kur vendit i duhet një rrugë e re. Nuk na duhet një fitore për të cuar në pushtet disa njerëz në vend të të tjerëve, por një pushtet që të na çojë në fitoren e sfidave që s’mund tua lëmë të tjerëve”- tha ai.
Rama ka kujtuar se përtej luftës politike, varfëria po mbulon vendin, papunësia po shton shifrat, ndërkohë që qeveritë i lënë vendin njëra-tjetrës pa ndryshuar thelbin e politikave të falimentuara që shtojnë barrën mbi kurrizn e shqiptarëve, kurse injoranca përparon drejt foltoreve, karrigeve dhe rrogave të paguara me taksat e shqiptarëve.
Pasiguri, cmime të larta, mungesë konkurrence dhe korrupsion në rritje ka numëruar më tej Rama, duke garantuar përkundër kësaj situate një jetë më të mirë, cmime të arsyeshmem, mundësi arsimimi për të gjithë mbi bazën e meritave dhe lëvizje të lirë.
“Ne duhet ta nxjerrin Shqipërinë nga kriza e shumëanëshme dhe në radhë të parë nga kriza e besimit dhe do t’ia dalim duke nisur nga fitorja e zgjedhjeve të ‘09”- tha ai.
Rama është deklaruar në dispozicion të të rinjve dhe të atyre që duan një bashkim të ri qytetarësh dhe jo pazar të vjetër kryetarësh. “Një fitore përmes kësaj politike, falë mënyrës së vjetër, e me pasoja për vendin e qytetarët mua nuk më intereson. Nuk jam për tu ngjitur në qeveri bashkë me disa të tjerë e për vazhduar avazin e vjetër për shkak të rregullave të lojë, por për të ndryshuar politikën, sepse kështu do të ndryshojë rezultati i qeverisjes në të mirë të njerëzve”- tha Rama.
Në fund, ai ka kujtuar thënien e presidentit të zgjedhur amerikan, Obama, kur pakkush e besonte se do të fitonte; Një popull që e do vendin e tij mund ta ndryshojë. “Nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme për të provuar këtë. Ky është rasti juaj, mos e lini të kalojë pa lënë gjurmën në histori”- përfundoi Rama.