Fishekzjarret , 20 të lënduar në spitale

Ndërrimi i viteve edhe këtë herë ka lënë pasoja tek një pjesë e qytetarëve të cilët nga pakujdesia e tyre apo e miqve të tyre kanë mbetur të lënduar. Urgjenca në spitalin universitar "Nënë Tereza", por edhe ajo në Spitalin Ushtarak kanë qenë në gadishmëri të plotë për të pritur të gjithë të dëmtuarit, të cilët sipas vetë mjekëve këtë vit kanë qenë në një numër më të vogël se vitet e shkuara.
Në urgjencën kirurgjikale në QSUT, deri rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 1 janar, numri i personave të lënduar e që kanë patur nevojë për ndihmën e mjekut kanë qenë rreth 12.
Sipas shefit të urgjencës, dr Myzafer Kaçi, këto raste kanë qenë të lehta dhe pas mjekimit, qytetarët janë rikthyer në shtëpi.
Edhe në spitalin ushtarak, situata nuk ka qenë e rënduar. Edhe këtu mjeket deklarojne se situata nuk ka qenë problematike dhe se të dëmtuarit, të cilët kanë ardhur për ndihmë në këtë urgjencë nuk kanë patur plagë të rënda. Deri në këtë orë pranë Spitalit Ushtarak janë paraqitur rreth 10 raste me plagë të lehta për shkak të dëmtimeve nga fishekzjarret.